Fjalori shqiptar

Nga Ilir Levonja

Një opinion i tërë beson se ne shqiptarët vetëm kombëtarja na bashkon. Pa përjashtim…, të madh e të vogël. Madje edhe dekori, ngjyra e kuqe, shqiponja e zezë. Xhamadani vija-vija. Qeleshja me shqiponjën dy krenare. (Për aq e aq vite nuk çohej nëpër mend e shkreta. Madje mjerë kush e përmende jo ta vendoste në kokë.) Megjithatë në këtë dalldi të kuqe, vlon si jehonë gjithnjë një thirrje. O sa mire me qënë shqiptar, o hej, o hej, ohej.

Dhe çdo frymë kohë, një kujtesë po në thirrje; një komb, një atdhe, një gjuhë, një flamur.  Pastaj prapë xhamadani vija-vija ja Kosova ja Shqipëria. Ovacione qeleshesh. Dallgë shqiponjash. O hej, o hej, o hej… Dalldisë plot brizë zërash që të kujtojnë jehonat në alpet e këtij e dheu, bash mu në mes rë ashtit të tij. Në kërthizën e tij, nga dje u shtua edhe keqardhja e përbashkët. Trishtimi i përbashkët…, ose paaftësia e minutës 92'.  Dukej se bash ai asht kërthizor i jehonës o hej, o hej, o hej…., u përfshi në gjendjen e natyrës pas shiut. Në atë qetësi pikëllimi prej floriri dromcash. Ku këtej avullon kurmi…, e dielli ngrihet përditmërisht njësoj. Pra një vraje e përbashkët. Një dhimbë a trishtim i përbashkët. Ashtu sikur edhe natyra në luginat dhe lugjet e atij ashti kërthizor kullon po, përbashkësisht. Pasi qofshin edhe në skajin jugor, Patagonian e Argjentinës. Ata qeleshexhinj, kuqaxhinj apo xhamadan shqiponjaxhinj. Kanë kërkuar leje nga puna, janë mbledhur diku. Qoftë në shtëpinë njërit prej tyre, në një local po shqiptar. A, edhe atje përjashta a brenda ku punojnë, ndjekin në celularë atë luginën e kuqe ku rrotullohet një top. Dëgjojnë të dënuar mirësisht xhamdanin vija-vija. Dhe brizën drithëronjëse, o hej, o hej, o hej…

Po ku ndahen shqiptarët atëherë? Ende pa u larguar nga dalldia o hej, o hej o hej…, që çuditërisht është më e madhe se bota. Përhapet dalldia tjetër…, lexojini dhe mëshirojeni. (Eshtë mirësia e modernizmit, mëshira.) Barku i pushtetit tuaj gëlltit gjithçka. Horra, ndyrësira, qelbësira. Kriminelë. Vrasës. Hajdutër. Burra kurvash. gra kurva…, lavire. Turkoshak. Me një fjalë me mentalitet Turku. (Këtej presim inagurojmë fushata synetllëku, i marrim para Erdoganit për të ndërtuar besimin tone.) Mafiozë, familje mafiozësh. Ju doni varur në litar. Të gjithë në burg do përfundoni. Keni vjedhur sa keni qënë në pushtet. Keni vrarë. Hajdutë që po vidhni tani. Pushtet i familjes. Çunat e grupit. Pushta. Njerëz të sigurimit. Me dosje. E ke pseudonimin qukapiku. Plepi, Nëpërka. Të hapen dosjet. Po nuk i hapni ju. Keni veten brenda. Pizevenë. Tregoje me kë pive kafen mbrëmë. Jo po tregojua shqiptarëve. Prapë qelbësirë. Nga ana tjetër, koha. Përballë situatave të tilla, fare të pakta parlamentare. Pasi demokracia në Shqipëri është një bina prej konstrukti rakitash. (Përtekash). Kanë ekzistuar edhe zëra që thjesht kanë pasqyruar realitetin. Por që ushtria e turkoshakëve modernë i ka përdorur për interesin po turkoshak. Duke i quajtur si demaskues të këtij apo atij regjimi. Në fakt ata ishin thjesht, pasqyrues të realitetit njerëzor. Atij që nuk i përket as njërës dhe tjetrës palë… Realitetit të shoqërisë, popullit. I tillë ishte Nonda Bulka. Ja realiteti i tij për shoqërinë. Përballë realiteti të atyre që kanë dhe përdorin fjalorin e mësipërm. ''Shën Maria hesht!

Që nga larg, zhurma e muzikës së radios tingëllon në veshët e mëmës. Dhe djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë.

-Nëno!

-Bir!

-S'jam mirë!

-T'u bëfte nëna, fli!

Dhe djali fle përsëri. Dhe mëma qëndron si shtatore! Hedh sytë tej e përtej, vështron koren, vështron djalin dhe psherëtin thellë. Dhe djali fle! Mëma i ve dorën në ballë! Balli është i ftohtë! Mema i trazon dorën. Dora ka ngrirë. Mema e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjete. Mëma qan me zë, por djali nuk zgjohet. Dhe zërit të mëmës i përgjigjet heshtja e natës. Kora përkarshi vështron dhe hesht. Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje. S'u prish bota, as fukuaralleku s'mori fund.''

Megjithatë sot mjerimi është më modern. Ka emrin papunësi, pasiguri, drogë, prostitucion etj. Prit me sytë nga deti. Nga azilet politike dhe nga teserat e partisë. Kush i bashkon pra dhe kush i ndanë shqiptarët.? Dhe a kanë lidhje me kombin, kombëtaren, realitetin e shqiptarëve ndarësit e tyre? O hej, o hej, o hej…. 

SHKARKO APP