Evropa ime – G20-ta dhe të tjerët
Nga Jagoda Marinic/Në qoftë se ne vazhdojmë të jetojnë si për momentin, kemi nevojë për të paktën 1,5 planete Tokë. Për këtë janë kryesisht përgjegjëse vendet që takohen tani në Hamburg në kuadër të G20-ës. Megjithatë për t’u shfrytëzuar shfrytëzohen burimet e të gjitha vendeve. Një ligj mbrojtjeje të konsumatorit për planetin Tokë do të ishte i nevojshëm, një lloj kufiri për lakminë si të thuash. Në vend të kësaj, zhvillohet një samit i konsumuesve, që nxjerr nga burimet e planetit kapital maksimal. Për disa vendimmarrës edhe njerëzit që banojnë në këtë planet janë vetëm një nga shumë burime, të cilët mund të shndërrohen në të holla. Megjithatë zyrtarisht thuhet se po bëhen përpjekje për të krijuar një botë më të mirë. Më të mirë për kë, në fakt?
Asgjë nuk do të ndryshojë që dhjetëra gazetarë, aktivistë dhe shkencëtarë theksojnë me këtë rast edhe një herë qartë se sa fëmijë vdesin çdo minutë në botë, sepse nuk kanë asgjë për të ngrënë. Po ashtu asgjë nuk do të ndryshojë duke përsëritur edhe një herë se sa për qind e pasurisë është e shpërndarë si. Një tipar qendror i shoqërive demokratike në shekullin XXI është bërja e veshit të shurdhër në rastin e tretjes së lajmeve të këqia – dhe një ndjenjë pafuqie kundër Goliathit.
Kjo pafuqi bën që Davidi as nuk del më në fushën e betejës. Kjo histori e madhe që i ka inkurajuar njerëzit gjithmonë për të mos u strukur nga lufta kundër të mëdhejve dhe të fuqishmëve, nuk na ushqen më. Besimi se Davidi mund ta mposhtë Goliatin është zhdukur. Por pikërisht ato shtete për të cilat merren pa i pyetur fare vendime në samite të tilla, do të ishin Davidi, për të cilin do të kishte nevojë kjo kohë që të mundte Goliatin.
Në kërkim të pikës së dobët
Protesta e besueshme ka nevojë për përvojën dhe qëndrimet e humbësve të globalizimit, pa marrë parasysh brenda apo jashtë Evropës. Ata do të ishin forca që do të duhej tani për ta shndërruar protestën difuze në lëvizje politike. Kundërshtarët e këtij sistemi kanë dy dekada që nuk po mundin ta gjejnë pikën e dobët ndaj së cilës kritika e tyre mund të çonte në ndryshime konkrete në kushte reale.
Në vend të kësaj të fuqishmit e konsiderojnë protestën si një variable të kontrollueshme në sistemin e përgjithshëm. Sistemi ka nevojë për protestën madje, për t’u shitur si i hapur. Protesta lejohet të prishë madje një ngjarje e madhe – por ajo nuk duhet të shkatërrojë vetë sistemin. Forca gjithëpërfshirëse politike mungon, dhe ajo nuk mund të zëvendësohet si tani në Hamburg, me forcë brutale.
Protesta si zbukurim
Dikur punëtorët dilnin masivisht në rrugë dhe politikanët kishin frikë nga trazirat sociale të së nesërmes. Kurse të pasurit e sotëm duartrokasin për diversitetin e mendimeve dhe pastaj vazhdojnë punën sipas motos business as usual. Por diversiteti i mendimit nuk është një dekoratë për konstelacionet e derdhura në beton të shpërndarjes së të mirave në botë. Ne nuk e shprehim mendimin tonë, për të festuar lirinë e shprehjes si të tillë, por sepse duam një ndryshim.
Demokracitë perëndimore e kanë shfuqizuar protestën. Me protestat e dhunshme është paradoksalisht më e lehtë: vepra penale është pastaj natyrisht më e fortë se padrejtësia ndaj së cilës drejtohet protesta. Kur punëtorët dilnin shekullin e kaluar në barrikada, ata luftonin për diçka konkrete, siç është dita 8-orëshe e punës. Po sot? Sot luftohet kundër marrëdhënieve abstrakte komplekse. Dhe nuk kërkohen masa konkrete për rrethanat që dëshirohen. Ky ishte rasti me Occupy, fati i Indignados apo i Nuit Debout. Por kush nuk bën kërkesa konkrete, kthehet në një skulpturë shoqërore për të cilën të plotfuqishmit mund të thonë: shikoni demokracitë mund t’i lejojnë të gjitha, shih sa i lirë është Perëndimi!
Takimet jozyrtare gjithnjë e më të rëndësishme
Vendet e lëna pas dore dhe të shfrytëzuara prej këtyre fuqive ekonomike janë ato që mund të ndihmojnë për të formuluar këto kërkesa konkrete. Në Hamburg takohen vetëm disa liderë të zgjedhur të vendeve evropiane. Aty janë zyrtarët e pazgjedhur të BE-së Tusk-u dhe Juncker-i. Vendet e Evropës të cilave nuk ua vënë shumë veshin brenda BE-së nuk janë aty. Kursi i politikës së ardhshme botërore vendoset në takime joformale. Dhe Trumpi shënon përsëri pikë tek ata që ndihen të lënë pas dore, për shembull në Poloni, e cila natyrisht nuk e ka mbushur ende moshën ligjore të mjaftueshme që të lejohet të marrë pjesë në G20. Kurse për Trumpin Polonia është tani zemra e Evropës.
Vendet e Evropës nuk duhet ta lënë veten të instrumentalizohen. Evropa duhet të jetë një zemër. Kjo ndjenjë uniteti rrezikohet në samite të tilla ekskluzive. Vendet më të fuqishme të BE-së negociojë në Hamburg me Kinën për të ardhmen e Europës dhe në këtë mënyrë dhe të vendeve më pak të fuqishme të BE-së, pa u dhënë mundësi të shprehen aktorëve të zgjedhur të vendeve në fjalë. Oh, sa e lehtë është demokracia në kohën e globalizimit.
Sulme nga periferia
Listat për padrejtësitë e kësaj bote, për mbishfrytëzimin e planetit në favor të pakkujt e paralizojë Evropën. Shpërndarja e padrejtë e pasurisë çon në humbjen e solidaritetit. Duhet hartuar sërish një internacionale dhe kujtuar humanizmi. Spektaklit të përqendrimit të pushtetit qytetarët e botës duhet t’i kundëvihen me diçka. Njeriu nuk ekziston për ekonominë. As ky planet.
Po përse ekzistojmë ne? Përgjigjet për këtë duhet t’i prezantojmë sa më shpejt të jetë e mundur ndaj këtij rendi botëror në dukje të betonuar. Një fillim do të ishte që samiti i G20-ës që mendon se mund t’i zgjidhë problemet e botës, pa ata që janë të prekur, të sumohej nga periferia.
Jagoda Marinic është një shkrimtare gjermano-kroate, autore e teatrit dhe gazetare. Prindërit e saj kanë ardhur si emigrantë kroatë në Gjermani. Aktualisht ajo jeton në Heidelberg. Së fundmi u botuar romani i saj, „Made in Germany – çfarë është gjermane në Gjermani?” DW