Erion Veliaj: Koha për hapjen e dosjeve është tani

Nga Erjon Veliaj

Fjala e Ministrit të MSR, z. Erion Veliaj Tryezë Konsultuese mbi Parimet e Trajtimit të Trashëgimisë së Ish Sigurimit të Shtetit në Shqipëri gjatë periudhës 1944-1991.

Shumë faleminderit për pjesëmarrjen në këtë tryezë sot për të diskutuar mbi qasjen institucionale ndaj trashëgimisë së Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Diktaturës Komuniste në vend. Me porosi të Kryeministrit, dhe si Ministria që mbulon çështjet e ish të Përndjekurve Politikë, dëshirojmë të sjellim në një platformë zyrtare diskutimi një çështje që përndjek jetën tonë publike dhe institucionale prej më shumë se 20 vjetesh. E kam fjalën për përballjen me të shkuarën komuniste të vendit, të diskutojmë parimet që duhet ta shoqërojnë atë dhe të biem dakort mbi piketat konkrete që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe Kuvendi në ditët në vijim.  

 

Që në fillim më lejoni të them se si i ri dhe politikan i ri i afrohem kësaj çështje me shumë përulje, me përulje sepse flas si dikush që vetë nuk e ka përjetuar drejtpërdrejtë kalvarin e vuajtjes komuniste, me vetëdije që bëhet fjalë për një ndër çështjet më komplekse me të cilën është përballur vendi ynë gjatë dy dekadave të fundit, por edhe me kurajon që buron nga fakti se kjo Qeveri nuk ka asnjë lloj kompleksi për t’u përballur qartazi dhe prerë me këtë temë të rëndë.

 

Kësaj vendosmërie të Qeverisë shpresoj shumë që do të bëjë bashkë të gjithë ata njerëz-vullnetmirë, të cilët gjatë këtyre dy dekadave, pavarësisht përdorimit për përfitim politik të kësaj çështje, kanë besuar sikurse edhe ne që vetëm përballja me të vërtetën mundëson konsolidimin e lirisë në vend, kanë punuar për të mbajtur gjallë kujtimin e të gjithë atyre që u bënë subjekt i persekutimit nga më të egrit në histori, dhe kanë vazhduar pa rreshtur përpjekjet për të mbajtur aktual këtë debat. Në këtë vend mund të mos biem dakort me shumë çka, por besoj të gjithë bashkohemi në të pranuarit se përgjatë dy dekadave, pavarësisht përpjekjeve sporadike të ndërmarra zakonisht (duhet ta pranojmë) për përfitim politik apo elektoral, shoqëria shqiptare si e tërë ka dështuar të përballet prerazi dhe të njohë të vërtetat e dikaturës komuniste vend.

 

Gjatë fjalës time të shkurtër, në vijim të deklaratës së bërë nga Kryeminstri pak kohë më parë, do të doja të shprehesha shkurtimisht mbi modelin që Qeveria ka vendosur të ndjekë ndaj kësaj çështje, të ndaja shkurtimisht disa detaje mbi punën e bërë deri me sot nga MMSR për këtë çështje, dhe të ngrija disa piketa që mbetet t’i diskutojmë së bashku gjatë këtij takimi sot, për konkretizimin e kësaj nisme.

 

Ndërkohë që nuk kemi asnjë recetë të gatshme, Qeveria është tashmë e vendosur të përfitojë nga eksperienca më e mirë evropiane në këtë fushë, ajo e Republikës Federale Gjermane, në trajtimin e kësaj çështje në tërësinë e saj. Jam i gëzuar që ndjekja e këtij modeli është tashmë një qëndrim që ndahet nga përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe drejtuesve politikë në vend.

 

Kemi arritur në këtë përfundim jo vetëm për shkak të marrëdhënies së ngushtë dhe ndihmës së pakursyer që Qeveria gjermane ka ofruar gjatë gjithë këtyre dekadave edhe në përballjen me këtë çështje në vend, por mbi të gjitha për shkak të modelit që Gjermania ka vendosur në Evropë dhe më gjerë, me trajtimin e kësaj të shkuare.

Mendoj se është me vend ta them që, ndërkohë që shumë shoqëri edhe evropiane kanë vënë në pikëpyetje nëse përballja me të shkuarën diktatoriale i bën mirë demokracisë dhe shoqërisë së një vendi, Gjermania përbën shembullin unik në Evropë e cila i është përgjigjur pa ekuivoke kësaj pyetje me një Po të plotë.

 

I ka thënë Po në dy udhëkryqe nga më të vështirët për një vend, duke përbërë shembullin unik në Evropë që ka ndërmarrë një përballje të thellë dhe shumëdimensionale me të, një herë në vitet e pasluftës së dytë botërore në përballjen me të shkuarën naziste të vendit dhe për herë të dytë në përballjen me të shkuarën komuniste të Gjermanisë Lindore dhe një prej shërbimeve sekrete më të urryera në botë, të STASIT.

 

Një përballje e tillë mund të merret e mirëqenë sot, kur kemi më shumë se dy dekada që na ndajnë nga rënia e murit të Berlinit dhe pothuaj, shtatë dekada nga rënia e nazizmit. Por, më lejoni t’ju siguroj që nuk është aspak e tillë. Edhe sot ndërsa flasim, ka shoqëri Evropiane që në vend të përballjes me të shkuarën komplekse të luftërave civile, diktaturave apo pushtimit nazist, zgjodhën heshtjen dhe fshehjen si rrugën më të mirë për të përballur problemet delikate të përballjes me të shkuarën.

 

Në fjalët e ish Kryeministrit Polak Mazowicki, shoqëri të tilla si edhe e jona, zgjodhën të heqin një vizë të trashë mbi të shkuarën e tyre. Edhe ne përballemi me mundësinë shumë të mirë, që 25 vjet tashmë nga rënia e diktaturës, të zgjedhim të themi siç kanë thënë dhe të tjerë, se komunizmi “tashmë është histori dhe nuk ka më asnjë lidhje me realitetin e shoqërisë shqiptare sot.”

 

Të dyja këto zgjedhje për njerëz të arsyeshëm mund të kenë meritat e tyre, por çdo shoqëri që ka zgjedhur këtë rrugë vazhdon sot e kësaj dite të vuajë pasojat e saj në zhvillimin e institucioneve dhe funksionimit demokratik të vendit. Kjo tryezë besoj që çon një mesazh të qartë se qëndrimi i mazhorancës sonë është përballja me këtë të kaluar dhe jo fshehja dhe harresa e saj.

 

Një pyetje tjetër që dua t’i përgjigjem sot, është Kur?Kur është momenti që një shoqëri mund të përballet me të shkuarën e saj? Ka shumë, përfshirë dhe historianë dhe ekspertë të fushës, që thonë se përballja me të shkuarën kërkon distancë kohore, që qëndrimet emocionale dhe përfshirja me çështjet e ditës, nuk na lejojnë që të përballemi objektivisht me një të shkuar komplekse dhe të dhimbshme.

 

Duke mirëkuptuar çdo person që sinqerisht i përmbahet një qasje të tillë, por jo ata që me këtë qëndrim fshehin dëshirën e tyre për të harruar të shkuarën, dua të them se ky nuk është qëndrimi ynë. Koha është tani, në mos ka kaluar. Zgjedhja e një rruge të tille është një mënyrë tjetër si bëhet kompromis me të keqen dhe padrejtësi ndaj viktimave.  

Jemi tashmë vonë në këtë përpjekje, ndërsa dëshmitarët e gjallë të përjetimit të vuajtjes janë duke u tretur nga dita në ditë, i kemi borxh viktimave dhe trashëgimtarëve të tyre që të mësojmë dhe njohim vuajtjen e tyre dhe të afërmve të tyre.

 

Çdo vonesë në këtë trajtim, siç e kanë përjetuar shumë vende që zgjodhën një qasje tjetër, përfshirë dhe Shqipëria deri më sot, sjell një kosto të lartë për gjithë shoqërinë.

 

Si do të mund të bëhet ky trajtim? Cili është pozicioni që mbeshtet qeveria shqiptare? Cila do të mund të jetë marrëdhënia mes praktikave të ndjekura nga një sërë vendesh dhe përballjes me të shkuarën faktike të komunizmit në Shqipëri?

 

Edhe në këtë çështje, mazhoranca është e dakordësuar për të ndjekur modelin më të mirë evropian në trajtimin e të shkuarës, të vendosur nga Komisioni Federal Gjerman për Arkivat e STASI-t, i quajtur ndryshe Komisioneri GAUCK, që mban emrin e Presidentit aktual të Gjermanisë, i cili edhe e drejtoi dhe e mbikqyri atë.

 

Tashmë ngritja e një Institucioni të tillë në Shqipëri bëhet i domosdoshëm edhe për shkak të faktit se, sipas informacionit paraprak, që mbi 14 mijë dosje, apo 1.5 milion fletëve të ruajtura në arkivën e Ministrisë së Brendshme dhe mijëra dosjeve të tjera në ruajtje në institucione të tjera shtetërore, nevojiten t’i nënshtrohen një procesi të plotë unikimi, ruajtje dhe procesimi që përfiton nga eksperienca më e mirë ndërkombëtare, dhe që i qëndron larg çdo amatorizmi apo shkeljes së ligjit në administrimin e tyre, në raste që tashmë janë bërë dhe publike.

 

Çdo viktimë e komunizmit dhe pasardhës i drejtpërdrejtë i tyre, ka të drejtën për të njohur të vërtetën. Kjo nënkupton të drejten për ëe hetuar dhe njohur çdo aspekt të dhunimit, të cilat mbeten ende të mbuluara nga fshehtësia arkivore, sipas praktikave më të mira gjermane dhe evropiane që garantojnë transparencë, paqen sociale, mbrojtjen e të dhënave personale dhe procesin ligjor.

 

Kjo transparencë nënkupton gjithashtu përgjegjësinë që çdo person që kërkon post publik në vend të bëjë të qartë publikisht asocimin e tij me të shkuarën komuniste përmes një procesi, i cili ka në thelb jo ndëshkimin përmes përjashtimit nga aksesi për të konkurruar, por detyrimin që t’ju japim besim institucioneve tona përmes transparencës përpara të gjithë votuesve apo strukturave politike emëruese.

 

Si një temë që besoj do të trajtohet më tej, tashmë ekziston një praktikë ligjore e mirë përcaktuar, mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, opinionet e shprehura nga Komisioni i Venecias si dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcakton kritere të qarta në trajtimin e çështjes se lustracionit larg. Çdo qëndrim tjetër i papajtuar dhe përditësuar me këto qëndrime të së drejtës ndërkombëtare dhe asaj kushtetuese përbën thjesht spekulim politik.

 

Kush do ta bëjë këtë trajtim? Më lejoni edhe për këtë të shpreh qartë vullnetin e plotë të Qeverisë për ta që këtë trajtim ta mbajmë sa më larg çdo përdorimi apo kontekstimi politik.

 

Edhe në këtë rast, qeveria shqiptare është e vendosur të respektojë praktikat më të mira, në ngritjen e një procesi dhe institucioni me integritet profesional dhe politik që do të ndëmarrë punën e vështirë dhe komplekse të mbledhjes, ruajtjes dhe përpunimit tëe gjithë dokumentit arkivor që ka të bëjë me përballjen me të shkuarën komuniste të vendit.

 

Ajo që ne propozojmë është ngritja e një institucioni të besueshëm, të drejtuar nga figurat më të respektuara në vend, që gëzojnë konsensusin më të gjerë të mundshëm, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë gjermanë dhe të vendeve tëe tjera, që do të mund të ofronin një ekspertizë të vlefshme në arkivimin dhe trajtimin profesional të këtij materiali.

 

Në mbyllje, jam i bindur se kjo tryezë sot është fillimi i një procesi kompleks që do të duhet të ndërmarrim duke i garantuar për gatishmërinë e qeverisë që të punojë me të gjithë ata që ndajnë së bashku me ne qëndrimin për nevojën për përballjen me këtë të shkuar. 

SHKARKO APP