Fitorja e kryeministrit dhe peshkaqenët që pluskojnë në pishinën e tij
Nga Artur Zheji
Ka fituar. Thellë dhe në mënyrë të parashikueshme, duke zbatuar me sukses dhe saktësi, skemën që vuri në sprovë në zgjedhjet lokale për bashkinë e Peshkopisë. Nga njera anë “ushtria” e dukshme e Partisë Socialiste, koordinatorët e saj veshur me pushtet, kandidatët për deputetë me blloqe në dorë që mbaronin punë të vogla të komuniteteve të ndryshme dhe nga ana tjetër ushtria e padukshme, e koordinatorëve të vërtetë dhe pa teserë partie. Koordinatorët me lekë në dorë, me blloqe borxhesh që griseshin në këmbim të votës, apo me kërcënim të drejtëpërdrejtë të banditëve lokalë për zgjedhës e komisionerë.
Tani fitimtari, që ka fituar betejën e numrave politikë, por ka humbur çdo betejë morale në sytë e të gjithë atyre që kanë sy, do të duhet të kënaqë dy palë grupesh interesi në të njejtën kohë.
Edhe popullin, që njëkohësisht e votoi, që njëkohësisht e bojkotoi dhe që njëkohëisht ja shiti votën, në mënyrë të pafajshme dhe të fajshme njëkohësisht, por në rradhë të parë, fitimtarit i duhet të kënaqë peshkaqenët që shqyen votat në të gjithë Shqipërinë me thasë të gatshme parashë të thata.
Dhe peshkaqenët e shumtë, pjesë të fitores edhe ata, duan në këmbim, llokma të majme konçesionesh, llokma biznesesh të shpërndara në territorin e tyre, por mbi të gjitha vazhdimin e patrazuar të trafiqeve shumë fitimprurëse, që po e shqetësojnë sidomos Italinë dhe Greqinë fqinjë, me fluksin e shtuar dhe të pandërprerë.
Se si dhe se me çfarë, do ta gjejë këtë ekuilibër fitimtari i këtyre zgjedhjeve, është sigurisht punë e tij, porse pasojat do të bien mbi të gjithë shqiptarët dhe këtu e në këtë pikë, niveli i rrezikut është shumë i madh.
Të fortët dhe peshkaqenët lokalë votë mbledhës, do të ngrenë çdo ditë pazarin e tyre dhe do të kërkojnë përveç llokmave, edhe poste përfaqsuese në të gjitha nivelet e qeverisjes vendore e qëndrore, duke u shndëruar në një mafie reale dhe në shushunja shtesë, sepse përveç barrës së taksave të qeverisë, shqiptarëve do tu duhet të paguajnë edhe taksa të tjera, për të fortët, trafikantët dhe nipçet e tyre në pushtet.
Pishina kryeministrore pra, është shndrruar tanimë në një hauz, në një pellg apo në një akuarium gjigand, që pluskon nga peshkaqenët votëmblerdhës dhe votësjellës, që kanë parkuar te “dera e pasme” e shtëpisë së tij, ku dhe ai takohet pa protokoll me kapot e tyre.
Ata janë të harxhuar dhe të uritur dhe sigurisht ambiciozë për një jetë më të mirë dhe më të pasur dhe në konkurencë ndërpeshkaqenore, të paparë me njeri tjetrin. Që nuk përjashtohet të vrasin edhe njeri tjetrin për të njejtën llokëm, sepse peshkaqenëria mafioze, nuk ka lluksin të ketë burgje, apo dënime të pjesshme, ajo njeh vetëm dënimin me vdekje, që është më i shpejtë, më i lirë dhe më praktik…
Fitimtari pra, apo tepsimbajtësi i vetëm i të gjithë pushtetit, duhet të dalë çdo pasdite te pishina e tij e fshehtë kryeministrore, me një tepsi me mish të freskët dhe të ushqejë peshkaqenët e tij të shumtë, me mish të freskët Shqipërie, duke na zhvatur të gjithëve përditë e më shumë.
Por nuk përjashtohet rasti, që edhe peshkaqenët të bëjnë kryengritje nga mosushqimi, ose nga ushqimi i pakët dhe të sulmojnë ata vetë padronin e tyre. Dhe fitimtari, të cilit i duhet të ushqejë një ushtri shumë të madhe llupsash, që jetojnë për të ngrënë dhe që nuk hanë për të jetuar do të ketë herët a vonë, jo pak probleme me ta.
Kështu që për të siguruar ushqim të bollshëm për peshkaqenërinë e shtuar në mënyrë të pabesueshme, fitimtarit do ti duhet të gjejë burime të reja dhe të shpejta finaciare dhe fitimpsjellëse. Mirëpo Shqipëria është shitur dhe blerë pothuajse e gjitha. Poshtë dhe sipër, anash dhe në buzëdet, në Veri dhe në Jug, në Lindje dhe në Perëndim, në ajër dhe ndër puse, në pyje dhe në tunele nëntoksore ku punojnë milingonat e nënpaguara ose minatorët…
E pra, fitimtari dhe timonieri i vetëm, tepsimbajtësi i përgjithshëm, do ti kthehet përsëri rrugës së sprovuar të superfitimeve të shpejta, rimbjelljes me “bar” të fushave, luadheve, livadheve dhe lëndinave, duke ristrukturuar përfundimisht prodhimin dhe trafikimin kombëtar dhe ndërkombëtar të bimës magjike e narkotike, që e mbajti në pushtet. /360grade.al/