Fitorja e Syriza në Greqi rrezikon të trazojë edhe rajonin
Rritja e partive populiste pritet të shkaktojë një valë tronditëse në mbarë Bashkimin Europian. Një studim i Njësisë Inteligjente Ekonomike (EIU), i kryer për llogari të rrjetit BBC, parashikon se në disa vende ku do të ketë zgjedhje të përgjithshme, parti të mëdha do të jenë të detyruara të bëjnë koalicione të paimagjinueshme deri më parë. Studimi tregon se në zemër të politikës eruopiane, aty ku duhet të zhvillohen idetë e mëdha, është krijuar një boshllëk i madh. Pjesëmarrja gjithnjë e më e ulët në zgjedhje dhe rënia e anëtarësimeve në partitë politike tradicionale janë shkaqet kryesore të këtij fenomeni.
Situatë tepër e paqëndrueshme
“Mbretëria e Bashkuar, që do të ketë zgjedhje në maj, parashikohet të jenë në fillimin e një periudhe të gjatë të paqëndrueshmërisë politike”, thuhet në studim. Ekspertët e Njësisë Inteligjente Ekonomike janë të mendimit se, kësaj here, ka shumë më tepër mundësi që zgjedhjet të prodhojnë një qeveri të paqëndrueshme, pasi partia populiste UKIP do të marrë vota nga dy partitë tradicionale, laburistët dhe konservatorët. Fragmentimi i votës, do ta bëjë të vështirë formimin e qeverisë në Britaninë e Madhe.
Por sfida më e afërt -dhe testi për të parë se sa do të përkthehet në sukses populizmi -është në Greqi. Zgjedhjet e parakohshme mbahen këtë të diel, më 25 janar, për shkak se parlamenti dështoi në zgjedhjen e presidentit në dhjetor.
Sondazhet flasin për një fitore të partisë populiste të ekstremit të majtë, Syriza. Nëse kjo parti do të fitojë dhe do të arrijë të formojë qeverinë, EIU parashikon se vala tronditëse e këtij zhvillimi do të shpërndahet në mbarë Bashkimin Europian dhe do të veprojë si katalizator për turbullira politike në vende të tjera.
“Zgjedhja e një qeverie të Syriza-s do të jetë tepër destabilizuese, si për Greqinë ashtu edhe për rajonin. Me siguri ajo do të shkaktojë një krizë në marrëdhëniet mes Greqisë dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë, pasi kundështimi i boxhit është pikë kryesore e plaftormës së saj”, theksohet në studim.
Emigracioni dhe masat shtërnguese
Parashikimet se në Europë zgjedhjet mund të prodhojnë rezultate të paparashikueshme përfshijnë edhe Danimarkën, Finlandën, Spanjën, Francën, Suedinë, Gjermaninë dhe Irlandën. Njësia Inteligjente Ekonomike thotë se këto vende kanë një emërues të përbashkët: rritjen e partive populiste.
“Ndjenjat anti -unionit janë rritur në të gjithë zonën Euro e madje edhe përtej Bashkimit Europian. Dhe rreziku i përçarjes politike dhe ai i krizave të mundshme është shumë i lartë.” Në analizën e ekspertëve të EIU theksohet se partitë dhe lëvizjet populiste – në të djathtë, të majtë dhe kahe të papërcaktuar – po lëvizin në hapësirën e krijuar mes partive të vjetra politike dhe bazës së tyre shoqërore. Kundështimet ndaj qeverisjes nga Brukseli, të emigracionit dhe të masave shtrënguese janë tema kyçe që po bashkojnë zëra në shumë nga këto parti.
Rritje e shpejtë e protestave
Bashkë me rritjen e lëvizjeve populiste, ka pasur një rritje të shpejtë të protestave popullore në shumë pjesë të botës, gjatë këtyre viteve të pundit. EIU vlerëson se protesta u shfaqën në më shumë se 90 vende gjatë 5 viteve të fundit, në të shumtën e rasteve të drejtuara nga të rinj, të edukuar, përfaqësues të shtresës së mesme, që nuk i durojnë udhëheqësit e tyre politikë dhe që preferojnë Twitter -in dhe rrjete të tjera sociale, në vend të mbledhjeve tradicionale të partive politike.
"Një rritje e shpejtë e protestës popullore ka përfshirë Evropën, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Amerikën Latine në vitet e fundit. Rajone të tjera, të tilla si Azia dhe Amerika e Veriut kanë qenë më pak të ndjeshëm, edhe pse nuk kanë i kanë shmangur dot plotësisht ato”, thotë EIU.
“Shkaqet e këtyre protesave kanë qenë të ndryshme – disa kanë qenë kundërpërgjigje ndaj shqetësimeve të krizës ekonomike, disa të tjera ishin revolta kundër regjimeve diktatoriale; të tjera janë shprehje të një dëshire popullore që zëri i masës të dëgjohet nga elitat politike, të tjera shprehin aspiratat e klasës së mesme për tregjet në zhvillim”.
Të gjitha këto zhvillime ngrenë pyetjen: a paraqesin ato një rrezik për demokracinë, apo janë provë se demokracia është ende e gjallë dhe e shëndoshë? Nëse e marrim Pranverën Arabe si një trampolinë për demokracinë në një rajon ku demokracia mungonte dukshëm, rezultati deri tani ka qenë padyshim një ndryshim i kufizuar demokratik dhe trazira të mëdha. Dhe ndikimi i lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong, për shembull, mbetet ende i paqartë – protestuesit kanë hedhur poshtë propozimet e Pekinit për mënyrën me të cilën Hong Kongu do të jetë në gjendje të zgjedhë udhëheqësin e vet, pasi e kanë konsideruar si “demokraci të rreme”. Dhe në vendin më të populluar të botës, demokracia e stilit perëndimor nuk duket gjëkundi në horizont – edhe pse ky pozicion mund dhe do të jetë i qëndrueshëm për një kohë të pacaktuar përballë trendeve demokratike në vende të tjera në Azi, ndërsa zgjerimi i shtresës së mesme në Kinës është një çështje tjetër.
Tani për tani, fati i paparashikueshëm i demokracive “të vjetra” do të vëzhgohet padyshim nga afër nga qeveritë dhe aktivistët e të gjitha ngjyrave politike në mbarë botën.