Eksodet e Vlorës, ose perëndimi i shpresës

Nga Gëzim Llojdia

Pamja e shfaqur në portin detar të Vlorës tregoi një miniskenë të eksodeve masive, që ngjanë në qytetin jugor buzë detit në fillim të viteve ’90. Skemë mashtrimi njëqind për qind dhe madje tipike e atyre të mëparshme. Unë besoj, sikurse këta eksodistët e fundit kanë besuar në një ëndërr të kahershme, ëndrra për Perëndimin, atje ku punohet ndërsa jeta gëzohet si njeri. Një gjë na bëri përshtypje të thellë. Cila është arsyeja, përse gjithë këta fakirë me çanta, fëmijë, plaçka, valixhe, para dhe gjithçka që i dihet një mërgimi modern nxitojnë për të marrë rrugët e kurbetit?

Gjiri i Vlorës është thinjur nga eksodet e pas viteve ’90. Ndryshe ka ngjarë shekuj më parë, eksodistët të tjerë drejtoheshin bash në këtë gji për tu strehuar. Dr. Ana Kohen ka shtruar vite më parë një pyetje të thjeshtë: A mund të ngrihej një monument, përmendore në brigje, pranë humbëtirës së madhe ujore të Gjirit të Vlorës, për të përndjekurit e Mesdheut, për hebrenjtë e ikur nga Spanja në valën e përndjekjeve të vitit 1492, ku nën vrazhdësinë e kohës ishte kërkuar ikja e madhe e përgjithmonë. Nga versioni historik mësohet se: ata kishin lënë brigjet me pikëllimin, që u ndihej në shpirt dhe si udhërrëfyes kishin tokën ku gjendej edhe Gjiri i Vlorës. Këto miniskena eksodi na rikthyen ndër ato kohëra. Asokohe ishte kështu? Limiti kohor. Kanë kapërcyer njëzet vjet. Por në qiellin e shpirtit tim, nuk janë zhdukur retë e bardha. Humbëtirë e madhe ujore. Qyteti në këmbët e tij, llapashitej nën kapotën ushtarake, të kohës. Njerëzit e ngritur me sytë e përgjumur nën cigrimën e atij dimri, kërkonin rishtazi një copë truall të ri. Ishte Mars,’91. Copëra nga bisedat që ndeshje në rrugë: Kanë filluar të nisen anije për në Itali… Tre nga ato kanë kaptuar mezokanalin. S’duhet besuar ende, këta të vrasin. Është vrarë B…, e kanë gjuajtur sapo u nis…

Të shtëna armësh, që lëmonin e kafshonin muzgjet ishin reflekse, që shquheshin ndër më të shumtit e kohës. Nga versioni i asaj dite marsi kemi këtë rrëfim: Portin e vogël e kishin “mësyrë”, refugjatët, të strehuar në një çast vetmie në atë marramendje dhe rrëmujë të përgjithshme, ishin rrëmbyer motopeshkatore dhe ndonjë transportues tjetër detar. Tre ditët e para bilanci, që bëhej në kapiterinë e portit: “Rrëmbimi i mjeteve detare ishte kryer me brutalitet nga refugjatët eksodistë, të përbërë nga turma të mëdha”.

Ëndrra për një troll të ri, perëndimin e shpresës, mbeti dhimbje, mbeti kujtim i shndërruar tash në rrëfim. Për ata, që si varr u mbeti deti, streha e fundme e tyre vendi ku ish ngjizur dhimbja, gëzimi, dëshpërimi, ëndrra, frika, dhe vdekja në fund. Kështu, kujtimet e dhjetëra shqiptarëve, që i mori deti, vijnë tek ne dhe mbijnë përherë të reja në tokën e shpirtit tonë. Gazetarja O. Hila ne librin e pare me poezi detit, do ti thoshte gërmë për gërmë kështu: “Deti ua lau qefinët e vdekjes, i mbështolli deti, i mbuloi në krahët e tij, në fundin e tij, dhe nga dhimbja gërryhen brigjet ngadalë, derisa të treten deri sa të mos mbetet asnjë dëshmitar okular, që të dëshmoj, kundër detit, absolutisht. Ja njohim fajet detit sigurisht, prandaj mbi të rëndojnë fajet e krimit sigurisht”.

SHKARKO APP