Fitimtarët janë gjithmonë të përkohshëm

Pak rëndësi ka kush do të jetë kryetari i ri i bashkisë; një i majtë nga njerëzit e Rama&Meta&Idrizit apo një i majtë nga Agron Duka në koalicion me një parti gjithashtu të majtë si PD-ja. Historia modeste dhe e trazuar shqiptare pikërisht një gjë të tillë ka dëshmuar: fitimtarët janë gjithmonë të përkohshëm. Të përhershme janë vetëm betejat. Sidomos ato që bëhen në emër të paqes.

Nga Lorenc Vangjeli

Kalendari tregon se janë të paktën dy beteja në prag. Beteja të cilat në rrethanat që zhvillohen dhe në hapësirën ku pritet të ndodhin, ngjajnë sipas traditës më të keqe shqiptare, si dy beteja të pashkëputura në një luftë finale.

E para është ligji për importin e mbetjeve,

E dyta, fushata e parakohshme zgjedhore në Kolonjë.

Veç e veç dhe në një vend normal, ato duhet të ishin ngjarje normale, por as Shqipëria nuk e është për fat të keq një vend i tillë, dhe as politika që furnizon me dinamit çdo ditë të vitit në vend, nuk ka ende lidhje me normalitetin.

Me të gjitha gjasat – e ka paralajmëruar dhe vetë një gjë të tillë dhe nuk ka asnjë shans të ndodhë ndryshe – Presidenti i Republikës do ta kthejë pas ligjin për importin e mbetjeve. Dekreti i tij do të jetë kundër 63 votave të maxhorancës që e votuan atë dy javë më parë. Zoti Nishani do ta bëjë një gjë të tillë për shumë e shumë arsye, por arsyet nuk janë pothuaj fare të natyrës teknike, edhe pse premtohet se do të diskutojë me specialistë, nëse plastika apo letra vlen të importohet si mbetje për t’u ricikluar apo bashkë me letrën dhe plastikën mund të hyjnë dhe bomba ekologjike. Në një politikëbërje me formën, ngjyrën dhe shijen e plastikës dhe përshtatshmërinë dhe ndryshimin në formë të plastelinës, fjala e specialistëve është ambalazh që mund të riciklohet nga çdo palë. Arsyet e refuzimit të Presidentit janë thjesht dhe ngushtësisht politike. Në formë dhe në përmbajtje. Partia Demokratike, opozita që e kundërshton sot ligjin, e ka miratuar vetë atë vetëm pak vite më parë dhe mbi të gjitha, ka marrë vendim për ta refuzuar atë, vetëm pesë minuta para momentit të kartonit dy të enjte të shkuara. Deri në atë çast, në PD nuk kishte një vendim politik që ta kundërshtonte dhe as nuk e kishte kundërshtuar që në fillim të verës kur projektligji hyri në diskutim në komisionin e Shalsit. Vetëm mbasi kundërshtimi i ligjit u duk një kalë i mirë beteje, po atë mbrëmje të së enjtes, ligji u kundërshtua “live” në debat televiziv tek “Opinion”-i i Fevzut nga kryetari Basha.

Kush thotë të kundërtën ose nuk di rrethanat dhe është i painformuar, ose nuk ka lidhje as me rrethanat dhe as me informimin.

Janë të gjitha gjasat që opozita këtë dhuratë të papritur për të nesërmen e ndeshjes së saj politike, pas një serie humbjesh, duhet ta shohë nën prizëm politik që të marrë maksimumin e mundshëm në ndeshje me kundërshtarët. Dhe kjo ka të bëjë me shifrat e deputetëve që pavarësisht ngjyrës e rreshtimit, kanë vokacion të përkundërt me ligjin. Nëse ajo shifër – shumica e thjeshtë që duhet për rrëzimin e dekretit tyë ardhëm të Presidentit – është nën numrin magjik 71, atëherë me siguri opozita ka arritur një fitore domethënëse. Por vetëm duke shkuar në “betejë” me bindje dhe jo me hile. Duke qenë e sinqertë dhe jo duke gënjyer si vajzat në marrëdhënien e rradhës për marrëdhëniet e së shkuarës. Qoftë dhe duke parë se në çfarë mënyre do të mund të votonte nesër Meta e LSI apo Idrizi e PDIU që fitoren apo humbjen e kësaj beteje tashmë të personalizuar të kryeministrit Rama, do të mund ta shihnin në optika të ndryshme, me aritmetikë të ndryshme dhe llogari po të ndryshme. Por që në thelb janë e njëjta gjë.

Një histori e ngjashme është projektuar të ndodhë edhe në zgjedhjet lokale për bashkinë e Kolonjës. Humbja e jetës së ish-kryetarit të bashkisë ishte një aksident i trishtueshëm që çoi në zgjedhje dhe jo një betejë apo një kauzë e thirrur nga opozita. Ajo është një ndeshje lokale, tërësisht periferike. Madje për shkak të rrethanave edhe shumë herë më e parëndësishme se zgjedhjet e Dibrës që palët e luftuan si të ishte Stalingradi i tyre duke e menduar secila kundërshtarin të urryer si nazistët në Stalingrad. Ka më shumë shanse të fitojë kush e quan betejën ndeshje dhe jo kush e konsideron atë si një hallkë të fundit të betejës finale. Që e konsideron garën “stërvitje” elektorale për aleanca elektorale, për taktika dhe strategji elektorale. Pak rëndësi ka kush do të jetë kryetari i ri i bashkisë; një i majtë nga njerëzit e Rama&Meta&Idrizit apo një i majtë nga Agron Duka në koalicion me një parti gjithashtu të majtë si PD-ja. Historia modeste dhe e trazuar shqiptare pikërisht një gjë të tillë ka dëshmuar: fitimtarët janë gjithmonë të përkohshëm. Të përhershme janë vetëm betejat. Sidomos ato që bëhen në emër të paqes. (Javanews.al)

SHKARKO APP