Eni Vasili: Replikë me Sali Berishën dhe Mero Bazen
Nga Eni Vasili
Që nga mesnata e së hënës e deri mesditën e së martës, e pashë veten protagoniste jo vetem të thuajse të të gjitha ballinave të portaleve online, por edhe të disa shkrimeve të kolegëve dhe jo pak statuseve të banorëve të rrjeteve sociale.
Çfarë kishte ndodhur?
Mbrëmë në emisionin tim “Studio e Hapur”, ndërsa flitej për ekipin negociator dhe deklaratat për një spiun mes tyre, ish-kryeministri Sali Berisha ndërhyri live në linjë telefonike për disa sqarime rreth deklarimeve të tij. Në studio, mes panelistëve ishte edhe gazetari i News 24, Artan Hoxha. Njihet kontrasti i fortë i këtyre dy personazheve, por edhe përplasjet mes tyre. Vetëm një javë më parë, Berisha e sulmoi Hoxhën me një status e po kështu bëri dhe ky i fundit. Debati mes tyre te emisioni i drejtuar prej meje, ishte një akt akuzator dy palësh me tone të larta edhe pse të dy personazhet ishin në kushte të pabarabarta, njëri në studio dhe tjetri në linjë telefonike. Personalisht e kisha thuajse të pamundur të dëgjoja përgjigjet e Berishës, ndaj disa herë ndërhyra për t’i krijuar mundësinë të përgjigjet, si një e drejtë që i takon gjithkujt në një debat televiziv. Që këtu filloi “keqkuptimi” i madh në komente rreth ngjarjes. Po e quaj kështu, pasi nuk dua të akuzoj askënd për qëllime dashakeqe apo shërbime ndaj të tretëve.
Nga njëra anë akuzohem nga kolegu Mero Baze apo ndonjë tjetër, se doja t’i mbyllja gojën Artan Hoxhës, se duhej t’i mbyllja telefonin Berishës, se jam inferiore ndaj këtij të fundit, pasi dua ta ftoj në emision e të tjera si këto. Nga ana tjeter akuzohem se ftoj në studio pseudo gazetarë, se nuk i dhashë kohën e duhur Sali Berishës, se e vura në pozitë të pabarabartë, se i shërbej Edi Ramës etj etj…
Si qëndron çështja sipas meje …
Së pari, fakti që akuzohem si nga ithtarët e Berishës, por dhe nga ata që janë betuar me armiqësi të përjetshme me të dhe aq më tepër akuzohem edhe nga vetë Berisha, tregon që detyrën time e kam bërë mirë. Është e rrallë të kesh kundër edhe Berishën edhe Meron për të njëjtin argument, sidomos kur argumenti është pikërisht Berisha.
Së dyti, akuzat që i drejtuan njëri tjetrit Sali Berisha dhe Artan Hoxha, janë të rënda, “vrasës“,“hjekës“ ,“pinoçet“ ,“bandit“. Por a janë ato të vërteta?
Personalisht e konsideroj veten një gazetare dhe jo misionare të ndonjë pale, unë nuk kam misione të tilla në gazetari, ndërsa mendoj se nuk ka mision më fisnik se profesioni i gazetarit. Profesionalizmi është misioni im i vetëm. E përsëris, jam gazetare, jo prokurore, as gjykatëse, nuk jap sentenca dhe as dënoj me mbyllje goje. Nuk jam në gazetari për të denigruar e përgojuar askënd dhe karriera ime e dëshmon këtë. Nuk jam gazetare për të mbajtur në pushtet dikë apo disa dhe as për të rrëzuar disa të tjerë. Këto nuk janë misionet e mia në gazetari dhe i refuzoj me forcë.
Prej 13 vitesh kam ndërtuar një platformë gazetareske ku aktorët politikë, të medias dhe shoqërisë, ballafaqohen duke thënë secili të vetën. Është një platformë lirie, e ndërtuar me shumë mund e sakrifica në një vend ku politika tenton çdo ditë ta blejë apo përdhosë median. Jetojmë në një realitet politik e mediatik ku të “vërtetat“ sponsorizohen nga pushteti dhe të jesh një gazetar i lirë është thuajse utopike. Nuk ka ditë që në telefonat tanë, pushtetarët të mos bëjnë presion për një lajm a një tjetër, për të realizuar një temë emisioni apo një tjetër, e të mbash profesionalizmin në këmbë në këto kushte, është një sfidë dhe sprovë e përditshme. Në emisionin “Studio e Hapur”, vijnë të gjithë pa përjashtim dhe janë të lirë të thonë gjithçka. Nga Berisha, te Rama, Basha, Meta e deri tek deputeti i fundit…
Askujt nuk i mbyllet goja në “Studio e Hapur”.
Në këtë kontekst por jo vetëm, nuk do t’i dëgjoj asnjëherë thirrjet e askujt për t’i mbyllur mikrofonin të ftuarve të mi, kushdo qofshin ata (hiq rastet e shkeljes së etikës dhe parimeve që ndajmë të gjithë). Dhe duke mos bërë sikur jemi norvegjezë, akuzat e tipit “hajdut” e “kriminel”, nuk janë të përjashtuara nga diskuri politik, duke filluar nga Parlamenti yne.
Ashtu mos qoftë, por mu krijua ideja duke lexuar disa portale, se zullumet e ca të tjerëve, po mundohen t’i mbulojnë e relativizojnë me debatin Berisha –Hoxha në “Studio e Hapur” , një debat mbi të cilin vlen të diskutohet, asesi të manipulohet apo përdoret për të larë mëkate studiosh të tjera.
Së fundi, vlen të theksohet se kolegu Artan Hoxha pati të gjithë mundësinë dhe kohën televizive të akuzonte Berishën dhe t’i përgjigjej akuzave të tij, e po kështu edhe Sali Berisha, edhe pse në kushte të pabarabarta, tha gjithçka donte pa e penguar askush.
Thënë kjo, detyra ime mbaron këtu. Pasi unë i kam vënë detyrë vetes të bëj emisione dhe s’kam marrë përsipër misione apo shërbime të caktuara në favor të dikujt dhe disfavor të dikujt tjetër. hapur.al
Shkrimi i Mero Baze: Inferiorë përballë Berishës, të rreptë me kolegët “vrasës”
Nga Mero Baze
Sali Berisha është thirrur të ndërhyjë në linjë telefonike në një studio televizive dhe ka nisur bisedën duke sulmuar me një fjalor të paprecedentë gazetarin Artan Hoxha, duke i thënë “vrasës” dhe “pjesë e bandave”. Është fat që Artan Hoxha nuk u intimidua dhe nuk ju kthye me akuza Sali Berishës, por i numëroi faktet publike për vrasjet e tij, që nga Tropoja dhe deri më 21 Janar, të cilat i kishte filmuar live, dhe që ai nuk ja harron.
Por përtej vendosmërisë së tij personale si gazetar, rasti në fjalë është një ilustrim i shëmtuar i inferioritetit që kanë drejtuesit kryesorë të emisioneve në Shqipëri ndaj Sali Berishës.
Në shumicën e tyre, për të mos thënë të gjithë, së paku prej vitit 2008, kur Sali Berisha u vu në hall me shtypin, pasi do mbronte të vrarët e djalit, e më vonë të vrarët e tij, si dhe historitë e tjera të korrupsionit, këta “moderatorë” kanë vetëm një hall në jetën e tyre: Të bindin Sali Berishën që ta kenë në studio, pa nuk do të lejojnë njeri ta prekë.
Kështu më ka ndodhur mua dhe Andi Bushatit në prill të vitit 2008, kur Fevziu na lajmëroi se nuk mund të ishim në emision me Berishën dy orë para se të fillonte, pasi ne “kishim hedhur baltë për Gërdecin”, ndërkohë në emision na sulmoi të dyve me fjalorin më të ulët, pa qenë aty.
Më tej kjo histori ka vazhduar me çdokënd që e ka thirrur në studio, duke e siguruar me një panel gazetarësh bashkëpunues me të.
Ky i sotmi ishte rasti që Sali Berisha zgjodhi të ballafaqohej vetë me Artan Hoxhën, pasi nuk duron dot këtë historinë e “marrëveshjes së re me Greqinë” që damkos historinë e tij politike dhe për ta intimiduar atë, e nisi bisedën duke e sulmuar si vrasës.
Moderatorja e emisionit nuk bëri asnjë përpjekje, qoftë dhe etike, ta ndalte ose t’i ndërpriste linjën e telefonit, por sillej sikur të dy akuzat ishin relative, d.m.th dhe kur i thoshte Sali Berisha “vrasës” Artan Hoxhës, ishte njësoj sikur i thoshte dhe Artan Hoxha vrasës Sali Berishës, ndërkohë që ky i fundit, ja ka filmuar vrasjet live Berishës.
Nuk mjaftoi kjo, por dhe duke mbyllur emisionin Sali Berisha e akuzoi sërisht Artan Hoxhën si pjesë e bandave dhe moderatorja ndërhyri si “negociatore” që do t’i pajtojë, t’i ulë bashkë përsëri.
Unë nuk mendoj se Artan Hoxha ka nevojë për ndihmën time për ta mbrojtur, pasi u mbrojt shumë mirë vet.
Por inferioriteti i drejtuesve të emisioneve televizive ndaj Sali Berishës, dhe fakti që atij ja quajnë normale kërcënimet ndaj gazetarëve, tregon qartë për standardin e lirisë së shtypit që ai ka fiksuar në mendjen e tyre, si njeri që ka të drejtë të vrasë, të fyejë dhe të sulmojë, pa i kërkuar njeri llogari.
Bile dhe më keq akoma, në vend që t’i zemërojë drejtuesit e emisioneve, i bën t’u shkëlqejnë sytë kur u premton se mund të jetë përsëri në studion e tyre. Edhe si vrasës gazetarësh! Gazeta “Tema”