Fatos Lubonja: Ftesën për darkën e Ramës e refuzova, pasi nuk ha e pi me politikanët
Fatos Lubonja ka bërë një shkrim për darkën e fundvitit të mbajtur nga kryeministri Edi Rama për gazetarët.
Ai ka shpjeguar përse e ka refuzuar ftesën për të qenë prezent.
“Te ftesa për pjesëmarrjen në darkën gala me mediat me rastin e Vitit të Ri, që më erdhi me e-mail nga stafi i kryeministrit, më tërhoqi vëmendjen fraza: “Lutemi na njoftoni nëse e morët këtë e-mail”.
Ma tërhoqi vëmendjen pasi, zakonisht, në kësi lloj ftesash të kërkojnë të njoftosh pjesëmarrjen, jo marrjen e e-mailit.
Por nuk e vrava shumë mendjen, megjithatë, të gjej shkakun pse ishte formuluar kësisoj. U përgjigja “faleminderit, e mora” dhe, sa për pjesëmarrjen, vendimin e kisha tashmë në kokë pasi prej kohësh kam hequr dorë nga kësi lloj galash.
Nëse do t’i radhitja arsyet, të parën do të vija dozën e lartë të energjive që të duhet të harxhosh për të duruar e dhënë në këto darka buzëqeshje nga ato që ekonomistët e lumturisë i cilësojnë si tregues palumturie ngaqë janë të shtirura, zgërdheshje, hipokrite, çka e tregon mënyra e sforcuar e tërheqjes zë zigomave për të treguar dhëmbët.
Pastaj do të shtoja se në këtë shoqërinë tonë, që kërkon të imitojë atë perëndimore, duke u bërë përditë e më shumë karikaturë e saj, është harruar fare ajo këshilla e urtë sipas së cilës njeriu publik duhet të dalë në skenë nëpërmjet veprës që i intereson publikut, kurse veten e tij private duhet ta mbajë sa më larg kësaj skene, e jo të bëjë të kundërtën, siç po ndodh këtu te ne përditë e më rëndom.
Por kisha edhe një arsye më profesionale, nëse mund ta quaj kështu. Atë që ka të bëjë me thënien e Montanelit, që e kam përsëritur shpesh, por fatkeqësisht pa ndonjë sukses: “Larg atyre gazetarëve që hanë e pinë me politikanë”, shkruan Lubonja për “Panorama”.
Ai thotë se Rama ka dashur të bëjë ironi me të, duke thënë se Lubonja kundërshton çdo gjë.
Por në fakt, sipas Lubonjës, është Rama ai që i kundërshton të gjithë dhe nuk pranon asnjë argument kundër nga të tjerët.