Erion Veliaj, një portret i pautorizuar
Mero Baze.
Erion Veliaj dhe Halim Kosova do të përballen në një garë për Tiranën, si përfaqësues të dy partive të mëdha. i pari, një socialist i Edi Ramës dhe tjetri një doktor i rrethit të PD-së, janë zgjedhjet e kryetarëve të partive përkatëse për interesa të ndryshme. Njëri për të qeverisur Tiranën e tjetri për të kursyer ushtarët që ka në parlament.
Veliaj është një zgjedhje e Edi Ramës. Ai ka pasur një hezitim të gjatë për ta hequr ose jo nga qeveria, duke e konsideruar siç thoshte në biseda private “si ministrin më të aftë” të kabinetit të tij. Funksionimi perfekt me të në qeveri, arritja e disa reformave konkrete të mëdha, siç është ajo e pensioneve, ligji i dosjeve, përmirësimi i skemës së asistencës, ngulitja tek arsimi profesional, janë rezultate konkrete brenda më pak se dy viteve. Problemi është se të gjitha janë reforma në letër dhe periudha e zbatimit të tyre, nuk do të jetë më në dorën e atij që i prodhoi. Sidoqoftë komunikimi i Ramës me të duket se ka funksionuar njëlloj si në komunikimin politik dhe kjo i ka dhënë shanse kandidaturës së tij.
Lufta e brezave në PS dhe lufta brenda brezit
Kur mendojnë Bashkinë e Tiranës në duar të socialistëve, secili socialist në fakt ripërfytyron aty Edi Ramën dhe ky do të jetë problemi i madh i tij. Nga mënyra sesi Veliaj do t’ia dalë të jetë, një zbatues idesh i Ramës apo dhe vet një ideator, do të varet shumë pesha e tij në të ardhmen politike të socialistëve. Tani është në fazën klasike të betejës mes të ardhureve dhe vendalinjve në një parti. Në periudhën e përzgjedhjes ka pasur boll kundërshtime, të cilat më shumë sesa nga socialistët e vjetër, në fakt vijnë nga i njëjti brez socialistësh të promovuar prej Edi Ramës. Lufta e brezave në Partinë Socialiste është një luftë që ka kuptim mes socialistëve të Edi Ramës, nëse do t’i quajmë kështu socialistët e rinj të promovuar prej tij dhe socialistëve tradicionalë. Socialistët e vjetër, tradicional, të cilët kanë emblemat e tyre në parti, si Ruçi, Dokle, Xhafa, Braçe etj, në të vërtetë kanë qenë më të moderuar në hezitimet e tyre. Më të angazhuar duket se kanë qenë socialistët e rinj, të brezit Veliaj të cilët dashurinë e parë politike kanë Partinë Socialiste, dhe hynë aty, qysh sa hyri në zyrat e saj, Edi Rama. Distanca e tyre me Veliajnë që është „më vendali“ si socialist i Ramës dhe „më jabanxhi“ si socialist tradicional, me sa duket ende reflektonë rivalitetin që „Mjaft“-i Veliajt ka pasur dikur me atë parti, dhe që i kushtoi atij një dekadë më vonë për të hyrë në në oborrin e PS-s.
Për këtë arsye, e vetmja luftë brezash që ka kuptim në Partinë Socialiste, është ajo mes socialistëve që Rama ka promovuar dhe atyre që kanë gjetur në PS. Kurse lufta brenda brezit të Ramës është thjeshtë zhurmë.
Aktivizimi politik si vlerë dhe problem
Përtej kësaj, Veliaj mbetet një nga aktivistët politik më të suksesshëm në këto 25 vite, që ka arritur të ndërtojë një organizatë politike, të fitojë një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar, të thirret në Kongresin Amerikan për të dëshmuar për gjendjen politike në Shqipëri, siç ishte viti 2005, të marrë autoritet publik përmes medias dhe aktivizmit politik dhe pastaj të rreshtohet në politik. Është nga ato rastet e manualeve politike amerikane sesi duhet të bëhesh politikan, por që ka mundur të mbijetojë në një mjedis shqiptar.
Edhe në komunikimin personal me njerëzit ruan po ato veti. Ka një vëmendje të frikshme ndaj kujtdo që takon, një autodisiplinë për ta bindur njeriun që ka përballë se është duke e dëgjuar dhe një aftësi për ta zgjeruar rrethin e mbështetësve me stukturë kapilare të rëndomtë, duke i besuar fjalës së njëri-tjetrit.
Më ka rënë rasti ta shikojë në fushatën e vitit 2013 në Qarkun e Gjirokastrës, ku nga të pestë deputetët e listës, ishte i vetmi që ia doli të mos prodhonte asnjë armik deri në fund të fushatës dhe të bënte sikur ishte edhe bari dhe bujk, dhe gjirokastrit, dhe tepelens, dhe përmetar. Një aftësi kjo e njerëzve që e kanë politikën profesion.
Por këtu janë dhe akuzat më të mëdha ndaj tij. Kritikët e sulmojnë si njeri formal, që aktron dhe nuk ka vëmendje reale ndaj atij që ka përballë. Shumë kritikojnë aftësinë e tij për të bërë gjeste populiste, siç ishte në fillim të punës si ministër, marrja e një fëmije rom në makinë dhe çuarja e tij në spital. Në të vërtetë, për një shoqëri të pamësuar shumë me simbolika politike, artificiale ngjajnë, edhe pse Veliaj i bën ato thjesht si pjesë e disiplinës së tij për të qenë njeri politik.
Një përpjekje e tij për të qenë më i vërtetë sesa i disiplinuar sipas “manualit” do ta bënte ndoshta më të pëlqyer.
Një tjetër dyshim real për të është klientelizmi dhe aftësia për të eleminuar armiqtë e mëdhenjë që i shfaqen përpara, përmes marrëveshjeve. Ai është njeriu, tek i cili mos vendos asnjë bast për ata që ka armiq. Nesër mund t’i shohësh si miq të tij dhe kjo e bën atë pak më të ftohtë me grupe radikale, qoftë të majta brenda partisë së tij, qoftë dhe grupe të shoqërisë civile të fokusuar tek çështje të veçanta. Mos prisni që ai të jetë një hero kundër ndërtuesve të pangopur, apo grupeve klienteliste, por as mos prisni që ai të ketë axhendën e tyre. E vetmja frikë reale që ekziston është, që të gjithë të ndjekin axhendën e tij duke qenë sërish në lojë.
Por sfida reale e tij do të duket gjatë fushatës, kur ai të shpalosë programin e vet. Ai është dikush që bëri disa gjëra konkrete kur ishte ministër dhe ka një aftësi magjepsëse në raport me të huajt, duke i bindur ata me lehtësi për çdo inciativë të tij. Për tre muaj arriti fjalal vjen të gjej donatorë për Shkollën teknike të Kavajës në Golem, themeluar nga amerikanët që ua la „përsëri në derë“. Po ashtu siguroi asistencë gjermane për dosjet, fonde për arkivën e sigurimeve, finacime për reformën e pensioneve etj.
Dhe kjo në fakt është meritë e tij personale në raport me të huajt, meritë që tejkalon disa herë arrogancën e Edi Ramës, që kur nuk u pëlqejnë bashkëbiseduesit, mund tu vërë dhe këmbët mbi tavolinë apo të luajë me sms, ose të vizatojë zogj.
Këtë aftësi mund ta përdor për Tiranën dhe sidomos për disa projekte jetike të saj në transportin publik, natyrisht nëse gjen një fjalë të re për tramin, që të mos bëhet qesharak si Basha.
Jeta personale si objekt sulmi
Veliaj i ka ngjarë Ramës dhe në fatin që ka, që të bëhet objekt sulmi për jetën personale. Ndryshe nga Rama, që është njeri që ka pasur një jetë anarkisti dhe dhe me plotë skandale, shumicën e të cilave i vetëprodhon, Veliaj është në qendër të vëmendjes për të kundërtën, nga mania për tu dukur i rregullt, i kompletuar, familjar dhe njeri që respekton nënën e vet.
Jeta e tij personalë ka qenë shumë e sulmuar sidomos pas dasmës. Një dasmë, e cila kishte teprim, faktin që dasmorët i ftonte deri në jug për tu martuar në një kala, por që nuk ishte as dasma e parë dhe as e fundit që bëhej.
Nga ana tjetër lidhja e tij e fortë me nënën bëhet shpesh objekt humori, derisa i kujtojnë që i ka paguar dhe dasmën. Në të vërtëtë nëse kthen kokën pas, ai është një fëmijë i rritur thuajse jetim, pasi e ka lënë babai në një moshë të mitur, është detyruar të iki në emigracion më të ëmën dhe ia ka dalë të vetëshkollohet në Perëndim me punën e tij, ndryshe nga një sërë shokësh të brezit të tij, për të cilët kanë paguar prindërit, siç paguaj unë për fëmijët e mi. Kjo në vend që t’i quhet vlerë, ia marrin për një dimension fëminor si djalë mamaje.
Kur vjen puna tek dasma e tij, të gjithë u foksuan tek kalaja ndërsa fjala vjen Gert Bogdani, një ish mik i tij i “Mjaftit” tashmë demokrat, ishte martuar në Kalanë e Porto Palermos, madje duke shkuar nga deti me jaht, por s’e përfoli askush.
Beteja për Tiranën përballë kundërshtarëve
Dy kundërshtarët e tij janë njëri një doktor i njohur, i cili ka mbështetjen e PD-së dhe tjetri një menaxher i njohur, që vjen prej politikës që ka humbur mbështetjen e PD-së për shkak të disidencës politike. Halim Kosova është një emër që është lakuar për Bashkinë e Tiranës, në emër të PD-së prej vitit 2003 dhe më në fund ia doli të kandidojë në vitin 2015. Ka qenë gjithnjë një kartë rezervë e PD-së nga shoqëria civile, për tu përballur me kundërshtarët e PD-së. Është popullor për shkak të profesionit si gjinekolog dhe shpreson të mos ketë asnjë armik deri në fund të fushatës.
Bojaxhiu nga ana tjetër, merr përsipër në këtë garë të sfidojë drejtuesit e PD-së që e lanë jashtë liste, se mbështeti Olldashin në garën për kryetar dhe u hidhëruan nga qëndrimet kritike të tij. Ai shpreson të mobilizojë elektoratin gri të Tiranës, të zhgënjyerit nga të dy palët dhe të formojë një biografi politike për të ardhmen e tij.
Veliaj është kandidati që i krijon probleme nga e majta, pasi ata kanë një spektër të ngjashëm të grupeve të interesit që i mbështet. Shumë njerëz të Mjaftit që janë në PS dhe rrotull saj, mund të ishin sot votues të Bojaxhiut, sikur Veliaj të mos ishte kandidat. Kjo ishte ndoshta dhe një nga epërsitë, që Bojaxhiu i krijoi Velijat për kandidat. Sidoqoftë nga ana politike, nuk mund të ketë fushatë mes Veliajt dhe Kosovës. Më shumë mund të ketë mes tij dhe Bojaxhiut, sidomos dhe për projekte konkrete. Sondazhet e deritanishme e ndajnë në dy pjesë elektoratin e djathtë, mes Bojaxhiut dhe PD-së. Dhe kjo mund të jetë fushata më pa debate mes dy palëve, pasi Veliaj mund të quajë secilin prej tyre të rëndësishëm. E gjithë kjo, nëse nuk hyn në lojë Doktori tjetër i PD-së, ai që nuk mund të duroj dot pa thënë, “këtu jam unë”. Pastaj do jetë më qartë dhe më e lehtë.