Faik Konica i fshikullonte “analfabetët me diplomë”, stop bastardimit gjuhësor
Nga ALBINA GJERGJI*
“Gojështhurja ka marrë përmasa të frikshme”, flet gjuhëtari i njohur, akademik dhe profesor në Departamentin e Gjuhësisë, Gjovalin Shkurtaj
“Po të ishte gjallë i ndjeri At’ Anton Harapi, me siguri do të thoshte “na mbuloi hordhëku”, por më tepër do të brengosej sovrani i letrave shqipe Faik bej Konica, i cili qysh në kohën e vet fshikullonte “analfabetët me diplomë”. Kështu shprehet për “evolucionin” e shqipes, gjuhëtari i njohur Gjovalin Shkurtaj, njëkohësisht edhe profesor në Katedrën e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë, i cili thekson se po të vazhdojë kjo “stuhi” anglofile nuk do të jetë e largët dita kur edhe Klubin e Selanikut do të na duhet ta shqiptojmë të “modernizuar” në Kllëbi i Selanikut. Në intervistën e dhënë për gazeten “Panorama” (suplementi “Studenti”), ai kritikon ashpër shtrembërimet gjuhësore, të folurën e deformuar, si dhe gabimet trashanike gati-gati analfabeteske dhe jo vetëm të studentëve, mediave, apo individëve të ndryshëm, por edhe atë të pedagogëve, që sipas tij kanë filluar ta “anglishtëzojnë” gjuhën e bukur shqipe.
Profesor, gjatë një bisede që patëm me studentët, vumë re që nuk janë të pakta deformimet që ata i bëjnë gjuhës shqipe, zhargonet që përdorin, apo shkurtimet e fjalëve. Sa dhe si ndikon në gjuhën shqipe ky fenomen profesor?
Universitetet, qysh kur janë krijuar e deri në ditët tona, kurdoherë kanë qenë të hapura edhe për prurjet ditunore nga bota, për hir të të cilave, sigurisht, gjithmonë kanë ardhur e do të vijojnë të vijnë edhe fjalë, terma e mënyra të thëni tipike për botën universitare, për leksematikën e profesoratit dhe madje, deri për “zhargonin” e profesoratit dhe të studentëve. Pra, zhargonet janë pjesë e ligjërimit të përditshëm, jozyrtar, kryesisht në mjedise e rrethe miqësore të ngushta. Ato kalojnë me zhvillimin e pjekurinë e të rinjve, ashtu si sëmundjet e moshës së re, si fruthi a kolla e mirë.
E dëmtojnë qoftë dhe tërthorazi shqipen?
Tek zhargoni i të rinjve (pra, siç e shpjegova më lart) nuk shoh ndonjë rrezik të shqipes. Rrezik e problem jo të vogël përbëjnë disa mënyra të thëni të panatyrshme dhe të panevojshme, që po shtohen si sëmundje ngjitëse në ligjërimin e mediave, si pë shembull mëngjesin e së hënës, mbrëmjen e së shtunës, mesditën e së dielës, etj. (në vend të formës sërregullt e për së mbari, përkat: të hënën në mëngjes, të shtunën në darkë, ose në mbrëmje, të diel në mesditë, etj.).
Po literatura që kanë në përdorim studentët, në ç’nivel është nga ana e rregullave dhe normave gjuhësore?
Gati të gjithë jemi kapluar nga dëshira për t’u dukur si të huaj, për të shkruar e folur, sipas etnografisë së komunikimit “modern”, qoftë edhe kur kjo bie në kundërshtim me rregullat e mirënjohura të shqipes. Nuk kam pasur e nuk kam ndonjë kundërshtim me atë politikë, sepse në thelbin e vet, ideja që shqiptarët të dinë sa më mirë anglishten dhe gjuhët e huaja të Evropës është e mirë, porse mendoj se do të ishte mirë që të dinin edhe gjuhët e fqinjëve. Gjithashtu nuk mund të mos e them sot se, ndërkaq nuk i është dhënë kujdesi e vlerësimi që meriton gjuhës shqipe. Disa nga emërtimet e reja për të jetësuar shndërrimet e prirjen drejt modernizimit të studimeve universitare kanë sjellë edhe shumë terma të huaj të panevojshëm, shumë slogane e mënyra të thëni të huaja, ose të kalkuara keq prej anglishtes, të papërshtatshme për natyrën e morfosintaksës së shqipes.
Ndonjë shembull konkret profesor?
Për shembull, “dega” u bë “departament”, “jetëshkrimi” u bë “cv” dhe “curriculum vitae”. Edhe “master”, që me aq gëzim e kemi përqafuar si term i gradimit “modern” nuk është tjetër, veçse “mjeshtër e shqipes”. Në shumë prej librave shkollorë, si dhe në botime të tjera, po shtohen fjalt` e termat e huaj q` mund t` thuheshin edhe shqip si; “kurrikula”, “informacioni selektiv”, “komponentët”, “diversifikimi rajonal”, “frustracion”, “support”, “fokusoj”, etj.
Ky quhet “purizëm” gjuhësor?
Jo, nuk po flasim për “purizëm” gjuhësor. Pra, nuk po themi të shkruajmë dhe shkronjë për gjeografi. Natyrisht, as gjithë mësimet për Universitete, sikundër patën ideuar e ëndërruar Rilindasit, por së paku një qëndrim normal gjuhëruajtës e gjuhëmbrojtës universitetet duhet ta kenë si detyrë të përhershme.
Që duhet të nisë nga pedagogët… (?)
Po. Pedagogët, jo vetëm ata që merren me gjuhësi e filologji, por të gjithë, të cilësdo disiplinë shkencore qofshin, ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe duhet ta kemi njësoj detyrë.
Disa studentë të Universiteteve tona ankohen për literaturën që u serviret, pasi sipas tyre janë të mbushura me gabime ortografike, kuptimore dhe sintaksore…
Ka shumë gabime e thyerje të palejueshme të normës drejtshkrimore në botimet universitare, në tekstet dhe doracakët e ndryshëm ka shumë libra të përkthyer ndonjëherë me ngut dhe me mungesa të pafalshme, aq sa, ndokush me të drejtë i ka ironizuar me cilësimin ad hoc, “përckthime”. Ndërkaq, nuk mund të mos e vëmë re se, tashmë ka edhe një kategori pedagogësh, kryesisht të rinj, duke qenë nën trysninë dhe modelin e gjuhëve të huaja, posaçërisht të anglishtes kanë filluar të mos e ndjejnë se shqip duhet Tiranë, 2009 (dhe jo Tirana 2009), vizita e Bush-it (dhe jo vizita e Bush).
Për të qenë edhe më konkretë, cilat janë disa nga prirjet më negative që vihen re në gjuhën shqipe?
Në fushën e drejtshqiptimit, natyrisht, përveç shqiptimit e leximit në mënyrë gati analfabete ndeshim edhe prirje të dëmshme, që ndoshta po të veprojmë me ngut e forcë “mund t’ua presim turrin”. Nga më të shëmtuarat, por edhe nga më të mundshmet për t’u përgjithësuar është prirja veskeqe për të shqiptuar shkronjat e alfabetit të shqipes sipas mënyrës së gjuhëve të huaja, sidomos duke imituar spellingun e anglishtes dhe të italishtes. Ka një jetë që shqiptarët ishin mësuar të thoshin FBI-ja, njësoj si SMT-ja, etj., mirëpo folësit e disa prej mediave të sotme elektronike kanë filluar t’i “modernizojnë” këto shqiptime dhe shpesh e më shpesh po dëgjojmë të shqiptohen: eFBiaI, BiBiSi dhe, sidomos, e urryera CiVi. Gjithashtu edhe prirja për ta shqiptuar “u-në” e huazimeve si në angloamerikanishten. Gjithmonë e më dendur në vend të “klub” në radiotelevizionet tona, por edhe në mjediset universitare ka bulëzuar prirja për ta shqiptuar “kllëb”. Po të vazhdojë kjo “stuhi” anglofile, nuk do të jetë e largët dita kur edhe Klubin e Selanikut do të na duhet ta shqiptojmë të “modernizuar” në Kllëbi i Selanikut, ndërsa për fjalën Republikë, me siguri duke ecur pas shqiptimit të PUB > Pab, do t’u duhet shqiptarëve të thonë edhe Repablika.
Shumë gabime hasim edhe nëpër emërtime rrugësh, institucione shtetërore, sheshe… në përgjithësi tek mjetet e komunikimit masiv… Si duhet parandaluar kjo rrymë degradimi?
Shqipja është gjuhë e shtetit, e institucioneve shtetërore dhe e mjeteve të komunikimit masiv në Republikën e Shqipërisë dhe në hapësirat e tjera etnike e kombëtare shqiptare, megjithatë nuk mund ta fshehim se ka rënë disiplina gjuhësore e shtetit dhe kjo duket edhe në praktikën shkrimore e botuese. Po, ka shumë fjalë të huaja të panevojshme, ka gabime të shumta drejtshkrimore të pafalshme në shtyp, në botime dhe deri në librat e shkollave. Ka gabime të panumërta e të pafalshme deri në burokracinë universitare: në regjistrat, amzat, diplomat, dëshmitë etj. dhe deri në dokumentet zyrtare të dhënies së gradave e titujve më të lartë. Rrugët e sheshet janë me mbishkrime të shkruara me gabime trashanike. Gojështhurja ka marrë përmasa të palejueshme.
Lidhur me pyetjen që me drejtoni, mund t’ju them që, po të ishte gjallë i ndjeri atë Anton Harapi, me siguri do të thoshte “na mbuloi hordhëku”, por më tepër do të brengosej sovrani i letrave shqipe, Faik bej Konica, i cili qysh në kohën e vet, fshikullonte “analfabetët me diplomë”. Gjuha shqipe është palca e kombit shqiptar. Kush ruan gjuhën e vet i bën nder atdheut dhe breznive të njerëzve të ditur, që kemi për detyrë t’i formojmë në universitetet tona.
***********************************************************************************
E folura e përditshme tek studentët femra
Të mbledhur në grupe nëpër korridoret e Fakultetit shumë prej studentëve pranuan të ndanin me ne bisedat mes miqve të tyre. Ja ç’na tregon një vajzë studente e degës së Gjuhë-Letërsisë.
“Personalisht nuk e shoh si diçka negative përdorimin e zhargoneve. Madje nuk më vjen turp t’ju them që fjalët që përdor më shumë me të dashurin tim janë: “piti ime, të puç folt”, “natën xhemla ime” “të kam xhog”, etj. si këto. Ndërsa e pyetur se si mund të jetë një dialog I zakonshëm mes shoqesh ajo thekson që, “ka raste ku i drejtohemi njëra-tjetrës edhe me fjalë të pista, por kuptohet që nuk e kemi seriozisht”. Kështu rrëfehet njëra nga studentet e Gjuhë-Letërsisë, e cila duke parë hezitimin e shoqeve për t’u shprehur nuk pranonte të jepte as inicialet e emrit të saj. Por ndryshe nga ajo, një tjetër studente e po kësaj dege nuk arrin ta konceptojë dot se si mund të përdoren fjalë të tilla në biseda, sado të afërt qofshin këta persona, përballë, apo në anën tjetër të telefonit. “Nuk arrij ta imagjinoj se si mund të flas me miken time, apo qoftë dhe me të dashurin tim në këtë mënyrë. Gjuha shqipe ka plot fjalë të bukura, të cilat mund të shprehen qartë me plot domethënien e tyre. Personalisht mendoj se këto zhargone e degjenerojnë gjuhën tonë dhe në mënyrën më absolute ta pasurojnë atë”, përfundon studentja me inicialet E.L.
E folura e përditshme tek studentët meshkuj
Kur vjen puna për të folurën e përditshme të studentëve meshkuj, duhet të kursehemi pak edhe në shkrim, pasi ajo përveçse është një e folur me epitete “të fortish”, në shumë raste degradon me fjalë të pista dhe tepër të rënda.
Studenti F.N tregon epitetet, me të cilat thërret miqtë e tij kur duan të shkojnë diku. “O Daku, o Lali, O Bobi” janë fjalët që përdor më shpesh me shokët e mi, ndërsa kur dua të thërras ndonjë shok që është i shkëlqyer në mësime, ose ndryshe çun mamaje i them “O Bolo…”. Kështu përfundon studenti F.N, i cili largohet duke qeshur.
*Shënim: Kjo intervistë i përket vitit 2009, dhënë gazetares Albina Gjergji për suplementin “Studenti” në gazetën “Panorama”.