Fëmijët e ekranit në kurthin e Kapiten Gremçit

Nga JETA DEDJA 

Kur në një program televiziv marrin pjesë fëmijë dhe të rritur, kush e ka timonin? Të rriturit sigurisht. Po fëmijët ç’bëjnë? Në Shqipëri rëndom fëmijët shfaqen si projeksione të mendimeve, ëndrrave, planeve apo shakave të të rriturve.
Ta sqarojmë që në fillim, unë jam pro përfshirjes së fëmijëve në programe televizive. Absolutisht që çdo kategori moshore ka nevojë të përfaqësohet në media. Dhe sidomos fëmijët e sotëm të lindur e të rritur mes zhvillimeve të teknologjisë, por edhe nëse nuk do kishin aspak lidhje me teknologjinë, do preferoja t’i shihja e t’i dëgjoja fëmijët në ekran. Madje i përgëzoj dhe i kuptoj prindërit që sakrifikojnë kohën e çdo gjë tjetër për të shoqëruar fëmijët nëpër aktivitete. Mirë bëjnë. Fëmijëve u rritet vetëvlerësimi, vetëbesimi, socializohen, mësojnë, krijojnë përvoja. Poooor, (lidhëza por është më e përdorshmja ndër psikologët) lipset një shkallë e caktuar përgjegjshmërie dhe kujdesi i gjithë stafit të programit ndaj fëmijëve pjesëmarrës. Duhet konsideruar dinjiteti dhe personaliteti dhe duhen marrë masat për sigurinë fizike dhe mirëqënien emocionale të fëmijëve në mënyrë që asnjë situatë të mos i vërë ata nën stres dhe ankth. Çdo fëmijë ka specifikat e veta të zhvillimit, prej tyre priten reagime që nuk i ngjajnë njëri-tjetrit. Dikush mund të qajë, një tjetër mund të përmbahet. Reagimet janë në varësi të moshës, gjinisë, kulturës, parametrave të zhvillimit, historisë familjare, përvojave të fëmijës në shkollë apo shoqëri. Të punosh me fëmijë, aq më tepër nën presionin e prozhektorëve e të kamerave si dhe publikut në sallë është një sfidë për këdo. Duhen marrë parasysh të gjitha, dhe duhen orientuar sjelljet dhe modelet e tyre unike pa i deformuar. Kjo është e bukura e botës së fëmijëve. Dihet që kurdoherë do dalin gjithmonë njerëz pro dhe kundër për çështje apo elementë të ndryshëm. Kjo është gjë e mirë, por nuk është edhe aq e mirë kur shumica e kritikave konvergojnë në të njëjtën pikë: atë të keqpërdorimit të botës fëminore dhe deformimit të saj për hir të audiencës së moshës madhore.
Këta të rriturit që bëjnë media (me fëmijët) në Shqipëri, mendojnë (jo të gjithë) se fëmijët do jenë më interesantë nëse do shfaqen si minionët e të rriturve në program, sesa fëmijët që do shfaqen si fëmijë. Këta rregjisorë, skenaristë e prezantues synojnë efektin “UAU”-pas një pyetjeje prej të rrituri të artikuluar me mundim nga një vogëlush. S’ka gjë nëse fëmija vihet në vështirësi për të kuptuar logjikën apo fjalën. E rëndësishme është AUDIENCA që mahnitet, qesh apo duartroket.
Nuk është risi shqiptare pjesëmarrja e fëmijëve në programe televizive. Kudo në botë krijuesit televizivë janë joshur prej botës fëminore. Por para se të dalë produkti një armatë konsulentësh të fushave të edukimit e ligjeve kanë shoshitur çdo paqartësi e parregullsi si dhe kanë trajnuar gjithë stafin. Stafin e të rriturve veçanërisht. Programet ku marrin pjesë fëmijë, kanalet prestigjioze amerikane ua besojnë emrave të njohur që kanë vite përvojë me fëmijë, si për shembull një prezantueseje si aktorja amerikane e humorit Carol Burnett. Ndërsa në Shqipëri, kushdo që ka një projekt, nëse ka aftësi bindëse apo afërsi ndaj pronarëve të medias mund të përdorë si dekor apo bashkëpunëtor këdo, përfshirë dhe fëmijët. Askush nuk pyet për përvojën me fëmijët, mjafton argumenti i mëmësisë apo atësisë. Pse mjafton kjo? Por siç e kam thënë shpesh nëpër shkrimet e mia, në vendin tonë, i fundit që merret në konsideratë duket se është interesi më i lartë i fëmijës. Sepse në fakt shoqëria jonë nuk duartroket fëmijët, por rolin që i rrituri u ka mësuar.
Vërtet që fëmijët drejtohen e orientohen prej personave madhorë përgjegjës duke filluar që nga veshjet, modeli i flokëve, mënyra e të ecurit dhe dalim tek ajo që na intereson besoj të gjithëve. Te mënyra e komunikimit. A mendoni se të rriturit që organizojnë një program argëtues në orën me shikueshmëri më të lartë, në Shqipëri ta lënë në duar të fëmijëve? Sigurisht që jo. Masat merren që gjithmonë të kenë pyetje në xhep dhe secili të luajë pjesën. Është si një lloj filmi apo teatri me role të caktuara, por që nuk shitet si i tillë. I vënë një emër tjetër duke fyer si fëmijët pjesëmarrës ashtu edhe inteligjencën e fëmijëve teleshikues, pa llogariturit prindërit. Do ishte më e ndershme të thuhej që në këtë program fëmijët janë aktorë dhe veprojnë sipas një skenari. Por jo, këmbëngulja dhe arroganca e pushtetit mediatik nuk ndryshon shumë nga pushtetet e tjera.
Dhe çfarë mësimi u dhamë fëmijëve në fund? Që shtirja na bën të suksesshëm dhe të qënurit fëmijë në Shqipëri ta shpif. Prandaj le të vrapojmë të rritemi sa më shpejt që t’ua marrim fëmijëve të tjerë fëmijërinë.

SHKARKO APP