Europa, armike e vetvetes

 

 

Po vërehet dramatikisht mungesa e një politike të jashtme të përbashkët. E një sistemi mbrojtjeje të përbashkët, i mbështetjes së tij të nevojshme, e cila ama sjell disa kosto: mbrojtja nuk është falas, falas është vetëm demagogjia e atyre që thonë se çdo euro e shpenzuar për mbrojtjen ushtarake është një dhuratë për ndonjë lobi të errët, nga para që i hiqen kushedi se cilit shërbim social. Europa nuk di çfarë të bëjë me skafistët e paskrupujt, të skllavëruesve që zotërojnë detet

 

Është lënë për nesër një takim i jashtëzakonshëm i Bashkimit Europian, pasi Mesdheu është kthyer në një varrezë masive. Por qoftë i jashtëzakonshëm me të vërtetë! Dhe operativ menjëherë…I koordinuar pa xhelozi, revanshe, ekskluzivizma, manovra sa për sy e faqe.

 

Të përshtatet me kostot ekonomike që kërkojnë domosdoshmërisht operacionet e përballimit ndaj një drame të tillë. Të jetë realist në përcaktimin e objektivave urgjente. Dhe të jetë serioz, mbi të gjitha serioz, në përvijimin e një strategjie që të jetë në gjendje t’i bëjë ballë kësaj zhvendosjeje gjigante të popujve të dëshpëruar që ia mbathin nga masakrat e luftërave mizore dhe të pamëshirshme, tragjedi në të cilën përfshihet kryesisht popullata civile.

 

Duhet thënë një fjalë, qoftë edhe një fjalë e vetme pas vitesh të tëra me indiferencë të madhe për atë që po ndodh në Siri dhe Irak. Një Europë pa gojë dhe memece, e paaftë të ketë një qëndrim unik, në pritje hipokrite për të parë se çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara.

 

Nëse Europa nuk e tregon të enjten se di të veprojë në mënyrë të jashtëzakonshme, më pas do të jetë e kotë ta kemi inatin me eurofobikët, me antieuropianët: sepse armikja e parë e Europës do të jetë pikërisht Europa, një Bashkim Europian që nuk di më se ç’të bëjë kur qindra, mijëra njerëz vdesin në det duke u përpjekur që të afrohen pranë brigjeve të saj për të shpëtuar.

 

Përgjegjësit e Bashkimit Europian ndoshta as që e imagjinojnë se sa shkatërruese është për kontinentin tonë ai spektakël njerëzish, grash dhe burrash të përpirë nga deti. As që e imagjinojnë se sa dëshpëruese është pafuqia e shfaqur përballë çështjes së Libisë, vetëm pak vjet pas provës së dështimit në ish-tokën e Gedafit.

 

Çfarë ka bërë Europa deri tani për ta ndalur kasaphanën që ndodh në det, por mbi të gjitha, çfarë ka bërë për të kuptuar se përse ndodh një eksod kaq i madh? Bëjmë gjithnjë sikur nuk shohim. Shpresojmë gjithnjë që për ndonjë çështje shansi, gjërat të ndreqen papritmas vetë. Kemi gjithnjë besim se dikush tjetër (te Shtetet e Bashkuara natyrisht) do të mund të lëvizë në vendin tonë.

 

Po vërehet dramatikisht mungesa e një politike të jashtme të përbashkët. E një sistemi mbrojtjeje të përbashkët, i mbështetjes së tij të nevojshme, e cila ama sjell disa kosto: mbrojtja nuk është falas, falas është vetëm demagogjia e atyre që thonë se çdo euro e shpenzuar për mbrojtjen ushtarake është një dhuratë për ndonjë lobi të errët, nga para që i hiqen kushedi se cilit shërbim social. Europa nuk di çfarë të bëjë me skafistët e paskrupujt, të skllavëruesve që zotërojnë detet.

 

E jo më të përpunojë një linjë të përbashkët dhe sjellje koherente, edhe shumë të mundimshme, për të ndihmuar kurdët që luftojnë kundër fanatikëve islamistë, kundër Asadit që nga njëra ana është aleat, por nga tjetra është një kasap që ka shkatërruar një popull të tërë dhe ka vrarë dhjetëra mijëra civilë.

 

Corriere della Sera

 

 

SHKARKO APP