Ëndrra e pavërtetë e Kryeministrit dhe një qokë për Vuçiçin…

Thuhet se një nga këshilltarët e huaj të kryeministrit tonë, është edhe këshilltar i partnerit serb, të shkrirjes së akujve, Vuçiç. Të jetë kjo deklaratë, këshillë e tij?

Nga Artur Zheji

Na tha që po ëndërronte për pas 10-të vitesh. Me syçkat gjysëm mbyllur dhe me vështrimin tretur në horizontin e kohërave, si gjysëm parashikonjës dhe si gjysëm shkrimtar romanesh historikë.
Duke pranuar ëndërrimin, kur kërkoi nëpër tym, në bashin e Kuvendit të Kosovës dhe në kulmin e vëmendjes ndërkombëtarëve, të miqve dhe të jo miqve të Kosovës dhe të shqiptarëve, “një president të përbashkët në emër të unitetit kombëtar”, kryeministri pranoi djallëzisht, sikur sapo kish bërë një lajthitje të padjallëzishme.
Them e shkruaj se pranoi djallëzisht, që gjoja kish lajthitur në ëndërrim e sipër, me shumë keqardhje, sepse nuk do të doja kurrësesi të pranoja, me zemër të lehtësuar, që kryeministri i vendit tim, të luajë më çështje kaq madhore, si një politikan i llastuar që i lejohet të thyejë çdo Kristal të shtrenjtë, të vlerave tona kombëtare.
Ay, kryeministri e dinte dhe e priste reagimin që pasoi. E dinte dhe e priste që pas kësaj, Vuçiç, do të rrëmbente nga Prishtina si një simite me gjalpë, qokën e ngrohtë të Ramës dhe do të bënte zhurmën e vet, duke forcuar pozitat e veta presidenciale.
Priste edhe sulmin nga Beogradi, që do t’a vendoste, Ramën e “padjallëzuar’, në qendrën e dashur të vëmendjes së humbur, përsëri e me çdo çmim, në Prishtinë, në Tiranë dhe në Athinë.
Thuhet se një nga këshilltarët e huaj të kryeministrit tonë, është edhe këshilltar i partnerit serb, të shkrirjes së akujve, Vuçiç.
Të jetë kjo deklaratë, këshillë e tij?
Për të rritur respektivisht popullaritetin lokal të klientëve të tijë, njeri president në Beograd dhe tjetri kryeministër në Tiranë?
Llogjika ta do që po. Këshilltarët janë të djallëzuar dhe përllogarisin pasojën e duhur, të shkakut që shpërthen si kapsollë verbale…
Çfarë na rrëfen kjo? Asgjë më tepër nga sa dimë: Varfëri idesh, hapësirë e ngushtë loje politike, për shkak të dështimeve ekonomike dhe tunelit të zymtë të mosinvestimeve të huaja, që sa vjen e zgjatet.
Të grafikut të tmerrshëm të Bankës Botërore, që e nxjerr Shqipërinë, Hirushen më të varfër të Ballkanit, me mbi 32% të popullit të vet, që jeton nën minimumin jetik, të 5$ në ditë.
Për të fshehur pra, bythën e dalë sheshit, prej pantallonave të çjerra, në gremisjen e të ardhurave, në papunësinë e thellë, në karvanin e gjatë braktisës që shqiptarët kanë krijuar për t’i kthyer krahët Mëmëdheut gjinjëtharë dhe të zhvatur në çdo qelizë, nga korrupsioni galopant.
Prandaj nuk e besoj asfare, që kryeminsitri ka ëndëruar për një bashkim Kombëtar.
Kryeministrit i lypset vetëm zhurmë, për të mos u dëgjuar kujet dhe vajtimet e mjeranëve që ikin, që gulçojnë, që dhunohen dhe shpërfillen nga stili i jetës së oligarkëve të rregjimit, apo të oligarkëve të të gjitha rregjimeve, që klloçisin vezë të arta nëpër ministritë e qeverive që vijnë dhe që do të vijnë… /360grade.al/

SHKARKO APP