Fitorja e ndryshimit në Rumani

Rivali i tij, kryeministri Viktor Ponta ndodhej deri në momentet e mbylljes së kutive të votimit me rreth 50% të votave dhe më afër fitores. Por vetëm pak minuta më parë, ai pranoi humbjen.
“Populli ka gjithmonë të drejtë”, deklaroi ai para kamerave duke sinjalizuar kështu një kalim paqësor të pushtetit.
Ponta do të vijojë të jetë kryeministër por nuk është çudi që presidenti i ri të kërkojë një ndryshim në kabinet.

 

Ponta nuk do ta njihte Kosovën

Shumë shqiptarë kanë uruar fitoren e Pontës dhe janë zhgënjyer sot kur panë që humbi. Arsyeja ka qenë se një vit më parë, kryeministri rumun tha se Rumania duhet ta njohë Kosovën.
Po kjo ka qenë një pritje e gabuar për shumë arsye. Së pari, Viktor Ponta e bëri këtë deklaratë më shpresën për të rritur mbështetjen e tij nga vendet perëndimore gjatë një dyeli politik me presidentin e atëhershëm rumun Basesku.
Mirëpo, Ponta vjet ishte edhe një politikan që fliste kundër korrupsionit dhe në favor të një ndryshimi në Rumani.
Qysh atëhere kanë ndryshuar shumë gjëra. Skandale të jashtëzakonshme zbuluan zhytje të thellë në korrupsion të Pontës dhe rrethit të tij. i përballur me një minoritar si rival për postin e presidentit Ponta transformoi retorikën e tij në një nacionalizëm të shfrenuar dhe afroi afër vetes komunistët më të pareformuar të vendit.
Në këtë kontekst, ai u tërhoq edhe nga qendrimi tij pozitiv për Kosovën. Nacionalizmi në Rumani e sheh Kosovën vetëm si një arsye për shkëputje nga pakica hungareze. Nuk ka politikan rumun që flet gjuhën e nacionalizmit që do të pranonte të njihte Kosovën.
Një Rumani më demokratike dhe më europiane është një Rumani më e mirë për Kosovën. Udhëheqës që transformohen në diktatorë të vegjël, versione putiniste në rajon janë me rrezik. Një i tillë është Orban në Hungari. Të tillë mund të bëhen edhe Vuçiç në Serbi apo Gruevski në Maqedoni, nëse i përdorin shumicat e tyre masive në parlament vetëm për interesa partiake e personale, duke mbytur tolerancën, kritikën dhe opozitën në vend..
Ne duam një rajon që hyn në mënyrë të natyrshme në Europën e bashkuar dhe jo një rajon poroz ku Putini dhe forcat që nuk u intereson stabiliteti dhe begatia në Ballkan të mund të luajnë lojërat e tyre të rrezikshme.
Sot, duhet të gëzohemi njësoj si të rinjtë e mërgimtarët rumunë.

 

Dy shenja të fitores

Kjo fitore e një kandidati që foli për ndryshim dhe që nuk njihet nga klasa politike rumune shënoi dy ngjarje interesante.
E para, ishte roli i jashtëzakonshëm i rrjeteve sociale. Nga Facebook, në Twitter etj, mobilizimi i njerëzve ka qenë i jashtëzakonshëm. Ndërsa ashtu si në shumë vende lindore, qeveria e Pontës censuroi televizionet duke abuzuar drejtpeshimin e pasqyrimit të fushatës, të rinjtë dhe aktivistët që donin ndryshim, sidomos në qytetet kryesore luftuan nëpërmjet interenetit.
Është një fenomen që po shpërndahet kudo, ku monopoli i informacionit po rrëshket nga duart e qeverive dhe televizioneve shtetërore. Kjo është një demokraci e re.
E dyta, ishte dukuria e rolit të diasporës. Ndërsa në Rumani beteja ishte ashpër dhe rezultati gati majë më majë, në diasporë, mërgimtarët rumunë u vendosën hapur në krah të Iohannis-it, i cili qytetin e tij të harruar e ktheu në një Kryeqytet të Kulturës, afroi biznese të jashtëzakonshme dhe krijoi një mentalitet të ri në institutcionet dhe jetën publike.
Mërgata rumune ashtu si mërgatat e shumë vendeve të tjera kanë fuqi të madhe ekonomike nëse vërtet shohin ndryshime serioze në vendet nga kanë origjinën. Po nëse në Shqipëri ende mungon e drejta për votim në vende si SHBA e Europa Perëndimore, Rumania e ka ftuar me kohë diasporën që të votojë.
Kjo votë sot bëri ndryshimin. Që kur u mor vesh se zgjedhjet në Rumani kishin dalë gati barazim, shumë analistë parashikuan humbjen e Pontës. Në disa pjesë të Perëndimit votat mund të kenë qenë edhe katërfish në favor të kryebashkiakut me origjinë gjermane.
Qeveria e Pontës, në një përpjekje të turpshme, bëri një provë të fundit, duke ua vonuar procesin, duke krijuar kushte jashtëzakonisht të vështira. Mirëpo, për mrekullinë e mediave perëndimore që i ndoqën, mërgimtarët rumunë qendruan deri edhe 7-8 orë në radhë për të votuar.
Për shqiptarët që në numra kaq të mëdhenj jetojnë jashtë e që mundësitë dhe lidhjet e këtushme për shembull në SHBA i kanë shumë të mëdha, kjo ngjarje sjell vetëm besim se një ditë edhe shqiptarët e Amerikës do të kenë një rol më të rëndësishëm në vendet nga vinë. Një fjalë që fillon me votën dhe përfaqësimin dhe që vazhdon me investimet dhe një rol më të drejtpërdrejtë në zhvillimet e vendit.
Në një botë globale si kjo që jetojmë, largësia e mërgimit nuk është më përjashtuese.

 

Hap pas hapi

Një zgjedhje e një politikan nuk mund të bëjë mrekullira.
Klaus Iohannis do të gjejë në Bukuresht rrjete korrupsioni e lidhje të çimentuara prej dekadash që nga koha e komunizmit. Ai mund të sjellë ndryshime, por ato mund të jenë vetëm shkallë-shkallë.
As vetë Iohannis nuk është ëngjëll. Ai qysh tani ka filluar të jetojë në një shtëpi tepër luksoze për rrogën e tij dhe të ketë një rreth politik në bashki që nuk rrëzohet lehtë. Mirëpo në krahasim me makutërinë e Bukureshtit, ajo çfarë shihet te ai është gati normale.
Korrupsioni nuk hiqet me një udhëheqës apo me një parti e qeveri të re. Mirëpo, çdo fytyrë e re në politikë çorienton sistemin e korrupsionit. Çdo ndërrim qeverie, çdo rrëzim nga kolltuku sjell një ripozicionim të lidhjeve korruptuese. Këto ndryshime dalëngadalë thyejnë monopolet e fuqishme.
Fitorja mbi korrupsionin vjen nga “pluralizimi” i tij, nga kompleksiteti i pazareve, nga hyrja në skenë e politikanëve të rinj që ngushtojnë hapësirën e prishin harmoninë. Në fund, shteti fillon të bëhet krahasimisht më i fortë. Në fund, fillon aleanca me ligjin e disa prej rivalëve në betejën e brendshme të korrupsionit.

Ku është Shqipëria në këtë drejtim?
Vitet e anti-korrupsionit 2005-2006, të PD-së kur sa erdhi në pushtet ia lanë vendin apatisë dhe sidomos çakërdisjes së qeverisjes së dytë në aleancë. Pushtetarët e rinj premtuan “Rilindjen” dhe një numër treguesish janë përsëri pozitivë dhe zemërdhënës, sidomos në sektorin e doganave. Mirëpo, në një shoqëri kaq të vogël lidhjet e korrupsionit shkojnë përtej partive. Ajo që ndodh është se me kalimin e vrullit të fitores dhe idealizmit fillon droja për të mos humbur pushtetin. Fillon kompromisi me komprometimin.
Pushtetarët kanë nevojë për ndihmën e zgjedhësve që të largohen nga pushteti përpara se korrupsioni t’i vendosë për fund. Në Shqipëri loja e dënimeve serioze për korrupsion duket ende larg. Por kështu dukeshin edhe ndryshimet në Lindje kur komunizmi ende ishte në fuqi. Pastaj pamë sesi ra Çaushesku, pikërisht siç pamë humbjen e Pontës dhe ngritjen e dëshirës për ndryshim.
Shqiptarët nuk janë imunë ndaj zhvillimeve përreth nesh. Nëse Rilindja nuk plotëson premtimet, shqiptarët janë gati të rilindin përsëri. Nëse në Kosovë e në Maqedoni elita politike mendon se ndryshimet janë bërë vetëm që të përfitojnë ata dhe familjet e tyre, ndryshimi po vjen edhe aty.
Sot ishte beteja mes Pontës dhe Iohannis po ishte edhe për diçka më shumë. Nuk ishte vetëm për rumunët. Ishte edhe për ne. Gjithmonë është.

SHKARKO APP