“Engjëjt” e Kobanit

Vajzat kurde që luftojnë ISIS

Nga Patrick Smith, Newsweek 

 

Në luftën në vijim ndërmjet terroristëve të Shtetit Islamik (ISIS), prozhektorët janë drejtuar nga gratë kurde si asnjëherë më parë. Që prej rrethimit të Kobanit nga luftëtarët e ISIS, pamjet e grave kurde të armatosura kanë mbushur faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve të Perëndimit. Një grua luftëtare, mbase në mënyrë mitologjike, ka tërhequr vëmendje të veçantë. E mbiquajtur “Engjëlli i Kobanit”, ajo është tepër e bukur dhe flokëverdhë, dhe ka reputacionin se ka vrarë qindra luftëtarë të ISIS-it, duke bërë që media të simbolizojë me të imazhin e femrës kurde të përfshirë në luftë. Nën stereotipin e vogëlusheve të pagdhendura, gjithsesi, historitë e vërteta të grave kurde përfaqësojnë një revolucion shumë më të gjerë, edhe pse jo aq të njohur – atë të kërkimit të një roli të ri në shoqëri duke u përpjekur ta shtyjnë tutje patriarkalizmin që mbizotëron në rajon.

Në Turqi, partitë nacionaliste kurde kanë ndërthurur një model unik udhëheqjeje që ecën mirë mbi bazat e njëfarë sistemi kuotash, që është aplikuar me nivele të ndryshme suksesi në pjesë të Azisë së Jugut, por që shpesh duket qesharak kur propozohet në vendet perëndimore. “Kurdo që të ketë një votim tani, duhet të ketë një mashkull dhe një femër në krye të çdo organizate, qofshin këto bashki, sindikata, apo shoqata bamirëse”, – shpjegoi Figen Aras e Lëvizjes Demokratike të Grave (DOKH), një përzierje e shumicës së organizatave të grave kurde dhe aktivisteve, që është përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidateve femra në zgjedhje. “Është një sistem i detyrueshëm, askush nuk ka pushtetin ta kundërshtojë këtë. Burrat nuk kanë shans të ndërhyjnë në vendimet që merren këtu. Ne përcaktojmë kandidatet për në parlament dhe për sistemin e bashkëqeverisjes lokale. Por ne kemi gjithashtu të drejtë shprehjeje edhe në përzgjedhjen e kandidatëve meshkuj”, – shtoi ajo.

Që prej zgjedhjeve bashkiake të marsit, të gjitha autoritetet lokale që drejtohen nga nacionalistët kurdë qeverisen me bashkë-drejtues: një burrë dhe një grua. Sidoqoftë, për shkak se ky sistem nuk është pranuar nga qeveria turke, ai është zbatuar rrallëherë de-facto. “Neve na duket sistemi bashkëpresidencial shumë i efektshëm dhe pushtet-shpërndarës. Ai nuk është një sistem nga lart-poshtë ku një person i vetëm t’u thotë gjithë të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë. Në këtë rast ne kemi nismën dhe një zë direkt në atë që vendosin drejtuesit”, – tha Aras.

Necla Köroğlu e Akademisë së Grave, një shkollë e krijuar për të trajnuar gratë mbi kapitalin rajonal të Diyarbakirit, beson se sistemi i ri mund të ketë një efekt të madh mbi statusin e grave në këtë rajon: “Të kesh gra në pozicione të tilla është që tani shpërblyese. Kemi parë gra me një vetëbesim të rritur, që ndihen të afta të kërkojnë gjërat të cilat ato duhet të jenë në gjendje të kërkojnë, dhe politika të zhvilluara për të mbrojtur të drejtat e grave”, – tha ajo.

Lëvizja Kurde ka një histori të gjatë të përfshirjes femërore. Që prej 1970-ës, gratë kanë përbërë një proporcion domethënës të luftëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe përfshirja politike e tyre ka qenë e lartë.

“Kjo nuk është diçka që na është dhënë. Është diçka për të cilën gratë kanë luftuar përgjatë shumë dekadash përmes përfshirjes politike”, – tha Köroğlu. “Në fillim arritëm të merrnim një kuotë prej 30%, më pas prej 40% dhe tani ne kemi sistemin e balancuar që shohim sot”. Pavarësisht, gratë duan ta theksojnë medoemos se detyra me të cilën përballen nuk është e thjeshtë. Nuk ka asnjë dyshim se rajonet kurde mbizotërohen nga patriarkalizmi, traditat klanore dhe të qenit larg qyteteve, bën që të ketë pengesa më të mëdha për të kapërcyer. Një prej çështjeve kyçe është praktika në disa zona rurale e marrësve të nuseve vogëlushe, sikurse shpjegoi studenti aktivist Dipak Ahmed. “Pas shkollës fillore, në moshën 13-14-vjeçare, vajzat martohen, kryesisht me burra shumë më të mëdhenj në moshë që i paguajnë shuma të mëdha familjes së vajzës”, – tha Ahmed. “Ky është një problem masiv dhe diçka të cilën po përpiqemi ta luftojmë. Ne po i bëjmë njerëzit të ndërgjegjshëm për problemin përmes programeve edukuese që po zhvillohen në këtë rajon. Ne kemi gjithashtu programe që t’i përfshijmë gratë në punë, në mënyrë që familja e tyre të ketë më pak nevojë të ndërmarrë veprime të tilla”.

Për nuset vogëlushe që vendosin t’i braktisin burrat e tyre, entet e qeverisjes lokale kanë ndërtuar strehëza për gratë, për t’iu dhënë atyre mbështetje dhe për t’u përpjekur që t’iu gjejnë punë. Ç’është e vërteta, një prej bashkëkryetareve të reja, Berivan Kilic, e zgjedhur në Kocakoy të provincës së Diyarbakirit, ka qenë vetë një nuse vogëlushe dhe u ndihmua të braktiste një martesë të palumtur nga një prej këtyre qendrave.

Por përballja me pengesat për gratë nuk është vetëm në fshatrat me vlera tradicionale. Ka raste që disa brenda lëvizjes nacionaliste përpiqen ta bllokojnë progresin. “Padyshim ka raste kur një grua zgjidhet si bashkë-presidente apo bashkë-drejtuese bashkiake, por i ndalohet pushteti i vërtetë – është thjesht një figurë simbolike. Kjo është diçka që duhet të luftohet me trysninë që lëvizja e grave mund të ushtrojë, ne nuk besojmë se është një problem madhor, por diçka që do të flaket tutje”, – tha Aras.

Papunësia femërore në Kurdistan është rezultat i dyfishtë i politikave të shtetit turk, përfshi spastrimin e 3000 fshatrave gjatë luftës së 1990-ës, dhe pasojë e një shoqërie tradicionale që e sheh ende vendin e femrës në shtëpi. Për ta luftuar këtë, DOKH ka krijuar kooperativat. Këto dyqane, ferma dhe restorante drejtohen nga gratë dhe fitimet ndahen ndërmjet punonjësve. “Bëhet fjalë për t’i nxjerrë gratë në botën e punës dhe për t’i fuqizuar ato. Por bëhet fjalë gjithashtu për të ndërhyrë në një treg që mbështetet te fitimi maksimal dhe që e shfrytëzon gruan”, – tha Aras. “Në kooperativat tona, çdokush ka të njëjtin zë për mënyrën sesi drejtohen ato”.

Ahmed tha se lufta është ndryshe nga beteja më e nevojshme për lirinë se si të vishesh apo e lëvizjes sipas dëshirës: “Kjo pjesë është në rregull, por kjo nuk është liria jonë. Liria që duam është liria që sjell pushteti i madh”.

SHKARKO APP