Fatos Lubonja: Pokeri Rama – Tahiri
Nga Fatos Lubonja / Pas kthimit të Ramës nga Gjermania, emri më i lakuar në vend është ai i ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Titujt më të përhapur janë ato se Gjermania kërkon “kokën e Tahirit, a do ta japë Rama kokën e tij, a mjafton kjo?”. Pas këtyre, pamë vetë Tahirin të bëhet kryelajm, duke deklaruar se hiqte dorë vetë nga mandati i deputetit për të mos u bërë pengesë e integrimit. Dhe ndërkaq, po vazhdon debati se çfarë do të bëjë Prokuroria: A do ta arrestojë, siç kërkoi disa muaj më parë, apo me kapjen e Prokurorisë nga Rama kjo nuk do të ndodhë, madje, dorëheqja është bërë me marrëveshje. Ngrihen edhe pyetjet, nëse do ta hanë gjermanët këtë apo jo? Le të përpiqemi të hedhim pak dritë mbi këtë lëmsh pyetjesh. Së pari, duhet shtruar pyetja bazë: A mundet Tahiri ta ketë bërë me kokën e vet dhe për përfitime thjesht të vetat atë, që sot e quajmë “kanabizimi i vendit”? Është e tepërt të zgjatesh me argumente për të provuar se kjo nuk është e mundur. Tahiri me kokë të vet mund të ketë ndarë paret e ndonjë tenderi, mund të ketë marrë ryshfet për ndonjë favor e emërim të vartësve të tij, por kurrsesi nuk do të mund të guxonte të implikonte krejt strukturat e Policisë në trafikimin e kanabisit pa dijeninë e shefit. Në krye të kësaj strategjie ka qenë Edi Rama, i cili jo më kot, prandaj, mori për një kohë të gjatë rolin e përgënjeshtruesit të akuzave për trafik droge – sa duke i quajtur aeroplanët që trafikonin drogë, dezinfektues mushkonjash, aq edhe duke organizuar konferenca me ambasadorë për ta paraqitur Shqipërinë një vend që e luftonte drogën. Një provë më tepër e kësaj është, edhe fakti se sot e gjithë strategjia mbijetesës ekonomike dhe politike të Ramës është bazuar mbi riciklimin e parave të drogës nëpërmjet ndërtimit. Në kontekstin e kësaj bashkëfajësie, lojtarët Rama, Tahiri e të tjerë po luajnë një lojë me blofe. Kujtoj, se në lojën e pokerit blofi ështëkur njëri lojtar, që ka karta të dobëta në dorë, bën të fortin duke shfrytëzuar frikën e humbjes së lojtarëve të tjerë, duke hedhur në tryezë një shumë të madhe, së cilës të tjerët ose duhet t’i kundërpërgjigjen, ose mund të tërhiqen dhe atëherë blofisti fiton. Në lojën e pokerit Rama – Tahiri – etj. po shohim një seri blofesh lojtarësh të tillë me karta të dobëta.
BLOFI I PARË
Meqenëse provat kundër Tahirit, të nxjerra nga italianët, qenë shumë të rënda, Rama blofoi, duke thënë se në pyllin me pisha të drejta të Partisë Socialiste, edhe mund të kishte ndonjë dru të shtrembër, duke lënë të kuptojë se Tahiri mund të sakrifikohej për interesin e Partisë. Them blofoi, sepse ai e dinte se kishte karta të dobëta, se përndryshe, po të ishte me karta të forta, d.m.th. i pastër, do të duhej të indinjohej dyfish: së pari, për ato që i kishte bërë Tahiri pas shpinës dhe, së dyti, për faktin se ai e kishte njollosur të gjithë partinë padrejtësisht. Ndërsa ai foli me shpresën se Tahiri do ta pranonte fatin e tij pa implikuar të tjerët, d.m.th. duke i thënë se, tek e fundit, duhet ta pranonte se kali i kapur shin lëmin.
BLOFI I DYTË
Mirëpo Tahiri nuk e hëngri këtë blof, ai u kundërpërgjigj. Sipas disave, këtë e bëri duke u mjaftuar me deklaratat në media ku përdori fjalët e Ramës “nuk keni parë gjë akoma”, kurse, sipas të tjerëve, duke shantazhuar direkt, nëpërmjet të tretësh, se do të nxirrte në shesh të vërtetat e përfshirjes së Ramës (sipas disave edhe të vëllait) në aferën e bashkëpunimit të qeverisë me krimin e organizuar, si dhe me prova komprometuese ndaj ministrave të qeverisë, që i ka siguruar kur ishte ministër i Brendshëm. Kjo e bëri Ramën të tërhiqetm duke i rreshtuar deputetët e Komisionit parlamentar të Mandateve dhe Imunitetit në mbrojtje të Tahirit. Ndërkaq, Rama punoi me shpejtësi për të kapur Prokurorinë nëpërmjet zëvendësimit të Llallës me Arta Markun.
BLOFI GJERMAN
Pse them “blofi gjerman”? Sepse nuk jam i sigurt, nëse gjermanët ia kanë ngritur Ramës çështjen “Tahiri”, për të kuptuar disi më mirë se implikimi i tij për të mbrojtur Tahirin buron nga fakti se ministri ka qenë më shumë një urdhërzbatues sesa një protagonist në strategjinë e bashkëpunimit me krimin e organizuar? Po ashtu nuk jam i sigurt as nëse gjermanët kanë kërkuar hollësi mbi mosheqjen e imunitetit të tij për t’u siguruar se Reforma në Drejtësi, për të cilën po flitet kaq shumë, nuk është kapje e drejtësisë krejtësisht nga maxhoranca për të shantazhuar nëpërmjet saj opozitën e për të mbrojtur njerëz si Tahiri. Kam frikë se, edhe atyre u duhet thjesht një justifikim si arrestimi i Tahirit, për arsye sa të elektoratit të tyre aq edhe të stabilitetit dhe gjeostrategjisë për t’i hapur rrugën Shqipërisë në BE – gjëra këto që për ta janë më të rëndësishme sesa vuajtja e shqiptarëve në këtë regjim, ku sundon krimi i organizuar. Dhe kjo është dobësia e kartave të tyre.
BLLOFI I KATERT
Dhe ja ku vijmë në momentin pas vizitës së Ramës në Gjermani, ku u duk se ai nuk kishte rrugë tjetër, veçse ta lëshonte Tahirin. Ndërkaq Tahiri, duke ndjerë rrezikun, tentoi të blofojë edhe një herë me deklaratat që lëshoi nëpër media, që u interpretuan si një shantazh i ri ndaj Ramës. Nuk dimë se çfarë ka ndodhur, por, më me gjasa, Rama, i sigurt që ka në dorë karta shumë më të forta se Tahiri, tani që ka edhe Kryeprokuroren nën urdhrat e veta, i është kundërpërgjigjur blofit ose duke i çuar Tahirit fjalë se ai mund të zgjedhë të hyjë në burg për pak kohë, sa të mbyllet me sukses loja e tij politike me ndërkombëtarët, ose duke i dhënë garanci se mjafton të lërë imunitetin, sepse asgjë nuk do t’i ndodhë. (Sesa i zihet besë Ramës pastaj në këto premtime, është çështje tjetër). Dhe ja ku Tahiri, të mërkurën më 3 maj, i tha “pas” Ramës, që në gjuhën e pokerit do të thotë se hoqi dorë nga lufta, duke iu dorëzuar blofit të Ramës. Doli me një fjalim dorëheqjeje nga deputetllëku, që mallëngjeu mjaft njerëz për shkak të disa të vërtetave të hidhura që tha për klasën politike që na qenka shumë herë më e keqe se ai. Por të mallëngjyerve u duhet kujtuar se kur disa të vërteta thuhen, për të mbuluar disa të vërteta të tjera ato nuk quhen të vërteta, por mashtrime. Shkurt, pyetjet që ngrihen sot janë, nëse Tahiri është dorëzuar nga kundërpërgjigja e Ramës ndaj blofeve të tij, apo janë marrë vesh që të dy për të blofuar gjermanët. Dhe, gjithashtu, se mos edhe gjermanët, edhe ndërkombëtarët po blofojnë me shqiptarët dhe elektoratin e tyre. Kjo mbetet për t’u parë, por problemi është se gjithë këtë histori, shqiptarët po e ndjekin sikur kanë të bëjnë me një lojë pokeri dhe jo ashtu siç do të duhet ta ndiqnin: duke u ngritur me indinjatë në protesta kundër kësaj loje tragjike me fatet e tyre.
PANORAMA