Fatos Lubonja: Ky vit më krijoi ndjesinë e burgut që kam kaluar
Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, deklaroi se 2020 ishte vit më i keq se vitet më parë. Lubonja tha se peshën kryesore në vitin 2020 e zuri pandemia, që na bëri të dorëzojmë shumë dimensione tonat njerëzore. Lubonja nënvizoi se ky vit i ka krijuar ndjesinë e burgut politik që ka kaluar, duke shtuar se provuam se gjatë 2020 vdekje të njerëzve të dashur, rënie të ekonomisë dhe depresion.
“2020 ishte vit më i keq se vitet më parë. Peshën kryesore besoj e zë Covid-19, që na bëri që të dorëzojmë shumë dimensione tonat njerëzore. Na u privuan liritë e lëvizjes, u mbyllën kishat, shkollat, edhe parlamentit madje, me aq sa kemi. Edhe aty u ndjemë më të kufizuar. Ishte një lloj burgu nga frika e koronavirusit. Shumë e kanë provuar me vdekjen e njerëzve të dashur, me rënien ekonomike të një pjese të mirë, depresionet, të gjitha këto janë pjesë e kësaj shoqërie. Në këtë kuptim, 2020 ka qenë vit i keq. Shto edhe mbylljen e egër, pa arsye, që është në kontrast me çfarë ndodh tani. Shto edhe traumën e teatrit. Kjo është pjesë e historisë së një viti shumë të keq”, tha Lubonja.
Fatos Lubonja theksoi se jetojmë ende në një sistem, ku pakica pasurohet e shumica varfërohet. Sipas tij, ekonomia e shqiptarëve është keqësuar.
“Njeriu edhe shpreson, edhe dëshpërohet. Kemi një sistem ku një pakicë gjithmonë e më pasurohet dhe shumica është e varfër. Covid-19 e tronditi këtë sistem. Koronaviriusi vuri në dukje të metat e sistemit. Kemi një të keqe, që vazhdon të thellohet.Edhe ana ekonomike është rënduar, sepse kanë shpenzuar, se janë sëmurë nëna e babai etj. Ka raste kur në një familje ka shpenzime 5-6 milionë për shëndetësinë, kur na thonë se shëndetësia është falas. Ka edhe nga ata që përfitojnë nga drama jonë”, u shpreh Lubonja.
Më tej, Lubonja vlerësoi se qeveria ka dështuar të menaxhojë situatën e Covid-19.
“Mbyllja e parë e kufizoi, kurse tani nuk ka mbyllje, ka imunitet tufe tashmë. Unë shkova dje tek një qendër tregtare, aty ishte batërdi njerëzish. Restorantet te ne janë hapur, nuk kemi kujdes. Thuhet se 20 për qind e të infektuarve bëhen rëndë, një 5 përqindësh bëhet rëndë fare. Shifrat që jep shteti për vdekjet nga koronavirusi janë të dyshimta.
Kjo është histori dështimi total. Në Gjermani, kur vdiqën 500 vetë, qanë dhe u shprehën ishte dramë e madhe. Rama tha se ishte një triumf. I vetmi vend që nuk dihet se kur do vijnë vaksinat. Kush ka lekë ikën në Itali e Turqi. Është për të vënë ulërimën. Bota kujdeset për çdo njeri, që të mund të shpëtojë çdokënd. Ekonomia jonë shkon për 10-20 vetë”, përmbylli Lubonja.