Faktori kritik në fuqizimin e mirëqeverisjes
Nga: Luljeta Nano*
Institucionet Supreme te Auditimit janë gurë themeli të mirëqeverisjes dhe funksioni themelor i tyre është që të gjenerojnë një informacion te pavarur dhe te besueshëm mbi përdorimin e parave publike. Evolucioni i dialogut shumë vjeçar mbi rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në mirëqeverisje dikton zgjidhjet efektive dhe qasjet inovative qe duhet te ndiqen në menaxhimin e politikave institucionale. KLSH si Institucioni me i Lartë i Auditimit të Jashtëm Publik në vend konsiderohet një hallkë kritike në zinxhirin e llogaridhënjes publike dhe në këtë aspekt duhet të jetë inovativ në suportin ndaj mirëqeverisjes dhe menaxhimin e financave publike, duke shkuar përtej rolit të mbikëqyrjes tradicionale të llogarive/buxhetit te ekzekutivit duke u shndruar në një kontributor aktiv në ciklin e politikave ekonomike. Instrumenti efektiv në fuqizimin e mirëqeverisjes është komponenti i zgjerimit të portofolit të auditimeve në aspektin e diversifikimit te llojeve të auditimeve.
Zgjerimi i portofolit të auditimeve ka qene një nga objektivat kryesore strategjike të KLSH-së në pesëvjeçarin e fundit por jo vetëm. Nëse do ti referoheshim zhvillimeve aktuale rezulton një angazhim mjaft ambicioz, një dinamizëm dhe trend mjaft progresist në funksion të transformimit në një institucion konform kërkesave të Acquis Communitare të BE dhe të kërkesave të Standarteve Ndërkombëtare të Auditimit, INTOSAI.
Boshti i filozofisë së menaxhimit të ndryshimit në drejtim të modernizimit dhe reformimit institucional ka qënë që nga njëra anë KLSH duhet të shkëputej njëherë e mirë nga qasja tradicionale konservatore e realizimit të një lloj auditimi të trashëguar dhe nga ana tjetër duhej të zhvillohej në funksion të revolucionarizimit të veprimtarinë audituese duke e përafruar gjithnjë e më shumë me praktikat më të mira të komunitetit të INTOSAI.
Nga një analizë e llojeve të auditimit që KLSH ka kryer pas viteve 90 rezulton që në mënyrë tradicionale ka ushtruar nje lloj auditimi ate te zbatimit të ligjishmërisë nga entitetet publike. E krahasuar me praktikat e mira të Instutucioneve Supreme të Auditimit pa dyshim mund të konfirmohet që trashëgonim një “vobektësi” ne drejtim të llojeve te auditimit te ushtruar në entitetet publike. Auditimet e ligjishmerise qe kryheshin (i vetmi lloj auditimi) kishin te benin me renditjen e parregullsive te rezultuara nga mos zbatimi i ligjit dhe te kuadrit rregullator ne drejtim te perputhshmerise dhe krahasueshmerise me kriteret e ligjit. KLSH për një periudhë mëse 21 vjeçare u karakterizua nga kryerja e një lloj auditimi atë të ligjishmërisë dhe kjo bazuar në teknikat tradicionale konservatore dhe shume larg kërkesavë të standarteve të cilat sugjeronin auditimin bazuar në risk dhe përzgjedhjen e kampioneve qasje kjo e lidhur ngushtësisht edhe me aspektin e integritetit të menaxhimit të auditimit.
Kjo metodologji ishte dukshëm përtej asaj çka operonin Institucionet Supreme te Auditimit (SAI) antare të organizmave ndërkombëtare të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Ndërkohë që të gjitha praktikat e mira të SAI-ve ne bote diktojnë qasjen që një institucion auditimi modern duhet te kryeje te tre llojet e auditimit që është Auditimi Financiar, Perputhshmerise dhe Performances në përputhje me Standartet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI.
Pas vitit 2011 politikat institucionale u fokusuan në disa drejtime kryesore: Së pari: Hartimi i nje kuadri rregullativ efektiv bashkëkohor (hartimi i Ligjit Organik te KLSH-se) dhe i Strategjisë së zhvillimit institucional do të përbënin platformën dhe shtyllat kryesore të rrugëtimit që do të ndërrmerte KLSH për periudhën në vijim. Së dyti ngritja dhe forcimi e kapaciteteve në drejtim menaxhimit efektiv të burimeve njerëzore duke u përqëndruar në rritjen e profesionalizimit pra aftësimi i audituesve me kërkesat e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI për të tre llojet e auditimeve financiare, të përputhshmërisë dhe të performancës.
Së treti ushtrimi i veprimtarisë audituese duke u fokusuar në konsolidimin i auditimeve të ligjishmërisë dhe kryerja e auditimeve të performancës dhe fillimi i auditimeve financiare (dhenje opinioni per pasqyrat financiare) e te auditimeve te sistemeve të teknologjise dhe informacionit (IT) .
Odiseja me shumë se dy vjeçare nga viti 2012 deri ne fund të vitit 2014 e miratimit të Ligjit të ri Organik të KLSH-së, në një farë mënyre shtoi periudhën e stërzgjatur për me shume se dy dekada të tranzitimit të KLSH-së drejt implementimit të kërkesave të Standarteve Ndërkombëtare të Auditimit. Por gjatë periudhës dy vjeçare politikat institucionale u fokusuan në njohjen trupes audituese me keto standarde si dhe u ushtruan disa auditime pilot.
Me miratimin e Ligjit te ri të KLSH-së në vitin 2015 në mënyrë eksplicite janë parashikuar te gjitha llojet e auditimit madje është progresuar më tej duke trajtuar dhe Auditimin e IT dhe Auditimin e Etikës si lloje inovative auditimi. Referuar këtij të fundit pra Auditimit të Etikës, Ligji i ri Organik nëpërmjet një dispozitë të veçantë ligjore sanksionon te drejtën e KLSH-së për auditimin e çështjeve të etikës dhe integritetit në sektorin publik duke gjeneruar opinionin; “nëse janë zbatuar parimet e përgjithshme të sistemit të sistemit të menaxhimit financiar të sektorit publik dhe të sjelljes së zyrtarëve të sektorit publik”.
Pra nga pikëpamja e llojeve të auditimeve mund të konfirmohet që KLSH tashmë ka diversifikuar portofolin e auditimeve duke ushtruar në këtë mënyrë të gjitha llojet e auditimeve sikurse edhe institucionet e tjera moderne të auditimit kudo në botë.
Përsa i përket auditimeve të Performancës për herë të parë mandatimi i institucionit të KLSH-së për kryerjen e Auditimeve të Performancës u sanksionua me Ligjin e ri 154/2014.
Pavarësisht sa më sipër që nga viti 2012 në fokus të veprimtarisë institucionale ishte ushtrimi i këtij lloj auditimi në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike duke krijuar dhe kuadrin rregullator te nevojshëm për ushtrimin e këtij lloj auditimi. Kuadri rregullator referues, reflekton kërkesat e Standarteve Ndërkombëtare të Auditimit dhe praktikat më të mira të fushës. Po kështu në Tetor të vitit 2012 u krijua Departamenti i Auditimit të Performancës, dhe deri me sot janë kryer 43 auditime performance te cilat ofrojne nje qasje gjithë përfshirëse ne drejtim te fushave te mbuluara me auditim.
Nëse do tí referohemi gjeografisë së ushtrimit të Auditimeve të Performancës dhe evolucionit te praktikave audituese rezulton se ky lloj auditimi eshte ushtruar prej 2-3 dekadash dhe ushtrohet pothuaj nga të gjitha Institucionet Supreme të Auditimit të Europës. Megjithate, Auditimi i Performancës konsiderohet si një lloj auditimi i ri në historinë e zhvillimit të auditimit. Me një eksperiencë të gjatë në ushtrimin e Auditimeve të Performancës janë vendet Nordike si Danimarka, Finlanda, Norvegjia,Suedia, Hollanda por gjithashtu edhe SAI-t e Anglise, Belgjikës, Italisë, Francës, Portugalisë dhe Slovenisë. Përtej Europës Institucione lider në Auditimet e Performancës janë Australia, Kanadaja Zelanda e Re dhe GAO Amerikane. Pra kryerja e auditimeve të performancës po merr shtrirje gjithmonë e më gjërë ne nivel global përfshirë dhe vendet në zhvillim. Referuar projeksioneve mbi trendet e zhvillimit dhe ardhmërinë e Institucioneve Supreme te Auditimit pretendohet që këto institucione si të vetmet institucione të Auditimit të Jashtëm Publik do të fokusojnë burimet dhe kapacitetet e tyre kryesisht drejt kryerjes së Auditimeve të Performancës nëpërmjet të cilave bëhet e mundur vlerësimi sistematik dhe objektiv i programeve, rezultateve, proceseve dhe sistemeve të menaxhimit të entiteteve të sektorit publik nëse operojnë me parimet e ekonomicitetit efiçencës efektivitetit. Pra e ardhmja e auditimeve nga pikëpamja e tipologjisë janë auditimet e Performancës në entitetit publike. Persa i perket auditimeve te Teknologjise se Informacionit si auditime risi nga pikëpamja e tipologjisë, KLSH deri me tani ka kryer 6 auditime duke synuar njëherazi dhe konsolidimin e kapaciteteve te audituesve IT.
Në kryerjen e llojeve të auditimeve KLSH aktualisht po ndjek një politikë të kujdesshme dhe të balancuar të orientimit të kapaciteteve audituese pra nga njëra anë tenton në rritjen cilësisë dhe te numrit të auditimeve të performancës si një produkt mjaft efektiv dhe kontributiv në drejtim te mirëqeverisjes por nga ana tjetër synon konsolidimin e auditimeve financiare, të IT dhe të përputhshmërisë. Një politikë e tillë e menaxhimit të veprimtarisë audituese të KLSH-së imponohet nga situata aktuale dhe niveli jo i kënaqshëm i menaxhimit financiar dhe kontrollit si dhe kapaciteteve të strukturave të auditimit të brendshëm në sektorin publik. Ne Progres raportin e vitit 2016 të BE-së theksonte se: Shumë institucione nuk e zbatojnë parimin e llogaridhënies menaxheriale dhe kontrollit të brendshëm në përputhje me ligjin për Kontrollin e Brendshem Financiar Publik (KBFP-në). Kjo ndikon në zhvillimin e duhur te auditimit të jashtëm, pasi KLSH-ja vazhdon të përqendrohet kryesisht në auditimet e përputhshmërisë dhe zbulimin e parregullsive.
Pavarësisht sa më sipër KLSH do të vijojë të konsolidojë portofolin e auditimeve dhe do të vijojë të jetë në të njëjtën linjë me zhvillimet dhe trendet e auditimit të jashtëm publik në nivel global në funksion të përmbushjes së përgjegjësive institucionale në drejtim të fuqizimit të mirëqeverisjes dhe llogaridhënjes publike.
*Autorja është Sekretare e Përgjithshme e KLSH