Fëmijët që nuk e lanë nënën të ikte vetëm
Albert Vataj
Jo nënë, nuk mund të ikësh duke na lënë vetëm! Vetëm, në këtë botë që kërkon të na lërë pa nënë. Vetëm, në këtë botë që mund të të japë gjithçka, por jo nënën. Nënën, që si çdo nënë e ligjësisë së jetës, që ka zbritur nga vullneti qiellor për të përmbushur misionin e saj, qoftë edhe përmes sakrificës.
Asaj nëne, me sa duket nuk i mjaftoi asgjë që dha për fëmijët e saj, ju kërkua shumë më shumë, për të cilën ajo nuk hezitoi. Ju kërkua të ikte, por pa mundur dot ta bënte këtë rrugë e vetme. Fëmijët ju vunë nga pas, pa e ditur nëse rruga e nënë së tyre ishte apo jo rruga e duhur.
Edhe pse nuk mund dhe nuk duhet të iknin kaq shpejt dhe në këtë mënyrë, nuk jemi ne ato që vendosim për një nënë dhe fëmijët e saj, se çfarë mbetet të bësh, kur i ke humbur të gjitha, edhe arsyen, forcën dhe besim për t’u ndeshur dhe për t’ia dalë.
Qëndrimi ende në një të sotme që zgjedh të jetë gjithnjë në anën e kundërt, me gjasë ishte bërë e padurueshme për këtë nënë, e cila pa asnjë shpresë zgjedh të bëjë hapat e fundit me fëmijët e saj, hapa që e çuan në rrugën pa kthim.
Të kapur dorë-përdore u fashitën në natën që po hidhte mantelin e zi mbi qytet, duke humbur sysh. E ashtu në heshtje janë hedh në lum, si mbi të vetmen prehje që ishte gati t’i priste në paqe. Kanë qëndruar disa çaste ashtu të ngjitur, ndoshta, por pa mundur të shkonin rrjedhës së ujit ashtu së bashku të katërt.
I përpiu nata dhe uji i ftohtë i Bunës, për t’i zhytur thellë në heshtjen e një zhurme që bërtet kujshëm dhe… drithëron çdo kraharor nëne, përlot çdo sy përjetimi, thyen çdo zemër e plagos çdo shpirt, që trishtueshëm u përfshi në këtë akt fundi fatal. Asnjë tragjedi si kjo nuk u ngjit në skenë pa zbritur më parë mbi të sublimiteti i dhimbjes dhe zbritur thellë e ngjeshur fort në ndjenjat tona të gatshme për t’u dhënë.
Ikën fëmijët me nënë, sepse nuk mund ta linin vetëm në rrugën që nisën së bashku, edhe pse kjo ishte rruga që i çon ata larg, shumë larg nga ky realitet, larg nga kjo botë, që ndoshta në pamundësi për t’i bindur të qëndronin, i udhëpriu kah vdekja si drejt të vetmes mundësi që u kishte mbetur.
E vetmja arsye për të qëndruar në një botë ku ikja është e vetmja zgjidhje, për dhunën që ushqen, për shtirjen që kërkon të të mashtrojë, për zemrat e kthyera në gurë dhe shpirtrat e shitur, është të ikësh, ndoshta jo tamam kështu.
Ata ju vunë nënës nga pas, sepse për ta kishte vetëm një dashuri, të cilës i besuan, dashuri e cila i lindi, i mëkoi dhe po i rriste, por pa mundur t’i mbante në jetë, në një fat që nuk zgjodhën ata, por ishin ata që e paguan me një çmim të shtrenjtë.
Ata e dinin se pa nënën, ata do të ishin të vetme, dhe duke ikur me të besuan te dashuria e përjetshme që lind me nënën, prej nënës dhe shuhet me nënën, gabuan, edhe pse ky ishte gabimi i parë dhe i fundit që ata bënë.
Këto fëmijë me ikjen, na mësuan se nuk është kufiri i jetës dhe vdekjes, ai që ndan të gjallët në një të tashme, por i urrejtjes dhe dhunës, i mosdashurisë dhe mospranimit. Duke u bërë të huaj, të ftohtë, indiferent, ne mësuam se jeta ka gjithnjë e më pak mundësi për të cilat i’a vlen të luftosh, por më shumë të zgjedhësh siç kjo nënë mbeti të pranonte si zgjidhje.
Ndoshta të gjithë vumë dorë në paqen e tyre tokësore, dhe për këtë nuk është vetëm një baba që akuzohet, por vetë jeta që njeh dhe promovon dhunën dhe poshtërsinë, si mënyrën për të komunikuar me botën dhe të dëgjohesh prej saj.
Ndoshta fati i keq i të lindurit në kohë të gabuar, ishte për këtë nënë dhe tre fëmijët e saj, po kaq mizor sa vdekja që pretendon të tregojë kaq mizorisht, se këtë të sotme nuk e ndryshon dot dhe as nuk e shpëton asgjë tjetër veç dashuria, një dashuri që ata zgjodhën ta pranojnë ndoshta në një botë që është më e përzemërt edhe pse më mizore.
Sot kur pas ka mbetur një re e zezë trishtimi që zymton jetën e çdo ndjeshmërie sociale, ajo që dëgjohet në këtë pështjellim dhimbje dhe faji, është një zë i shurdhër i arsyes që rreket të ngrihet mbi këtë atmosferë trishtimi, për të menduar dhe folur zëshëm, për të reaguar dhe vepruar që të tjerë të mos kenë këtë fund.
Një nënë që merr me vete në varr jo vetëm të vërtetën dhe fëmijët e saj, por duke lënë pas fajin e një nëne mizore, të një Medea tragjike, ishte, është dhe mbetet nënë, e cila si shumë nëna dhe gra të tjetër, në pamundësi për t’u ndeshur, për të luftuar ndoshta edhe të vetme, zgjedhin më mirë të ikin.
Kjo nënë që u hodh në krahët e vdekjes me tre fëmijët e saj, mbeti e vetme për të pamundur t’i japë jetës një drejtim tjetër dhe fëmijëve të saj një të nesërme ndryshe, ku të kishin ëndrra dhe dashuri që t’u plotësonte dëshirat e tyre. Po, të kishin dikë pranë edhe kur gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur, një zë që i thërret kur mbyten nga vetmia, një dorë që i ledhaton kur ndihen të lënduar, një buzë që i puth kur duan të ndezin diellin e dashurisë që po u shuhet, një prehër ku të prehen apo një sup ku të mbështeten, kur gjithçka është përmbys.
Ndoshta atyre nuk u kishte mbetur asnjë zgjidhje tjetër veç kësaj që na trishtoi siç edhe na bën fajtor.