Erdogan – Rama, baleti i vështirë diplomatik i Tiranës
Nga Skënder MINXHOZI
Vizita e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Tiranë shënon një moment kyç në marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Tiranës. I shoqëruar nga një delegacion i rëndësishëm zyrtar, Erdogan zbriti në kryeqytetin shqiptar me disa mesazhe të rëndësishme. Më i pari ishte ai i peshës që Turqia i jep stabilitetit në Ballkan, ku dëshëron të luajë një rol të dorës prej protagonisti. “Këtu ndjehemi si në shtëpinë tonë”, u shpreh presidenti turk, duke risjellë në marrëdhëniet dypalëshe një shprehje që është përsëritur nga të gjithë burrat e shtetit turk që kanë shkelur Tiranën në të shkuarën.
E vërteta e kësaj shprehjeje përmblidhet jo vetëm në historinë e gjatë të përbashkët dhe në lidhjet e ngushta njerëzore, politike, ekonomike e ushtarake që egzistojnë tradicionalisht mes Shqipërisë dhe Turqisë, por edhe në vizionin që Erdogan dhe Davutoglu kanë për këtë pjesë të botës. Një vizion që konsiston në rigjallërimin e të gjitha fijeve nervore të ish-perëndorisë otomane, ku Ballkani ze një vend të privilegjuar.
Mesazhi i dytë i vizitës së Erdogan në Tiranë është ai i mbështetjes politike ndaj një vendi që konsiderohet si aleat shumëplanësh i Turqisë. Pak ditë më parë, Tirana dhe Athina konsumuan incidentin diplomatik të rradhës, e me atë rast shtypi grek nuk ngurroi ta justifikojë atë që ndodhi, me vizitën e afërt të presidentit turk në Tiranë. Hija e Ankarasë në marrëdhëniet shqiptaro-greke ka qenë një histori e vjetër komploti, sa edhe vetë mosha e shtetit shqiptar. Por në kontekstin aktual, kjo prezencë merr një rol edhe më delikat, sepse Shqipëria dhe Greqia ndodhen në një zgrip të rrezikshëm diplomatik, me një dosje të mbushur me probleme sensitive, e që presin zgjidhje të shpejtë.
Së treti, mesazhi religjioz i vizitës së Erdogan, me 30 milion e hedhur për ndërtimin e xhamisë së madhe, janë vetëm ana e dukshme e një bashkëpunimi, i cili mesa duket do të shtrihet në shumë fusha. Presidenti turk afishoi ambicjen që shkëmbimet mes dy vendeve të arrijnë në një miliard euro, duke rënë dakort gjithashtu që pala turke të financojë ndërtimin e parlamentit të ri shqiptar, si dhe një projekt të rëndësishëm rehabilitimi urban në Gjirokastër.
Vizita e shefit të shtetit turk në Tiranë vjen në një moment kur Turqia vijon të ndodhet në amullinë e shkaktuar nga konfliktet në Lindjen e Mesme, Sirinë dhe ISIS, pa harruar marrëdhënien e komplikuar me SHBA dhe Europën e Bashkuar. Karta ballkanike përbën për Ankaranë afirmimin e një fuqie rajonale që Turqia nuk ka ngurruar asnjëherë ta verë në dukje. Ardhja në Tiranë ishte dëshmia e këtij fakti të pranuar gjerëissht prej kohësh.
Për palën tonë, vizita e kreut të shtetit turk është një mundësi ndihme dhe bashkëpunimi që duhet shfrytëzuar me takt dhe kujdes, për të mos i acaruar edhe më shumë ujrat e deteve Jon e Adriatik, edhe ashtu mjaft të trazuar. Nga ana tjetër, përkrahja e Erdogan është një kartë që Rama është përpjekur ta luajë qysh herët, atëhere kur fitonte zgjedhjet më 2013. Është rasti për të verifkuar sesa ka mbetur ende në këmbë, nga ajo miqësia e atyre muajve, e cila nuk arriti të prodhojë asokohe frytet e përfolura.
"JAVA"