FMN-ja dhe Evropa të ndarë për Greqinë

 

FMN-ja vë si kusht që t'i japë Greqisë përsëri para që evropianët të heqin dorë prej pjesës së luanit të pretendimeve të tyre kundrejt Athinës.

Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk e konsideron Greqinë të aftë për të shlyer borxhin. Kjo lidhet me faktin se borxhi i Greqisë ka një nivel prej rreth 200 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. FMN-ja thekson se mund t'i japë Greqisë përsëri para, vetëm nëse evropianët heqin dorë prej pjesës së luanit të pretendimeve të tyre kundrejt Athinës. Diagnoza nga Uashingtoni sigurisht nuk është e gabuar. Megjithatë është çudi që fondi këtë herë ngul këmbë për rregullat e veta, të cilat nuk i respektoi në vitin 2010, kur e lejoi veten të përfshihej në shpëtimin e Greqisë, sepse edhe atëherë borxhi i Athinës nuk ishte i përballuashëm prej vendit. Rolf Langhammer nga Instituti për Ekonominë Botërore në Kiel ka një shpjegim: "FMN-ja është nën presion të konsiderueshëm nga aksionarët e saj. Sidomos shumë vende në zhvillim mendojnë se ato janë trajtuar shumë më ashpër sesa tani Greqia."
Prof. Rolf J. Langhammer

Prof. Rolf Langhammer

Ajo që mungon në llogaritjen e FMN-së, është ndarja e saktë e barrës borxhit në pagesat e interesit dhe shlyerjen. "Një vend është një projekt investimesh që vazhdon pafundësisht gjatë. Pra, nuk ka rëndësi nëse një vend i shlyen borxhet e tij, por nëse ai është në gjendje të përmbushë detyrimet e tij të përditshme," tha Langhammer për Deutsche Wellen.

Barrë e ulët interesash për Greqinë

Me fjalë të tjera një vend duhet të jetë në gjendje të paguajë në bazë të rritjes së tij ekonomike përqindjet e interesit për borxhin. Kjo barrë për Greqinë nuk është e lartë. BE-ja dhe Fondi i Evropian i Shpëtimit EFSF kërkojnë për kreditë emergjente norma interesi 0,6-1,3 për qind, shumë më pak se nga vendet e tjera të BE-së që janë në krizë. BQE-ja kërkon interesa më të larta, por ia derdh ato përsëri Athinës. Vetëm FMN-ja pret që norma të larta interesi për pjesën e saj të kredive.

Thënë shkurt grekët u paguajnë partnerëve evropianë vetëm përqindje minimale interesi. Për shlyerjen e shumës së borxhit ata mund t'i japen vetes kohë pafundësisht. 21 miliardë eurot që përbëjnë kredinë e FMN-së janë pjesa më e shtrenjtë dhe më pak fleksibël e borxhit grek. Por kjo është gjithashtu për fat të mirë edhe pjesa më e vogël. Pra nëse FMN-ja insiston që duhet reduktuar barra e borxhit e pjesës evropiane, atëherë ajo nuk vëren që një e tillë do të ketë pak ndikim në situatën buxhetore në Athinë.

Mungon vullneti për reforma

Dhe situata boxhetore e Greqisë nuk duket e mirë as në rast se falen borxhet. "Greqia ka një bazë jashtëzakonisht të dobët eksporti. Pa një përmirësim të ndjeshëm të aftësisë eksportuese Greqia nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj", thotë ekonomisti Langhammer. Mënyra tjetër është kursimi. Donatorët i kanë provuar të dyja këto mundësi vitet e fundit në Athinë. Qeveritë greke i kanë zbatuar masat e kursimit vetëm të detyruara nga nevoja, por i kanë zvarritur reformat e nevojshme. Kjo ka çuar në faktin që politika e shpëtimit ka dështuar.

As qeveria greke dhe as populli nuk e mbështesin procesin e reformave

Ndryshe nga Portugalia dhe Irlanda, Greqia gjashtë vjet pas shpërthimit të krizës së borxhit nuk është e gatshme për ndryshime themelore. Referendumi në fillim të korrikut tregoi se "as qeveria dhe as populli nuk e mbështesin procesin e reformave", thotë Langhammer.

Për këtë arsye FMN-ja dhe Evropa zhvillojnë aktualisht një diskutim thjesht teknik, kur grinden se sa mund të sjellë një falje e borxhit dhe nëse ajo është apo jo në kundërshtim me rregullat e eurozonës. Problemi i vërtetë është se Greqia nuk ka një model biznesi me të cilin mund të arrihet rritje ekonomike.

Problemi shtyhet në të ardhmen

Me një paketë të tretë ndihme problemi vetëm sa shtyhet në të ardhmen. Eksperti Rolf Langhammer mendon se do të ketë një paketë të tretë dhe se edhe FMN-ja do të vazhdojë të mbetet në bord, edhe pse dallimet midis donatorëve duken në këtë moment të pakapërcyeshme. "Në rast se FMN-ja do të largohej tani, ajo do të humbiste reputacionin dhe do t'i duhej të pranonte se duhet të heqë dorë nga shuma të mëdha," – thotë Langhammer.

Edhe SHBA-ja do të kujdeset që shefja e FMN-së Lagarde të mos heqë dorë nga Greqia. Presidenti Obama ka këmbëngulur disa herë që Athinës t'i jepen para të tjera. Edhe Gjermania do të ngulë këmbë që FMN-ja të mos largohet nga programi i ndihmave për Greqinë. Qeveria gjermane e vlerëson lart ekspertizën e FMN-së, paratë dhe ashpërsinë e qëndrimeve të saj, që ndoshta Komisioni i BE-së dhe BQE-ja nuk i ka.

Pra Gjermania do t'i përgjigjet kërkesës së FMN-së dhe ose do të ulë përqindjen e interesit që kërkon për borxhin ose do ta shtyjë në pafundësi afatin e shlyerjes së tij. Edhe kjo është një lloj faljeje borxhi, por që nuk duhet të quhet si e tillë për të mos zemëruar elektoratin. Pas tre vjetësh, kur paketa e tretë e ndihmave të mbarojë atëherë mysafiri i pamirëpritur Grexitdo të kthehet përsëri. Dhe çdo gjë do të fillojë nga e para. Këtë gjë mund ta shënoni që tani në kalendarin tuaj.

SHKARKO APP