Fijet që lidhin Tomën me Frrokun- Nga biznesi te politikë deri të përballja në Prokurori
Sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda deputeti Tom Doshi është ndjerë i prerë në besë nga kolegu i tij Mark Frroku. Kjo të po të kemi parasysh ballafaqimin e tyre në organin e akuzës, ku siç mësohet se ka qenë një debat me tone të larta. Doshi i ka thënë Frrokut: "Nëse je burrë, ngriji sytë lart kur flas dhe më thuaj që s'është e vërtetë. Si ka mundësi të më gënjesh kështu. Po i zë hasha fjalët e tua? Je bukë shkalë!".
Tom Doshi ka deklaruar se mësoi për atentatin ndaj tij pikërisht përmes kolegut Mark Frroku. Ky i fundit i ka treguar Doshit për shtetasin Durim Bami nga Fushë Kruja, i cili pretendohet që ishte porositur nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin dhe deputetin e PD-së Mëhill Fufi.
Por pavarësisht se ballafaqimi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mes dy deputetëve është ndoshta fundi i miqësisë së tyre, Tom Doshi dhe Mark Frroku kanë një të kaluar bashkëpunuese në politike dhe biznes. Bashkëpunimi i tyre në biznes është brenda dhe jashtë Tiranës, por që ende s’ka shumë të dhëna. Ndërsa bashkëpunimi politik daton që në pranverën e vitit 2013. Mark Frroku është i vetmi deputet i Partisë Kristian Demokrate. Falë mbështetjes së Tom Doshit, ai arriti të zgjidhej deputet në qarkun e Shkodrës, duke marrë 5.5% të votave. Frroku gëzonte mbështetje kryesisht në rrethin e Pukës dhe arriti të merrte mandatin e deputetit.
Sërish me mbështetjen e Tom Doshit, ai u bë pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Merrte pjesë rregullisht në këto mbledhje. Në janar të vitit 2014, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe njëkohësisht deputete e Shkodrës, e akuzoi publikisht Mark Frrokun se kishte qenë i dënuar në Belgjikë. Pas kësaj akuze të rëndë, Frroku i dërgon një sms Topallit: “Jozi me informuan për sulmin tënd në Parlament sot. Më erdhi keq që pikërisht ti e bën këtë gjë. Më ke akoma borxhe nga fushatat që kam bërë për ty, dhe me vjen keq që gjithë ata burra s’kane guxim dhe fshihen pas fustanit tënd. Unë s’merrem me gra të përdorura”,- thuhej në sms.
Pas këtij mesazhi, kryeministri Rama i kërkon deputetit Mark Frroku t’i kërkonte fjalje publikisht Jozefina Topallit. Por sërish në skenë shfaqet “mentori” i tij, Tom Doshi. Me mbështetjen e Tomës, Frroku as nuk i kërkoi falje Topallit dhe as nuk u përjashtua nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Pra, Tom Doshi ka qenë prezent në karrierën politike të Mark Frrokut që prej fillimit e deri në këto momente. Por miqësia dhe bashkëpunimi mes tyre duket se po zvenitet që pas nisjes së hetimit për akuzat e Doshit. Ky i fundit po kupton se ndoshta i gjithë “komploti i vrasjeve” ka qenë një kurth i Mark Frrokut. Është herët për ta thënë me siguri dicka të tillë sepse hetimet po vijojnë, por përballja e sotme mes dy deputetëve të lë të kuptosht pikërisht këtë gjë.
"Nëse je burrë, ngriji sytë lart kur flas dhe më thuaj që s'është e vërtetë. Si ka mundësi të më gënjesh kështu. Po i zë hasha fjalët e tua? Je bukë shkalë!”,- i ka thënë Doshi kolegut të tij Mark Frroku në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.