Fantazitë populiste të Britanisë
Nga Chris Paten
Zgjedhja e Jeremy Corbyn si udhëheqës i ri i Partisë Laburiste të Britanisë është një rikujtesë se jeta është e pasur me paradokse.
Globalizimi – rrjeti i udhëtimeve, teknologjia, tregtia dhe informacioni që po e bën botën gjithnjë e më të vogël – vështirë se mund të konsiderohet një fenomen i ri. Por politika në shumë demokraci të zhvilluara së fundmi është destabilizuar nga kryengritës populistë që kërkojnë të dalin nga ky realitet i përbashkët. Ajo që këto grupe duket se nuk arrijnë ta kuptojnë është se alternativa që ata dëshirojnë është thjeshtë një fantazi.
Nga Syriza në Greqi te Fronti Nacional në Francë, votuesit nëpër Europë po inkurajohen të besojnë në një realitet virtual të formëzuar nga paragjykimet dhe një nostalgji jo mirë e informuar. Në Shtetet e Bashkuara, kjo ndjesi u shfaq për herë të parë shumë vite më parë, duke nxitur rritjen e Tea Party dhe tashmë po i mundëson fushata presidenciale shumë zemëruese Donald Trump-it dhe kandidatëve të tjerë republikanë të cilët po premtojnë se do të nxjerrin Amerikën jashtë shekullit të njëzet e një. (Premtimi është në një farë mase i drejtpërdrejtë: përmes ndërtimit të mureve përgjatë kufijve të vet veriorë dhe jugorë, kandidatët premtojnë të mbrojnë ëndrrën Amerikane nga helmimi nga jashtë.)
Mbretëria e Bashkuar është viktima e fundit e këtij populizmi të nxitur nga fantazia. Në të djathtë, ne sakaq kemi vuajtur ngritjen e Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar, një parti anti-Europiane dhe anti-emigrante, e udhëhequr nga duhanpirësi dhe pijetari i madh i birrës Nigel Farage, i cili në Britani ka zbuluar versionin e vet të Silvio Berlusconit, nëse mund të imagjinosh diçka të tillë.
Tashmë e majta britanike ka përqafuar një çmenduri të ngjashme. Mposhtja e Partisë Laburiste në zgjedhjet e përgjithshme të majit solli dorëheqjen e udhëheqësit të saj Ed Miliband, një figurë inteligjente dhe i sjellshëm i cili, pasi braktisi mesin e fushës dikur të kontrolluar nga ish-kryeministri Tony Blair, dështoi të bindë edhe vetë partinë e vet se ai qe në gjendje të drejtonte vendin. Fushata për të zgjedhur një pasardhës të tij vijoi përgjatë verës.
Në tërësi, kërkimi qe një punë shumë zhgënjyese. Tri ish ministra të respektueshëm dhe aspak frymëzues konkurruan për këtë pozicion, por patën vështirësi për të gjetur një mesazh bindës që të lidhte partinë e të majtës me Britaninë e kohës sonë. Të pasigurtë për përqasjen e duhur, ata u luhatën diku mes moderimit dhe gjërave të majta që nuk kanë kuptim.
Një pavendosmëri e tillë nuk qe një problem për Corbyn, i cili është bërë i famshëm para së gjithash për shkak se në më shumë se tri dekadash që ka qenë në parlament ka votuar kundër partisë së vet për më shumë se 500 herë me argumentimin se propozimet nuk qenë mjaftueshëm socialiste. Në fakt, Corbyn ia doli të hyjë në garë vetëm për shkak se shumë pak deputetë deshën të tregonin se Partia Laburiste e mikpriste një debat të tillë. Por mbrojtja pasiononte e socializmit të stilit të vjetër prej tij tërhoqi shpejt vëmendjen, duke fituar një jetë të re – dhe duke tërhequr dhjetëramijëra anëtarë të rinj – në partinë që ka qenë duke humbur anëtarë prej kohësh.
Por cilat janë propozimet e Corbyn? Në shtëpi ai premton të shtetëzojë industritë, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe të rrisë taksat, veçanërisht mbi bizneset dhe të pasurit. Çdo lloj gjëje e ngjashme me idenë e kujdesit fiskal do të hidhet nga dritarja, shkurtimet e bëra më parë në shpenzimet për shëndetësi, kujdes social dhe arsim do të anulohen. Sindikatat do të rifitojnë pushtetin që gëzonin para reformave të Margaret Thatcher në vitet 1980. Dhe punonjësit e sektorit publik do të bëhen përfituesit kryesor të programeve të shpenzimeve të vendit.
Në politikën e jashtme, Corbyn do të shkurtojë shpenzimet për mbrojtjen dhe do të braktisë programin bërthamor parandalues të Britanisë së Madhe. Ai do t’ia hedhë fajin praktikisht për çdo gjë që ka shkuar keq në botë, Amerikës, e cila është, sipas mendimit të tij, moralisht e barabartë me Rusinë. Nëse një udhëheqës si i ndjeri Hugo Chávez, arkitekt i “revolucionit socialist” të Venezuelës shfaqet, Corbyn ka gjasa do të hipë menjëherë në avion për ta takuar.
Pavarësisht mendimeve të tija radikale, Corbyn e fitoi betejën për të udhëhequr Laburistët – dhe për rrjedhojë edhe opozitën parlamentare të Britanisë, duke fituar gati 60 për qind të votave. Por Laburistët nuk ka gjasa të fitojnë zgjedhje për sa kohë drejtohen nga Corbyn – një realitet që bëri që disa konservatorë të reagojnë ndaj fitores së tij me aq gëzim sa sikur kishin fituar llotarinë. Në mendimin tim, gjithsesi, asgjë e mirë nuk do të vijë nga kjo kryengritje për askënd.
E para, Corbyn nuk do të përzihet nga posti i tij nga ndonjë shfaqje e menjëhershme e papëlqyeshmërisë dhe armiqësisë publike ndaj tij. Përkundrazi, në fillim, ai mund të jetë në gjendje të galvanizojë shumë votues të rinj të mënjanuar dhe t’i bëjë ata kundër një qeverie që ka fituar disi respekt por që nuk është shumë e pëlqyer.
E dyta, pa një opozitë efikase dhe të përgjegjshme, qeveritë mund të bëhen arrogante, të pakujdesshme dhe tepër të fokusuar te grupi i mbështetësve të vet. Në këtë rast, udhëheqësit e Partisë Konservatore dhe komponenti i të djathtës ekstreme ka gjasa që do të fillojnë të mendojnë se mosbindja dhe mosofrimi i mbështetjes me disiplinë për kryeministrin David Cameron dhe politikat e tij është diçka që ia vlen, për shkak se Laburistët nuk do të jenë kurrsesi të fitojnë zgjedhje me Corbyn.
E treta, diku përgjatë vitit të ardhshëm, Mbretëria e Bashkuar do të përballet me një referendum mbi anëtarësinë e vet në Bashkimin Europian. Ndërsa askush nuk e di pozicionin që do të mbajë Corbyn në këtë çështje, dikush mund të spekulojë se ai, si disa drejtues të sindikatave që e mbështesin atë, mund të vendosë se BE-ja është një klub njerëzish të pasur, rrjedhimisht të rrëzojnë konsensusin mes partive në favor të vijimit të anëtarësisë, konsensus që është shumë i nevojshëm.
E katërta, Corbyn, i cili ka shumë ide të përbashkëta me nacionalistët skocezë, do ta bëjë më të vështirë menaxhimin e çështjes së pozicionit të Skocisë në Mbretërinë e Bashkuar. Duke krijuar një kauzë të përbashkët me nacionalistët në çështje të politikave ai do të komplikojë çështjen se si mund të zgjidhen aspiratat kushtetuese të nacionalistëve.
E pesta, ka një rrezik që qeveria konservatore, e përballur me forcat joracionale populiste si në të majtë ashtu edhe në të djathtë, do të heqë dorë nga detyra e vet për të mbështetur vlerat e mira dhe gjërat e logjikshme. Por është me rëndësi jetësore që, pavarësisht të gjithë atyre që shesin ëndrra, ka ende nga ata që këmbëngulin te e vërteta e thjeshtë, e cila është se, pavarësisht se sa shumë mund ta dëshirojnë njerëzit, një vend nuk mundet që thjeshtë të ndalojë botën dhe të dalë prej saj.
Zgjedhja e Corbyn thekson se sa shumë britanikë janë duke refuzuar të pranojnë një realitet. I takon Cameron t’i japë fund fantazive të tyre të rrezikshme.
Project Syndicate-BIRN