Është koha që Albini të vendosë!
Dritan Hila-
Perëndimorët kanë bërë një kërcënim të hapur ndaj Kurtit, të ngjashëm me atë të Rambujesë, ku mungon fjala bombardim. I gjithë problemi i qëndrimit të Kurtit është se ai nuk po shfaq asnjë plan B për të zgjidhur krizën e komunave serbfolëse, përveç instalimit të komunarëve shqiptarë.
Në këtë moment Kurti dhe Kosova janë shumë afër humnerës. Nëse ai nuk ka një plan të koordinuar me segmentet që marrin vendime dhe ndikojnë në Shtëpinë e Bardhë apo me Britaninë; apo nëse mendon që të ripërsërisë historinë e UÇK-së e cila në fillim ishte klasifikuar “organizatë terroriste” e më pas u bë aleat i SHBA-së, atëherë ka një problem të madh moskuptimi të historisë.
Në variantin e parë, nëse nuk është udhëzuar nga ata që quhen Deep State, atëherë është treguar aventurier i madh. Nëse mendon që me kalimin e kohës Perëndimi do të bjerë në mendjen e tij siç dikur ndodhi me UÇK-në, gabon, pasi kushtet nuk janë të njëjta. Kosova nuk kishte çfarë humbiste në ‘98-ën, kurse në 2023-in ka shumë për të humbur.
Historia e UÇK është nga ato raste kur mijëra rrethana konvergojnë në një vijë: Me një Perëndim të lodhur nga masakrat serbe, një Milosheviç të lodhshëm në pelivanllëqet e tij dhe me një popull të dëshpëruar si ai shqiptar që nuk kishte se çfarë humbiste, nuk janë të njëjta sot, kur përballë masakrave në Ukrainë, Vuçiçi duket engjëll. Pa harruar se burrat e shtetit të asaj kohe nuk ishin si këta të sotmit.
Paralajmërimi i aleatëve perëndimorë hodhi poshtë hamendësimin tim që Kurti mund të shfrytëzonte rastin që aleatët e Serbisë i kishin duart e zëna. Mesa duket edhe Perëndimi dhe aleatët e Kosovës i kanë po ashtu të zëna dhe nuk duan aspak telashe që e shpërqendrojnë në prapavijë. E thonë qartë këtë. Kosova sot është një gur i vogël fare në hartën e madhe. Kurti duhet të tërhiqet dhe marrë maksimumin në këto momente. Ndoshta ai ka pasur informacion për çarje brenda aleancës perëndimore përsa i përket Kosovës.
Por një video e fundit e Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, që ngatërronte Belgorodin (Rusi) me Beogradin, dhe nuk e kishte idenë se në Belgorod po bëhej luftë diversioniste e ukrainasve në territor rus, kurse në Beograd protesta kundër Vuçiç, janë tregues se vetëm amerikanët janë të qartë se çfarë po ndodh në botë dhe vetëm ata kanë politika dhe komandojnë. Ndaj nëse duhet marrë seriozisht në këtë moment është Escobar.
Dështimi i Escobar për të vendosur paqe mes Kurtit dhe Vuçiçit mund të shkaktojë tërbimin e tij. Dhe inatet e emisarëve perandorakë kanë shpërbërë shtete shumë më të mëdha se Kosova. Nëse KFOR-i tërhiqet nga Kosova, ka për të qenë një vendim dramatik që një hap na ndan nga lufta, pasi Serbia mund të fusë trupat me pretekstin për të mbrojtur serbët. Motamo si Putini në Krime. Dhe askush nuk u ndie.
Këto të gjitha janë skenarë hipotetikë, por kush e mendonte luftën në 23 shkurt të 2022-shit? Nëse Albini do luftën e tij që të quhesh burrë i madh shteti, ky nuk është rasti i shteteve liliputë si Kosova dhe as dëshira e shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Nëse Kurti mendon që më e shumta që mund ta gjejë atë është kthimi në opozitë, e ka gabim. Asgjë nuk ka për të qenë si më parë për askënd. Ish-komandantët e luftës përfunduan në Hagë për akuza false. Një “non-grata” amerikane për Kurtin do ketë pasoja akoma më të rënda, por duke lënë pas një Kosovë më keq se një protektorat.
Sot jemi në një moment që skenarët po lëvizin me shpejtësi. Kërcënimi perëndimor (amerikan) thjesht i vuri vulën çdo hamendësimi shpresës se mos në atë bllok ka të çara. Nuk ka asnjë turp nëse Kurti tërhiqet. Kuje është të humbasim Kosovën.