“Engjëlli i Vdekjes”, që mund të kthehet në vrasësen më të madhe

Nga Nicholas Farrel

Infermierja italiane akuzohet për vrasjen e 96 pacientëve. Ajo kishte një ndjesi madhështie dhe përdorte një mënyrë të vështirë për t’u zbuluar për t’i çuar të shtruarit drejt vdekjes.

Një infermiere italiane e mbiquajtur “Engjëlli i Vdekjes”, ndodhet në burg në Itali në kuadër të hetimeve për vrasjen e mbi 96 pacientëve gjatë një viti të vetëm në spitalin ku ajo punonte – ku ka patur nga një vdekje çdo tri ditë midis prillit 2013 dhe prillit 2014. Në rast se do të dalë fajtore për vrasjen e pacientëve në fjalë, ajo do të renditet si një prej vrasësve serialë më të frytshëm të historisë.

Ky rekord për momentin besohet se i përket kolumbianit Luis Garavito, viktimat e të cilit, sikurse është provuar, kanë qenë 138 fëmijë, të vrarë gjatë një periudhe pesë-vjeçare gjatë vitit 1990. Rekordi i numrit më të madh të vrasjeve nga ana e një infermieri mbahet nga një amerikan, Charles Cullen, i cili u dënua me gjashtë burgime të përjetshme në vitin 2006 për vrasjen e 40 pacientëve (edhe pse mendohej se ai kishte shkaktuar mbi 400 vdekje) në Nju Xhersi dhe në Pensilvani gjatë një periudhe 16-vjeçare.

Ajo çfarë e bën këtë rast shumë interesant është arsyeja e supozuar. Ndërkohë që disa doktorë apo infermierë i vrasin pacientët e tyre për arsye mëshire, sikurse ka bërë apo pretendon se ka bërë Cullen, Daniela Poggiali besohet se i ka vrarë pacientët e saj për arsyen e thjeshtë se e acaronin. Mendohet gjithashtu se ajo iu jepte atyre laksativë, çka i bënte të humbisnin shumë lëngje trupore, dhe kishte gjithashtu disa foto të bëra me celular, ku kishte dalë pranë kufomës të një prej pacientëve, foto të cilën e kishte publikuar online.

Në disa fotografi të tjera, të bëra në janar 2014 nga një infermiere tjetër, ajo është duke qeshur dhe bën gjeste të turpshme pranë kufomës së një gruaje të moshuar, e cila sapo kishte vdekur në pavijonin e saj. Në një tjetër foto ajo qëndron pranë kufomës duke qeshur dhe duke bërë shenjë me gishtin e madh përpjetë. Në një tjetër akoma, ajo është mbështetur te kufoma me gojën e saj të hapur, duke e drejtuar gishtin nga fytyra e së ndjerës në formë pistolete. “Ajo ishte shumë euforike dhe donte që të bënte foto pranë trupave të vdekur”, i tha më vonë kolegia e saj policisë, sipas asaj që bën të ditur “ Il Corriere della Sera”.

Poggiali, 42 vjeç, është një përkrahëse e zjarrtë e Juventusit si dhe një adhuruese muzikore e Elton Xhonit, ajo gjithashtu bën udhëtime të shpeshta ekzotike dhe merret me palestër. Ajo u diplomua për infermiere përpara 17 vjetësh dhe në 12 vitet e fundit ka punuar te spitali prej 30 shtretërish i mjekësisë së “Umberto I” në qytezën e Lugos, midis Bolonjës dhe Ravenës, në rajonin e Emilia-Romanjas në Itali. Ajo ka flokë të verdha të prera shkurt dhe një numër mbresëlënës tatuazhesh. Nuk ka fëmijë, por shoqërohet me Luigi Conficconi, një mekanik automjetesh, i cili është edhe arbitër semi-profesionist futbolli.

Krerët e spitalit nisën të dyshonin për Poggiali-n në Mars të 2014-s, pas vdekjes së pashpjegueshme të pesë pacientëve, të cilët vdiqën në harkun e një jave gjatë turnit të natës, kur ajo punonte pak a shumë vetëm në pavijon. Ata nuk e lajmëruan policinë por e zhvendosën infermieren në turnin e paradites, në mënyrë që ta mbanin nën mbikëqyrje, sikurse bënë me dije më vonë. Pas tri ditësh, në mëngjesin e 8 Prillit, ndërroi jetë një tjetër paciente:  Rosa Calderoni.

Vajza e 78-vjeçares, Manuela Alci, e cile qe e pranishme atë mëngjes, tha se ju kërkua që të dilte nga dhoma ndërkohë që Poggiali i jepte mjekimet së ëmës, e cila kishte probleme të shumta shëndetësore. Pas dhjetë minutash, Manuela u lejua të hynte në dhomë dhe vuri re se sytë e mamasë së saj po lëviznin në mënyrë të pakontrolluar dhe se ajo kishte një tub të vendosur në krah, i cili nuk kishte qenë aty herë tjetër. Më pas, ndërkohë që e bija po i mbante dorën, mamaja e saj vdiq. “Nuk vuajti”, e garantoi me siguri Poggiali.

Për pasojë, drejtuesit e Poggiali-t vendosën të kryenin një autopsi të plotë të pacientes së vdekur, çka nxori në dritë nivele të larta klorid kaliumi në bebet e syrit të së ndjerës. Qe ky zbulim që sipas të gjitha gjasave solli arrestimin e infermieres. Kloridi i kaliumit, i cili zhduket nga trupi pas 48 orësh dhe që përdoret me doza të vogla për të trajtuar disa sëmundje, është një element kyç në përzierjen vdekjeprurëse të ilaçeve që përdorin disa shtete në Amerikë për të ekzekutuar të burgosurit e dënuar me vdekje. Sipas hetimeve, një injeksion intravenoz kloridi të pastër kaliumi i shkaktoi Calderoni-t një atak zemre.

Sidoqoftë, Poggiali vazhdoi të punonte normalisht në spitalin e Lugos deri në Korrik, kur ajo u pushua nga puna pasi një hetimi të brendshëm që e gjeti fajtore për vjedhjen e 10 eurove të një të afërmi të një paciente dhe për shkak të pozave të saj pranë pacientëve të vdekur, të cilat ajo i publikoi në internet. Aktualisht ajo është në gjyq me spitalin për shkarkim të padrejtë.

Më 9 tetori Poggiali u arrestua nën dyshimin se ka vrarë Calderoni-n. Fotot e mediave lidhur me këtë ngjarje e shfaqnin atë te duart e prangosura dhe të qeshur. Që prej arrestimit ajo ndodhet në burg dhe është bombarduar me letra të simpatizantëve, si dhe ka marrë disa propozime martese. Ajo i mohon akuzat për vrasje, duke u ankuar se është viktimë e një komploti të orkestruar nga ana e kolegëve, të cilët i kanë thënë policisë se kanë patur dyshime lidhur me numrin e lartë të vdekjeve të pacientëve kur ajo ishte në detyrë.

Njëra nga infermieret, Sara Pausini, deklaroi se: “Kishim disa kohë që flisnim për Poggiali-n dhe për numrin e çuditshëm të pacientëve të vdekur, që shkonte deri në tre persona në ditë”. Lidhur me urdhër-arrestin, ajo tha se: “Kur shkoja të punoja me të fillova të numëroja numrin e çuditshëm të vdekjeve për të parë nëse ishte rastësi apo ndonjë gjë tjetër”.

Hetuesit thonë se nga Prilli 2013 deri në Prill 2014, 96 pacientë kanë ndërruar jetë në pavijonin e Poggiali-t, gjatë kohës që ajo ka qenë në detyrë, çka ishte dyfishi i përqindjes së vdekjeve të një infermiereje tjetër, e cila ka punuar gjatë së njëjtës periudhë (45 vdekje), dhe thuajse trefishi një tjetër infermiereje (36 vdekje). Ndërkohë që në fillim dyshohej se Poggiali kishte vrarë me injektimin e kloridit të kaliumit38 pacientë, policia tani po heton për vdekjen e 96 pacientëve që kanë qenë nën kujdesin e infermieres.

Hetuesi Alessandro Mancini tha se Poggiali i përdorte veprimet e saj “si një formë sfide”. Ai tha për shtypin italian se: “Ajo mendonte se ishte shumë e zgjuar, shumë dinake, aq sa mund të vriste ditës për diell, përpara syve të të gjithëve. Ajo kishte një ndjesi fuqie, që e bënte të ndihej se mund të bënte çfarë të donte, edhe në kuptimin e marrjes së jetës së dikujt. Ajo ndihej fuqiplotë porsi një Zot. Ky qe gabimi i saj. Ne mendojmë se ajo është në rregull nga trutë, thjesht i jepte kënaqësi të vriste”.

Në fakt, sipas prokurorëve, sensi i gjithëpushtetit të Poggiali-t ishte aq i madh, saqë në një rast, kur po diskutonte mundësitë e pakta të mbijetesës të një pacienti me një doktor, ajoi bëri shaka duke thënë: “Dy pika kloridi kaliumi dhe zgjidhet gjithçka”. Gjithsesi, infermierja vazhdon këmbëngul se është e pafajshme ndërkohë që hetimet vijojnë./ Newsweek

SHKARKO APP