Ëndërra për të mos ngelur “ i vetmi vrasës”‏

Nga Mero Baze

Ka një përpjekje krejt të pabazë, për të bërë paralelizma mes mitingut të pritshëm të 12 Marsit dhe 21 Janarit. E gjithë tendenca për t’i krahasuar, bazohet tek një deklaratë e papërgjegjshme e Edi Palokës, se ata, opozitarët nuk mbajnë përgjegjësi se çfarë mund të bëjë populli atë ditë, duke u fokusuar tek ana e mundshme e dhunshme e protestës dhe për të bërë simbol të 21 Janarit dhunën.

Krahasimi me 21 Janarin nuk është as i vërtetë dhe as i mundshëm të ndodh. Nëse Berisha ka planifikuar dhunë në mitingun e 12 Marsit, kjo nuk përbën asnjë shqetësim. Dhuna është një indentitet politik i tij dhe askush nuk do të habitej prej saj. Për më tepër, askush nuk mund të trembet prej saj. Dhuna në një protestë politike, e paralajmëruar nga vet organizatorët është dhunë e organizuar. Si e tillë, ajo shërben vetëm për të identifikuar ata që organizojnë protestën dhe jo për të trembur qeverinë apo institucionet. E sigurtë është që dhuna nuk të shërben për të marrë pushtetin, por për t’iu larguar ëndërrës për pushtet. Në këtë aspekt, dhuna e Berishës është e mirëpritur për të dëshmuar se kush qëndron në krye të opozitës.

Përpjekja e dytë tinëzare për ta krahasuar me 21 Janarin, është padyshim deputeti Doshi. Legjenda që Berisha ngriti për të më 21 Janar tanimë është besuar po nga vet ai, siç ka besuar Doshi atentatin që imagjinoi kundër vetes nga Ilir Meta. E vërteta është se Doshi nuk ka pasur asnjë rol specific më 21 Janar, përveç atij që të përmbante njerëzit para kordonit të policëve të kryeministrisë dhe asaj nuk ia doli. Njerëzit e zemëruar që u përballën me kordonin e policisë janë qytetarë, ish-mbështetës të opozitës së atëhershme. Partia Demokratike ka boll prej tyre, s’ka pse ia merr borxh Doshit. Madje i ka më agresiv dhe të papërgjegjshëm, pasi kalojnë dhe gardhin dhe djegin dhe kryeministrinë, siç kanë bërë.

21 Janari ka hyrë në kujtesën politike të Shqipërisë jo si demonstratë e dhunshme nga opozita, por si masakër politike nga qeveria, e cila ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur para dyerëve të qeverisë. I vrau një burrë i lig, që rrinte pas xhamit të blinduar dhe shfrynte si i tërbuar se mos i ikte pushteti që prodhonte miliona për djalin, vajzën gruan dhe fisin e tij. Dhe pasi i vrau bllokoi hetimet, drejtësinë, Presidentin, Prokurorinë dhe gjithkënd tjetër të vendoste drejtësi. Këtë betejë po e vazhdon akoma dhe sot. Më saktë, që na ka lënë në krye të institucioneve të larta të shtetit që kontrollojnë drejtësinë, horrat që janë ende në trupat gjykues të këtij sistemi të kalbur. Edhe këto përpjekje për panik, janë vazhdim i makthit që ai ka për t’i shpëtuar atij krimi që ka bërë më 21 Janar. Por 21 Janar nuk do të ketë më.

Edi Rama nuk do të ngrejë as dorën, as gishtin dhe as do të shkel syrin nga dritarja e zyrës për të vrarë dikë. Sali Berisha është i lirë të marrë turmat e tij të hardallosura dhe të bëjë ç’të dojë. E ka bërë një here më 14 Shtator me arkivolin e Azemit në krah dhe ata që e vranë në datën 12, në datën 14 kërkonin të merrnin pushtetin me dhunë. Është i lirë ta ribëjë. Ndoshta kështu na kujton të gjithëve dhe sidomos drejtësisë, detyrën që duhet të bëjë ndaj tij.

Dhuna e opozitës në protesta nuk duhet të trembë askënd. Nuk duhet të shqetësohet askush dhe nëse dikush i zemëruar, thyen një xham apo qëllon mbi një polic të paarmatosur. Ka kohë të hetohen dhe gjykohen të gjithë, për aq kohë sa garantohet që kemi një shtet demokratik dhe ligjor, që nuk e pengon kush të hetojë. Ëndërra e Berishës, se dikush do të vrasë dhe ai pastaj do të jetë barazim me këta, nuk ka për tu realizuar. Edhe sikur Shkëlzenin, Argitën, Lulin dhe Jamarbërin të vërë Saliu fiks në vendet ku ka ndenjur Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Doda dhe Aleks Nika, askush nuk ka për t’i prekur, pavarësisht se janë simboli i atyre që kanë zhvatur këtë vend, qoftë edhe duke vrarë njerëz. Ëndërra e Berishës dhe Bashës për të prodhuar më 12 Mars, homologë vrasës, nuk ka për tu relalizuar. Ai në të vërtetë kërkon një 21 Janar, që të bëjë një 14 Shtator. Është duke ëndërruar të mos ngelet i vetmi vrasës në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Por në të vërtetë, do të ngelet i vetmi. E vetmja ëndërr që mund t’i realizohet më 12 Mars është ëndrra e tij për dhunë. Ajo e bën më të lehtë dhe më të qartë gjithçka.

"Gazeta Tema"

SHKARKO APP