Financimi partiak në Shqipëri – xhungla gati e padepërtueshme

Partitë e një prej vendeve më të varfra të Europës paguajnë shuma të majme për lobing. Transparenca e financimit të tyre mund të quhet dështimi më i dëshiruar në politikën shqiptare. KQZ mbetet një tigër pa dhëmbë. Lajmi i publikuar nga revista amerikane “Mother Jones” ishte një bombë politike në Shqipëri. Sipas kësaj reviste, në favor të një fushate lobimi për Partinë Demokratike e të kryer nga Nick Muzin Company janë paguar qindra mijëra dollarë nga një firmë hije Biniatta Trade. Partia Demokratike e kundërshtoi ashpër artikullin. Ajo pranon kontratën me Nick Muzin, por thekson se pagesa e saj ka qenë vetëm 25.000 dollarë në muaj.

E mbetur pezull

Demokratët akuzojnë kundërshtarin politik për fushatë shpifjeje kundër PD-së. Por Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk e pranon këtë. Afera e parave prek edhe sigurinë kombëtare, thotë ai për Deutsche Wellen. “Kjo çështje është një çështje që prek sigurinë kombëtare të Shqipërisë, po të kemi parasysh edhe një prirje të kahershme të Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj. Ndoshta Shqipëria dukej i vetmi vend imun deri më tani.”

Një aferë me lëndë shpërthyese, po të kujtosh se tradicionalisht shqiptarët nuk e kanë parë si ndonjë vend-mik të veçantë Rusinë, përjashto kohën e miqësisë me sovjetikët në kohën e diktaturës. Po fusin hundët rusët edhe në Shqipëri? Politologu Afrim Krasniqi thekson se në Shqipëri “pranohet gjerësisht se asnjë parti politike shqiptare nuk përfaqëson ndikim rus në politikë.” Efekti i kësaj afere është më shumë politik, thotë ai. Për momentin çështja e burimeve financiare për fushatën lobuese të PD-së ka mbetur pezull, por edhe e pazbardhur përfundimisht.

Afrim Krasniqi spricht (DW)Afrim Krasniqi

Shuma luksoze që tejkalojnë buxhetin e shtetit

Ndërkohë që furtuna e ngritur për burime të pasqaruara financimesh duhet të ishte kthyer në një uragan të vërtetë derisa opinioni publik shqiptar të dijë se si e nga kush financohen partitë politike, të cilave votuesi u jep votën? Por heshtja flet nganjëherë më shumë. Dihet se transparenca e financimit të partive politike është një problematikë e vjetër në Shqipëri, një problematikë realisht gjithmonë e dështuar.

Prej vitesh partitë politike japin shuma luksoze për të lobuar jashtë apo për të organizuar fushata e mitingje që në një vend të varfër si Shqipëria tingëllojnë më shumë si tallje për njerëzit në nevojë. Rreth 2 milionë euro dhanë tre partitë kryesore politike për lobim në SHBA në vitet e fundit, sipas Institutit të Studimeve Politike në Shqipëri. Ndërkohë buxheti i shtetit shqiptar jep mesatarisht (sipas vitit zgjedhor) rreth 2 milionë dollarë (rreth 1,6 milionë euro) për të gjitha partitë politike në Shqipëri. Nga vijnë kaq shumë para?

Drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi, që e vëzhgon prej vitesh këtë problem, konstaton një sistem klientelist dhe abuzues.”Formalisht partitë i deklarojnë financimet e shpenzimet, por pa dhënë detaje mbi pagesat. Shifrat e deklarimit jashtë sistemit (pa transparencë e deklarim të rregullt në KQZ) janë shumëfish më të mëdha.”

Mungesa e transparencës së financimit – problem rajonal

Një problem që nuk prek vetëm Shqipërinë. Johanna Deimel, eksperte në Shoqatën e Europës Juglindore thekson për DW se është shumë e vështirë t’ia gjesh burimin fluksit të parave që hyjnë tek partitë e vendeve të Ballkanit. “Problemi i financimeve të fshehura apo ilegale të partive dhe mungesa e transparencës bën pjesë ndër problemet kryesore në rajon. Paratë rrjedhin ose drejt e tek politikanët apo partitë, ose jo drejtpërdrejt përmes kanaleve të tjera, si financimi i mediave përkrahëse apo firmave të rëndësishme e besnike.”

Südosteuropa Gesellschaft, Johanna Deimel (Südosteuropa Gesellschaft)Johanna Deimel

KQZ- Tigër pa dhëmbë

Institucioni më i rëndësishëm i kontrollit për partitë politike në Shqipëri është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por ai i ngjason më shumë një tigri pa dhëmbë. E si mund të jetë ndryshe, kur anëtarët e tij përcaktohen nga partitë proporcionalisht, e më pas ky komision emëron auditët, që do të kontrollojnë partitë. E kush e kafshon dorën që e ushqen?

Partitë bëjnë sikur kontrollojnë veten, por realisht krijohet një qark i mbyllur. Kushte më të favorshme për të vazhduar lojën e vjetër kukafshehthi të financimeve zor se gjen. Politologu Afrim Krasniqi, i cili ka ndjekur edhe raste kur deputetë shqiptarë flisnin hapur për qindra mijëra euro të paguara për partitë, pa asnjë pasojë konkrete, është mjaft kritik. “Arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje është konsesusi politik për të evituar transparencën financiare për shkak të shpenzimeve të larta që kanë fushatat elektorale dhe tregut informal që funksionon në këto fushata.”

Problemet i pranoi edhe kryetari i KQZ-së, Klement Zguri para Komisionit Parlamentar të Ligjeve para disa ditësh. “Partitë politike në njëfarë mënyre tentojnë për të fshehur, ndërkohë që institucioni do të kërkojë transparencë…do të kemi punë.”

Zentrale der Wahlkommision in Tirana (DW/ Arben Muka)

“Baza ligjore është gjysmake”

Kush kërkon transparencë duhet t’i drejtohet ligjit, mund të thotë dikush. Por partive shqiptare duket sikur u vjen në ndihmë edhe ligji. “Baza ligjore është gjysmake, e bazuar në verifikimin formal të deklaratës e pa forcë konkrete verifikimi në burimin e financimit, legjitimitetin e financimit he konfliktet e interesit”, kritikon Afrim Krasniqi.

Edhe OSBE pranon problemet me legjislacionin në një prononcim për Deutsche Wellen, ku theksohet se në legjislacion ka ende boshllëqe që duhen plotësuar. “Ligji nuk garanton transparencë të mjaftueshme për raportimin e financimit të fushatave, pasi nuk imponon detyrime raportimi para ditës së zgjedhjeve.” OSBE kërkon që “KQZ-kja, ekspertët financiarë dhe votuesit duhet të kenë akses në informacion të plotë rreth financimit. Financimet e partive politike duhet të dalin në dritë, që qytetarët shqiptarë të informohen se kush financon dhe kush influencon në skenën politike të vendit të tyre.”

Kërkesë e drejtë por që në Shqipëri tingëllon si një ëndërr e largët, aq larg sa ç’duket për momentin edhe anëtarësimi në BE. Sepse pa hyrë drita në xhunglën e financimeve të partive shqiptare, që publiku të ketë siguri se aty nuk kanë dorë grupet kriminale, BE do ta mbajë Shqipërinë tek pragu, por nuk do ta fusë brenda.

SHKARKO APP