Fatos Lubonja: Çështja Doshi, njësoj si ajo e Artan Santos

Fatos Lubonja thotë se çështja Doshi, është njësoj si ajo e Artan Santos.

Sipas tij, shpërthimi i kësaj çështje tregon lidhjen e politikës me krimin.

Çështjen Doshi dhe Frroku më vjen ta krahasoj me fijen e fillit që ka dalë nga lëmshi i lidhjes së politikës sonë me krimin, e cila, po të tërhiqet, mund të zbulojë shumëçka nga çfarë ka lëmshi brenda. Por, siç po zhvillohen ngjarjet, duket se askush ndër aktorët kryesorë në lojë nuk ka interesa për ta çmbështjellë këtë lëmsh.

 Qëllimi i maxhorancës është ta këpusë këtë fije sa më shpejt të jetë e mundur. Jo më larg se disa ditë  më parë, duke iu referuar edhe deklaratës së Ambasadës Amerikane që e nxiti hetimin mbi Doshin, Rama tha se nuk ka asnjë dijeni për njerëz të partisë së tij të lidhur me krimin. Edhe opozita po kërkon më së shumti të përçajë kundërshtarët në interes të pushtetit të vet, por se ç’ka mbrapa çështja/çështjet, nuk kërkon ta zhbirilojë. Sipas meje, edhe Prokuroria është në të njëjtën linjë; në lojën “le të bëjmë sikur” po e çmbështjellim lëmshin, se janë edhe këta amerikanët që po na i trazojnë një çikë ujërat.

Është e njëjta gjë me çfarë ndodhi pas vrasjes së Santos. Mediat dhe politika u morën më së shumti me figurën e lartë të Santos, me rrugën që përshkoi motori, me akuza ndaj Policisë se nuk u tregua në lartësinë e duhur për të ndjekur vrasësit – por asnjë thellim nuk u bë mbi pistat e mundshme që mund të kishin çuar në këtë vrasje. Aq më pak për t’u thelluar pastaj në fenomenin/et që qëndronte prapa kësaj vrasjeje”, shkruan Lubonja për “Panorama”.

Sipas tij, hipotezat për çështjen Doshi jan të frikshme, pasi flitet se pas kësaj çështje qendrojnë banda kriminale.

Ka që thonë se prapa figurave të tilla të politikës qëndrojnë banda kriminale dhe e gjithë kjo shpjegohet me luftën e këtyre bandave që janë prapavija e politikanëve tanë më të lartë. Ka shumë hipoteza të frikshme që ngrihen dhe që, edhe nëse nuk janë të vërteta, një gjë e bëjnë të qartë: se lidhjet e politikës sonë me krimin janë shkaqet se pse ashtu si çështja Santo, edhe kjo Doshi do të mbesë e pazbuluar, nëse nuk i shkohet deri në fund jo vetëm anës ligjore të rastit në fjalë, por edhe anës morale e politike të tij.

Nuk është vendi për t’u marrë vetëm me personat dhe ngjarjet, por edhe me fenomenet që kanë promovuar këta persona dhe prodhuar këto ngjarje.

Po nuk u çmbështoll filli i lidhjes së politikës sonë me krimin e të përcaktohen e dënohen përgjegjësit ligjorë, politikë dhe moralë, ngjarje të tjera edhe më të rënda na presin”, e mbyll ai.

SHKARKO APP