Emigracioni dhe kriza e menaxhimit
Nga Sadedin Çeliku
Kriza e sotme e emigracionit nuk është fenomen shqiptar por as fenomen ballkanas. Ajo është shumë më tepër se kaq, ndaj do analizuar dhe administruar me kujdes të madh. Dihet se njerëzit emigrojnë kur në vendin e tyre ka varfëri, konflikte, papunësi dhe kur mungojnë burimet e domosdoshme financiare,por dhe për një jetë më të mirë. Diferencat e mëdha në zhvillimin ekonomik, kulturor, në të ardhurat për frymë, në mënyrën e jetesës, stimulojnë gjithashtu emigracionin. Lidhur me këtë çështje ka qëndrime dhe opinione të ndryshme. Ajo që duket dominante janë qëndrimet refraktare të vendeve të zhvilluara si Gjermania, SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Italia, Spanja të cilat kanë rrethuar kufirin me tela garbian në ruajtje të “identitetit tyre kombëtar”. Janë po këto vende që flasin dhe teorizojnë shumë për demokracinë, për globalizmin, për paqen e sigurinë, për mirëqenien,etj. Rasti i eksodeve të sotme janë gjithëfaktorësh, por po përpiqem ti marr një e nga një.
Sipas gazetës “ Le Monde”, deri më tani numërohen 32,5 milionw njerëz të shpërngulur nga vendet e Afrikës Veriore si Libia, Liban, Egjypt, Irak, Siri, Afganistan. Shifra e qytetarëve nga vendet ballkanike është e papërfillshme në numër. Situata shpërthyese migrative nuk ka filluar sot, por dy vjet më parë, por ishte Italia ajo që i priste dhe vendet e tjera si Franca dhe Gjermania shikonin nga larg pa menduar se kjo faturë do të ishte dhe për ata. Sidoqoftë, të gjithë ata klandestinë e prurje nga vendet e Afrikës Veriore kanë si shkak kryesor luftën dhe konfliktet të cilat nuk i krijuan ato, por fuqitë e mëdha dhe vendet e zhvilluara, të cilat në emër dhe për llogari të demokracisë shkaktuan dëme me pasoja të mëdha dhe gati të pariparueshme. Tashmë ato vende vazhdojnë me mjaft probleme, ndërsa Siria thuajse është shkatërruar plotësisht. Ata qytetarë të pashpresë, të pastrehë pse jo dhe të paushqyer nuk kanë ku shkojnë dhe vendimi i vështirë për të lënë vendin e tyre është plotësisht i justifikuar.
Klandestinët ballkanas sigurisht nuk bëjnë pjesë nga vendet në konflikt, por kanë përfituar dhe nga lëvizja e lirë. Shkaku kryesor i tyre është kriza ekonomike greke, papunësia dhe varfëria e cila shkon deri në mbijetesë. Në takimin e datës 31 gusht mbajtur në Berlin, midis kancelares gjermane dhe kryeministrit spanjoll, u vu theksi tek krijimi i një fronti të përbashkët mbi përballimin e situatës së emigracionit. Nëse sipërmarrja e zonjës Merkel me parnerët europianë dështon, atëherë do të rishikohet Shengeni, që sipas asaj do duhet të reformohet. Se ç’kishte parasysh me riformatimin e Shengenit nuk u bë me dije. Kancelarja u bëri thirrje partnerëve për unifikimin e qëndrimeve për shpërndarjen propocionalisht të barrës për përballimin e kësaj sfide siç e quajti ajo, ndryshe theksoi ajo, Shengeni mund të anulohet.
Është me rëndësi të theksohet se politikat globaliste i shkuan për shtat më shumë vendeve të industrializuara e të mëdha se sa vendeve të vogla e të varfëra. Kështu, bie fjala, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka trefishuar shifrat e GDP-së, por dhe vendet e tjera si Japonia, Gjermania. Transferimi i kapitaleve dhe e sipërmarrjeve nga një vend në tjetrin kanë krijuar jo pak probleme. Efektet e globalizmit në Shqipëri thuajse janë zero,por dhe nuk kuptohet fare si koncept. Po tu hedhësh një sy ngjarjeve në vendin tonë, del që së pari, shteti është relativisht i dobët dhe së dyti, është ende i paaftë për të hyrë në konkurrim në tregun global. Megjithatë, Shqipëria edhe në këtë pozicion po i mbart fenomenet e globalizmit me të mira e me të këqija edhe pse nuk ka përfituar nga tregu global. Politikat e qeverisë për të rritur prodhimet bujqësore, eksportet e këtyre produkteve, janë një arsye e drejtë për të dalë në tregjet e huaja. Pra, vendet e varfra nuk kanë luksin të futen në tregun global dhe kësisoj edhe pse shifrat e ekspertëve flasin me nota pozitive, për reduktim të varfërisë, papunësisë, për zgjatje të jetës etj, duhet të pranojmë se në këto vende plagët janë agravuar më tej. Në këtë rast emigracioni shihet si shpëtim pse jo dhe rrugëdalje.
Edhe Shqipëria jeton në këtë kontinent e sigurisht ka jo pak probleme. Por duhet pranuar se ndihmat ekonomike në favorin tonë nuk kanë shkuar në funksion të integrimit. Po ti hedhim një vështrim problemeve rajonale e ballkanike do të shikojmë se nuk kanë zhvillimin e duhur transportet detare, hekurudhore dhe ajrore, infrastruktura në tërësi, sistemi energjetik, bujqësia, teknologjia etj. Ndihma dhe solidariteti nga vendet e Bashkimit Europian për ti zhvilluar këto sektorë sigurisht kanë ndikuar jo pak në ekonomitë e këtyre vendeve. Në këtë këndvështrim nuk mund të mohojmë faktin se emigracioni, në të tilla raste, merr përsipër zbutjen e disa plagëve të cilat duan kohë të marrin jetë.
Politikat e dyerve të mbyllura dhe e kontrollit të kufijve të cilat vërehen tani nuk do të jenë efektive. Kjo politikë do të rezultojë e dështuar. Ndofta ideja për azil (strehim politik) mund të jetë e drejtë, por atyre emigrantëve duhet tu sigurohet jeta. Kjo do të thotë që ato mund të marrin statusin e emigrantit, e cila në të tilla raste shoqërohet me leje qëndrimi.
Nga ana tjetër kam parasysh që Gjermania është rrudhur nga popullata. Nga 92 milionë banorë që ka patur para dy dekadash, aktualisht ka më pak se 84 milionë dhe mesatarja e njerëzve të aftë për punë është nga më të lartat në Europë. Por edhe vendet e tjera po rrudhen dhe nuk po marrin masa për ta ndalur këtë hemoragji. Në këto kushte, në vend që të stimulohet emigracioni siç e stimulojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes të ashtuquajturat lotari, ndalohet rreptësisht madje dhe me tela me gjemba.
Populli thotë se durimi ka kufi. Është e drejtë sepse kanceleritë europiane kanë 20 vjet që na mbajnë leksione për Unionin Europian, për të mirat që ajo ka si organizatë, e cila do të mundësonte zgjidhjen e shumë problemeve ekonomike, politike, gjeopolitike, gjeostrategjike, kulturore e më gjerë. Zgjerimi i Bashkimit Europian në mënyrë selektive, duke i parë vendet në të bardhë e në të zi, në të varfër e në të pasur, në prorus dhe antirust, nuk i ka bërë mirë vetë organizatës.
Nga ana tjetër kam parasysh problemet e vjetra e të reja që ka gadishulli si dhe aksionet dhe nacionalizmat që shpesh e përkeqësojnë situatën në rajon. Nëse vendet e Ballkanit Perendimor do të futeshin në bllok në Bashkimin Europian jam i sigurt se nuk do të kishte eksode të kësaj natyre, së paku nga Ballkani. Qytetarët e këtyre vendeve do të lëviznin si qytetarë europiane, do të kërkonin punë si të tillë dhe në se nuk do të kishin mundësi do të ktheheshin në atdhe dhe sigurisht që në të tilla raste kërkesat për azil nuk do të funksiononin.
Deklaratat permanente të Kryeministrit Edi Rama, që lidhet me hapjen e negociatave dhe aderimin e vendit tonë në Bashkim Europian si dhe qëndrimi koherent për emigracionin është qëndrim e drejtë dhe një përfaqësim dinjitoz. Në të tilla raste, nuk funksionon shumë diplomacia. Ka ardhur koha të jemi të drejtpërdrejtë, të flasim, madje nganjëherë dhe me zë të lartë.
Në se kriza e emigracionit nuk analizohet, administrohet e menaxhohet me kujdes e përgjegjësi, nëse nuk nxjerrin mësime nga kjo sfidë e cila është e unionit dhe e askujt tjetër,do të ketë ngjarje ndofta të paparashikueshme, por deri atëherë do të jetë më e vështirë për tu përballuar.