Ervin Salianji letër Ambasadorëve dhe Eurodeputetëve: Mos u bëni dëshmitarë të vendosjes së një regjimi të ri në Europë

Deputeti i PD Ervin Salianji, i burgosur me 1 vit nga Gjykata me formë të prerë për dosjen “Babale”, me akuzën “kallëzim i rremë”, u ka dërguar një letër nga Burgu i Fierit, ambasadave perëndimore në Tiranë dhe eurodeputetëve në Parlamentin Europian, anëtarë të MSA-së, që ndodhen sot (29 Tettor) në kryeqytet.

Lajmin e ka bërë me dije zyra e Partisë Demokratike, teksa thekson se ndërsa grupi i eurodeputetëve ndodhet në Tiranë, do takohen edhe me deputetin socialist Fatmir Xhafaj, “për denoncimin kundër vëllait trafikant të të cilit u dënua Salianji”.

Salianji thekson se gjithashtu sot skadon dhe afati i zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit- vonesë që e bën edhe më të dyshimtë këtë gjykatë që operon në kufijtë ekstremë të ligjit- “ç’ka do të lejonte mbrojtjen e tij të niste ankimimin kundër vendimit”.

Në letër Salianji thekson detajet e procesit të montuar politikisht ndaj tij, dhe sqaron përfaqësuesit e shteteve perëndimore, aleatë të Shqipërisë, se “kryeministri, njerëzit pranë tij dhe segmente të tij u bënë bashkë kundër denoncimit të tij, për një të dënuar për trafik droge në Itali, dhe burgosën dhe ndëshkuan denoncuesin, deputet i partisë më të madhe opozitare”.

Salianji këtu thekson ‘si rast të pahasur më parë’ se trafiku ndërkombëtar i drogës bëri bashkë kaq shumë segmente të shtetit.

Deputeti opozitar rreshton të gjithë indiciet e përfshirjes së kryeministrit dhe të tjerëve procesin kundër tij. Si dhe një kronikë të plotë të ngjarjes që çoi në dënimin e tij, duke renditur “edhe provat shkencore që nuk u morën parasysh nga prokuroria dhe gjykata”.

Nënkryetari i grupit parlamentar, në mbyllje të letrës e thekson si politik, procesin dhe dënimin, edhe për faktin se gjithçka ndodhi në prag të zgjedhjeve parlamentare, kur ai ishte caktuar si i deleguar politik i PD për qarkun e rëndësishëm të Elbasanit, dhe kur vinte pas dy rezultateve pozitive, një në qarkun e Korçës dhe nga një fitore në bashkinë e Kavajës.

Në mbyllje, Salianji u kërkon ambasadorëve dhe eurodeputetëve që të mos bëhen dëshmitarë të vendosjes së një regjimi të ri në Europë.

Bashkë me letrën, përfaqësuesve të huaj u është dërguar edhe kronologjia e plotë e ‘dosjes Xhafaj’.

 

SHKARKO APP