Fajin s’na e kanë grekët

Placeholder Image

Le t’a themi që në fillim. Në to nuk ka asnjë qëllim antigrek, nuk ka asnjë tentativë diskriminuese për shkak të kombësisë, nuk ka asnjë paragjykim nëse do të prishën shtëpitë e atij që flet shqip apo greqisht…

Nga Andi Bushati

Mënyra arbitrare e qeverisjes së Rilindjes po i shërben si pretekst Greqisë për të penguar përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Më shumë se retorika provokuese e Edi Ramës për të thithur simpati brenda vendit, janë një sërë aksionesh urbane që e kanë bërë Athinën zyrtare të reagojë ashpër.

Prishja brutale e një kishe në Dhërmi në gusht të vitit 2015 (Rama postoi atëherë në facebook edhe projektidenë si ajo do të rindërtohej, megjithëse sot dy vite më pas mbetet ende një gërmadhë), pastaj vendimi për shkatërrimin e shtëpive të 19 minoritarëve, për ndërtimin e pedonales së Himarës, e kanë bërë diplomacinë greke të reagojë gjithnjë e më me forcë. Në nëntor të vitit që shkoi ministria e Jashtme greke paralajmëroi: “zyrtarët shqiptarë nuk mund të pretendojnë “urbi et orbi” se të drejtat e minoritetit grek respektohen në të gjithë vendin, në të njëjtën kohë që ata i shkelin ato në praktikë, duke minuar ecurinë europiane të vendit të tyre”.

Ndërsa tani, një vit më pas, pas incidenteve të dhunshme në këshillin bashkiak, ku do të shqyrtohej plani urbanistik i Himarës, reagimet kanë qenë më të egra.

Fillimisht presidenti Grek, Pavlopulos, gjatë një darke në Athinë me homologun e tij francez Makron, lëshoi sinjalin se qëndrimet irredentiste dhe shkelja e të drejtave të minoritetit mund të pengojë udhën integruese të Shqipërisë. Pak ditë më pas, shefi i diplomacisë, Kotzias i tha ministrave të jashtëm të BE, se vendi i tij do të përdorte veton kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Kryefjala e shqetësimeve të fqinjit tonë jugor, përpos ndonjë gravure apo harte që kryeministri shqiptar poston në rrjetet sociale, janë padrejtësitë që po u bëhen minioritarëve grekë nga aktet antilogjore dhe harbute me të cilat operon Rilindja urbane.

Le t’a themi që në fillim. Në to nuk ka asnjë qëllim antigrek, nuk ka asnjë tentativë diskriminuese për shkak të kombësisë, nuk ka asnjë paragjykim nëse do të prishën shtëpitë e atij që flet shqip apo greqisht. Këtë nuk ka njeri që jeton në këtë vend që të mos e dijë. Por, nga ana tjetër, po, aty ka harbutërri, arrogancë dhe shkelje të ligjit, të cilat kanë qenë të pandara nga aksioni i INUV-it të Ramës.

Po, t’i shtohet këtyre metodave brutale edhe fakti se Rama po e shndërron me shpejtësi bregdetin e jugut në një parajsë të klientelës dhe financuesve të tij politikë, duke mos pyetur për pronat e banorëve vendas, problemi bëhet edhe më akut. Dhe në një shtet të padrejtë, ku shkelen të drejtat e të gjithë qytetarëve, nuk ka si të mos preken edhe ato të minoritarëve.

Dhe këtu qëndron paradoksi: sepse megjithëse aksionet e Ramës nuk kanë asnjë qëllim diskriminues ndaj minoritetit, ato i japin Athinës të gjithë të drejtat e botës të ankohet për ato të bashkombasve të saj. Në zyrat e vendit fqinjë tashmë me siguri janë plotësuar dosjet me të gjitha shkeljet që nesër mund t’i paraqiten Brukselit, si argument për të penguar integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Dhe natyrisht gjetja e këtyre kleçkave dhe preteksteve shkakton nervozizëm në mesin tone, që politikat abuzuese të Ramës jemi mësuar t’i përjetojmë si normalitet. Por përtej kësaj mërie, përtej histerisë për grekun e keq që “nuk na e do asnjëherë të mirën”, duhet të arrijmë të kuptojmë se fajin e kemi vetë. Se nuk mund t’i kërkojmë llogari Athinës që “merakoset” për bashkëkombasit e vet, për faktin se ne e kemi humbur ndjeshmërinë për shkeljen që u bëhet qytetarëve shqiptarë.  (Lapsi.al)

SHKARKO APP