Enver Hoxha u kërkoi gjermanëve 4 mliard dollarë
Vazhdon të jetë një nga librat më të komentuar në median shqiptare publikimi i Dr.Shpëtim Çaushit, me titull “Edhe njëherë për shansin gjerman”, publikuar nga UETPress. Historia e shansit të humbur me Gjermaninë, gjatë kohës së diktaturës, mbetet një histori interesante edhe sot e kësaj dite
Në librin e tij, Çaushi thotë se Shqipëria e humbi një shans për të normalizuar marrëdhëniet me Gjermaninë.
I intervistuar nga media Çaushi thotë se e vërteta ishte se Enver Hoxha pranoi që të vendoseshin marrëdhëniet me Republikën Federale të Gjermanisë. “Enver Hoxha kërkoi në radhë të parë që të shfrytëzoheshin marrëdhëniet me RFGJ për marrjen e reparacioneve të luftës, që ishin mbi 2 miliardë dollarë të vlerësuara, të vitit 1938, plus përqindjet, që e çonin këtë shifër në rreth 4 miliardë e më shumë dollarë”.
Por Çaushi thotë se Enver Hoxha ishte i vonuar pasi Marrëveshja e Londrës dhe ajo e Potsdamit kishin parametrat e tyre kohorë dhe legalë për të pranuar dëmet.
Por a kishte një moment kur palët ishin pranë marrëveshjes? “Pati një moment kur Enver Hoxha në një bisedë të veçantë me Ramiz Alinë, para takimit të Bonit, tha që ‘ata le t’i cilësojnë kredi, neve do i cilësojnë reparacione. Por kjo le të mbetet në arkivat e të dy palëve dhe të mos deklarohet’. Por kjo nuk u realizua, sigurisht…".
Megjithatë kjo mbeti vetëm ide, pasi Ramiz Alia nuk e transmetoi atë në Bon të Gjermanisë. “Kjo ide nuk iu transmetua asnjëherë gjermanëve si e tillë, gjatë tërë periudhës së negociatave me to. Nuk iu transmetua në takimin e parë të Bonit, në prill të vitit 1984. Ndaj mbetet një enigmë”.