Fatos Lubonja: “Palaçot e pallatit” që morën pjesë në darkën e Ramës

Fatos Lubonja  e ka konsideruar një mëkat darkën e kryeministrit me mediat për festën e fundvitit. Në një shkrim të gjatë këtë të enjte ai e përshkruan gostinë e shtruar në pallatin e brigadave si një gala-gallatë: “Në inskenimin e kësaj gala-gallate hynte edhe leja që iu dha disa gazetarëve të merrnin fjalën dhe të thoshin ç’të donin kundër tij – në traditën e palaçove të pallateve që janë të vetmit që i thonë mbretit disa të vërteta të hidhura, sigurisht me dashuri dhe për ta bërë për të qeshur, jo për ta hidhëruar”. Por problemi i Lubonjës është më i thellë. Ai e shikon këtë ceremoni të organizuar në prag të fundvitit, si një rast për të zbërthyer mardhënien e kryeministrit me pushtetin e katërt. Dhe Lubonja mendon se kjo darkë nuk ishte ashtu sic e përshkruan disa, si një hakmarrje e Ramës ndaj gazetarëve. Ai mendon ndryshe: “Më duhet të them se nuk pajtohem me ata që shkruan të revoltuar se darka dhe fjala kanë qenë organizuar si hakmarrje e Kryeministrit ndaj kundërshtarëve. Sipas asaj thënies se çdo e keqe ka një të mirë, unë them se Kryeministri ynë i kësaj radhe nuk është nga ata që mbajnë inat. Kur të ka përfund, shumë-shumë ai dëfrehet duke të tallur, mund të të ulë dhe kalin e tij në tryezë në shembullin e Kaligulës që e bëri kalin e tij senator, por inat nuk mban, sepse të mbash inat do të thotë edhe të kesh ca parime, kurse ai nuk ka të tilla. Sigurisht, në ëndrrën e tij finale, Rama, siç do të thoshte Canetti, për tipat që zgjedhin pushtetin për të zgjidhur problemet me vdekjen, imagjinon një botë me njerëzit të shtrirë të gjithë nën këmbët e tij dhe prandaj, po i dole përpara më këmbë, mund të përdorë çfarëdolloj intrige për të të shtrirë barkas. Por këtë e bën jo nga inati, por nga bindja paranojake se ti je shumë i parëndësishëm, një vegël e thjeshtë të synimit të tij të madh të përjetësisë, që ai mund ta hedhë tej sapo të mos i duhet më”.  Më poshtë Lubonja tenton të vërtetojë tezën e tij se Rama nuk është inatcor duke përmendur rastin politik të Ilir Metës dhe rastin mediatik të Mero Bazes, ku ai megjithëse nuk ka lënë gjë pa thënë, sërisht është bërë mik. Prandaj sipas tij darka nuk ishte një hakmarrje:”Për mua darka ishte më shumë një moment dashurie, një dëshirë për t’i parë gazetarët të gjithë duke ngrënë shtrirë, si në traditën romake, në paqe dhe harmoni me kryedarkuesin. Sigurisht edhe duke u dëfryer, bërë gallatë e tallur me ndonjë që s’mund të hapë gojën, ditëziu, por vetëm të falënderojë që e kanë ftuar” Nisur nga këto fjalë të fundit të Lubonjës Lapsi.al po kujton edhe njëherë shprehjet më të spikatuar të ramës për gazetarët.

 

Edi Rama dhe mediat sipas darkës gala

Nga Fatos Lubonja

Te ftesa për pjesëmarrjen në darkën gala me mediat me rastin e Vitit të Ri, që më erdhi me e-mail nga stafi i Kryeministrit, më tërhoqi vëmendjen fraza: “Lutemi na njoftoni nëse e morët këtë e-mail”. Ma tërhoqi vëmendjen pasi, zakonisht, në kësi lloj ftesash të kërkojnë të njoftosh pjesëmarrjen, jo marrjen e e-mailit. Por nuk e vrava shumë mendjen, megjithatë, të gjej shkakun pse ishte formuluar kësisoj. U përgjigja “faleminderit, e mora” dhe, sa për pjesëmarrjen, vendimin e kisha tashmë në kokë pasi prej kohësh kam hequr dorë nga kësi lloj galash. Nëse do t’i radhitja arsyet, të parën do të vija dozën e lartë të energjive që të duhet të harxhosh për të duruar e dhënë në këto darka buzëqeshje nga ato që ekonomistët e lumturisë i cilësojnë si tregues palumturie ngaqë janë të shtirura, zgërdheshje, hipokrite, çka e tregon mënyra e sforcuar e tërheqjes zë zigomave për të treguar dhëmbët. Pastaj do të shtoja se në këtë shoqërinë tonë, që kërkon të imitojë atë perëndimore, duke u bërë përditë e më shumë karikaturë e saj, është harruar fare ajo këshilla e urtë sipas së cilës njeriu publik duhet të dalë në skenë nëpërmjet veprës që i intereson publikut, kurse veten e tij private duhet ta mbajë sa më larg kësaj skene, e jo të bëjë të kundërtën, siç po ndodh këtu te ne përditë e më rëndom.

Por kisha edhe një arsye më profesionale, nëse mund ta quaj kështu. Atë që ka të bëjë me thënien e Montanelit, që e kam përsëritur shpesh, por fatkeqësisht pa ndonjë sukses: “Larg atyre gazetarëve që hanë e pinë me politikanë”.

* * *

Kuptohet se, megjithatë, nuk mund të mos isha kurioz për të parë se çfarë kishte ndodhur në atë darkë. Lexova kështu fjalën e Ramës dhe disa reagime në shtyp. Së pari më duhet të them se nuk pajtohem me ata që shkruan të revoltuar se darka dhe fjala kanë qenë organizuar si hakmarrje e Kryeministrit ndaj kundërshtarëve. Sipas asaj thënies se çdo e keqe ka një të mirë, unë them se Kryeministri ynë i kësaj radhe nuk është nga ata që mbajnë inat. Kur të ka përfund, shumë-shumë ai dëfrehet duke të tallur, mund të të ulë dhe kalin e tij në tryezë në shembullin e Kaligulës që e bëri kalin e tij senator, por inat nuk mban, sepse të mbash inat do të thotë edhe të kesh ca parime, kurse ai nuk ka të tilla. Sigurisht, në ëndrrën e tij finale, Rama, siç do të thoshte Canetti për tipat që zgjedhin pushtetin për të zgjidhur problemet me vdekjen, imagjinon një botë me njerëzit të shtrirë të gjithë nën këmbët e tij dhe prandaj, po i dole përpara më këmbë, mund të përdorë çfarëdolloj intrige për të të shtrirë barkas. Por këtë e bën jo nga inati, por nga bindja paranojake se ti je shumë i parëndësishëm, një vegël e thjeshtë të synimit të tij të madh të përjetësisë, që ai mund ta hedhë tej sapo të mos i duhet më.

 

Por ama, për të njëjtin synim, me të njëjtën lehtësi ai hedh tej edhe çdo vegël morale të vetën, – nëse mund të flitet se ende i ka mbetur ndonjë e tillë. Për të vërtetuar këtë që po them mjaft të kujtojmë të thënat e pathënshme që ka shkëmbyer ai me mjaft politikanë dhe gazetarë – po përmend vetëm Ilir Metën dhe Mero Bazen – dhe se si, pastaj, pa pikën e vështirësisë morale apo inatit, i ka bërë grurë marrëdhëniet me ta.

Prandaj për mua darka ishte më shumë një moment dashurie, një dëshirë për t’i parë gazetarët të gjithë duke ngrënë shtrirë, si në traditën romake, në paqedhe harmoni me kryedarkuesin. Sigurisht edhe duke u dëfryer, bërë gallatë e tallur me ndonjë që s’mund të hapë gojën, ditëziu, por vetëm të falënderojë që e kanë ftuar në një darkë me aq rëndësi.

 

Në inskenimin e kësaj gala-gallate hynte edhe leja që iu dha disa gazetarëve të merrnin fjalën dhe të thoshin ç’të donin kundër tij – në traditën e palaçove të pallateve që janë të vetmit që i thonë mbretit disa të vërteta të hidhura, sigurisht me dashuri dhe për ta bërë për të qeshur, jo për ta hidhëruar.

 

Disa thonë se kapërcimi në tallje i gallatës ndaj një numri gazetarësh tregon se ai deshi, qëllimisht, t’i poshtëronte duke u thënë: unë ju tall e poshtëroj e ju jeni aq legenë sa s’reagoni dot se ua kam mbyllur gojën o direkt juve, ose nëpërmjet pronarëve tuaj. Mua më duket pak i ekzagjeruar ky interpretim. Mos harroni se ai tha edhe se jemi të gjithë legenë me diametra të ndryshëm – pra pa përjashtuar as veten. Tha edhe se s’duhet ta marrim veten dhe aq seriozisht duke çtensionuar kësisoj goxha fërkimet që mund të sillte fjala e tij e duke na përvijuar kësisoj një situatë më së shumti humori e gallate që mua veçanërisht nga mbyllja, kur foli për seriozitetin e mosseriozitetit, më kujtoi thënien e atij deputetit irlandez: “Gjendja është e pashpresë, por jo serioze”.

Dhe, me thënë të drejtën, nuk mund të thuash se Kryeministri s’ka të drejtë. Gjendja e mediave tona është vërtet e pashpresë, por jo serioze. Mjaft të kesh parasysh se Klani tani është bërë me Ramën dhe Sandri nuk i merr më të falat nga Kryeministri nga larg, nëpërmjet gazetarëve të tij, por ulet kokë më kokë me të në krye të vendit. Prandaj, për mua, problemi është më shumë me ata që i shkuan për darkë – sesa me atë që i ftoi. Disa gazetarë më thanë se e bën edhe Obama një darkë të tillë, ç’të keqe ka? Po punë e madhe se e bën edhe Obama. Këto argumentet me të huajt tani i hanë vetëm trushpëlarët, por jo gazetarët që s’paskan kuptuar ende se në sytë e publikut të gjerë këtu te ne, të bësh pjesë në këtë lloj kaste galash nuk është ndonjë nder, përkundrazi. Për mua ata janë viktimë e botës virtuale që kanë krijuar vetë, sipas së cilës po nuk figurove në ekrane, nuk ekziston.

* * *

Gjithsesi, edhe sikur ta kem gabim kur them se Kryeministri nuk i ftoi gazetarët me ndjenja hakmarrjeje, për një gjë pajtohem me të revoltuarit: është e qartë se ai nuk na ka ftuar as me ndjenja respekti për punën që bëjmë. Këtë mosrespekt që e rrezatonte i gjithë inskenimi i asaj maskarade e gjeta edhe në frazën që kishte thënë për mua gjatë traptalljes së tij – që edhe mund ta kishte kursyer përderisa nuk isha i pranishëm. Në stilin e atyre komentuesve anonimë me pagesë nëpër rrjetet sociale tha se Lubonja edhe faktin që Papa i dha botës një mesazh madhështor nga Shqipëria do ta mohonte thjesht sepse këtë e kam thënë unë, d.m.th. ai, Edi Rama. Më duket se kaq mjafton për të treguar se ai s’ka ndonjë respekt për mendimin e gazetarit Lubonja dhe s’do mend se e thotë për ta delegjitimuar atë në sy të lexuesit.

Një pyetje më lindi mua, megjithatë, duke lexuar “vlerësimet” si për mua, edhe për të tjerët: A ka ndonjë gazetar apo vdekatar çfarëdolloj këtej nga bota shqiptare të cilin ai e sheh me seriozitet dhe i jep përgjigje me argumente, apo të cilit ia aprovon qoftë edhe ndonjë kritikë të vetme? Mua më rezulton se nuk ka dhe se gala-gallata ishte një provë më shumë e kësaj të vërtete të hidhur. Dhe ky është një problem i madh, sipas meje, sepse, nëse opozitën e konsideron herë si bebe që ka nevojë për babysiter, herë si shpifarake të papërgjegjshme, nëse gazetarët i vë në rresht me pjatë në dorë për t’u hedhur një garuzhde supë nga ajo e gatuar në Kryeministri dhe nëse ndonjë kokërr që s’do ta hajë këtë supë e tall dhe e këshillon të hidhet nga penxherja, atëherë kush do t’ia bëjë kritikën qeverisjes?

* * *

Edhe dy fjalë për mesazhin e Papës që Rama e renditi si ngjarjen më të rëndësishme e vitit. Me sa kuptoj, e ka fjalën për mesazhin e tolerancës dhe bashkëpunimit midis komuniteteve fetare për të cilin unë kam shkruar se është një fabrikim, pasi na shitet ateizmi dhe nacional–komunizmi krejtësisht intolerant i Enver Hoxhës si bashkëpunim midis të ndryshmëve, ndërkohë që të ndryshmet s’janë lejuar as të ekzistojnë për gjysmë shekulli në vendin tonë, dhe se, në këtë kuptim, ne vazhdojmë ta vuajmë atë trashëgimi. Por a nuk janë prova më e qartë e vazhdimit të intolerancës dhe mosbashkëpunimit të trashëguar nga ajo kohë Rama vetë dhe partitë tona që edhe këtë fund viti u desh të vijnë të huajt që t’i fusin së bashku në Parlament? Të them të drejtën, mua nuk do të më shkonte mendja ta quaja vizitën e Papës si ngjarjen më të rëndësishme të vitit vetëm pse Papa paska zgjedhur Shqipërinë si trampolinë për t’i hedhur botës mesazhet e tij. Dhe jo pse këtë e ka thënë Rama, por sepse ngjarje të rëndësishme dhe mesazhe të rëndësishme unë konsideroj ato që sjellin ndryshime në jetën e një vendi, dhe jo ato që vazhdojnë të kultivojnë frymën e thellë të provincializmit në një vend ku, meqenëse nuk ndodh asgjë dhe s’duhet të ndodhë asgjë, ngjarja më e rëndësishme shitet vizita e radhës e ndonjë të madhi që vjen nga qendra e perandorisë. Vizitën e Papës dhe mesazhet e tij mund t’i kisha quajtur të rëndësishme nëse, pas tyre, në Shqipëri do të kishte filluar të reflektohej ndonjë gjë nga mendimet e Papës. Me këtë rast u kujtoj adhuruesve të rremë të tij me në krye Edi Ramën – në fakt përdoruesit të vizitës së tij për qëllime që s’kanë të bëjnë fare me mesazhet që ai jep – se Papa në mesazhet e tij flet kundër polarizimit të shoqërive në të pasur dhe të varfër, flet kundër mondanitetit, kundër mburrjes, vanitetit, kundër adhurimit të këtyre zotërve të rremë, veçanërisht parasë. E në këtë aspekt, ai, siç e gjeti ashtu dhe e la Shqipërinë: plot me pushtetarë të pasuruar e të pasuruar pushtetarë, me në krye Edi Ramën, që mburren e bëjnë mondanitet e vanitet përballë të varfërve, pa ndier pikë turpi për faktin se këto s’i kanë arritur as me djersën e ballit, as me ndershmëri, por duke vjedhur, mashtruar e bërë krime. Mjaft të shihje darkat dhe ballot gala të fundvitit të adhuruesve të tij të rremë. U kujtoj gjithashtu se Papa së fundi ka folur edhe për koherencën. “Nuk mund të flasim si kristianë dhe të veprojmë si paganë”, – ka thënë ai. “Duhet të jemi koherentë me besimin që predikojmë. Ungjilli predikohet më së pari me vepra, me pëvujtni, me një shërbim të heshtur … me defektet tona që kërkojmë t’i ndreqim, me kufizimet tona që Zoti na i njeh… dhe pastaj me fjalë”. Kurse Kryeministri ynë dhe të pasuruarit rreth tij, si ata që e morën ostën gjatë meshës, edhe ata që nuk e morën, vetëm harmoninë e veprave me fjalët nuk e njohin.

Prandaj do të thosha se nëse në botën e ekranit që sheh e propagandon Edi Rama – dhe shumë nga gazetarët e gala-gallatës – gjatë këtij viti kanë ndodhur shumë ngjarje të suksesshme, në botën reale situata më duket se është shumë e pasuksesshme – jo vetëm për faj të Kryeministrit, të kuptohemi. Dhe them se nëse këta do ta shihnin këtë botë me sytë e Papës, mund të na e kishin kursyer atë darkën mondane të gala-gallatës në Pallatin e Brigadave.

SHKARKO APP