Franca: 500 milionë euro për vaksinën e koronavirusit, 5000 euro subvencion bizneseve dhe 200 euro të rinjve. Po qeveria shqiptare…?
Nga Mentor HOXHA (Paris)
Presidenti francez, Emmanuel Macron premtoi të hënën në mbrëmje nga pallati Elize se Franca do të jap 500 milion euro (550 milion dollarë) për gjuetinë globale të vaksinave të koronavirusit. Këtë deklaratë, ai e bëri në një videokonferencë ndërkombëtare mbi vaksinimet. Ai tha se Franca do të kontribuojë 500 milion euro (550 milion dollarë) në një shtytje globale për mbledhjen e fondeve për të financuar kërkime mbi një vaksinë dhe trajtime kundër koronavirusit COVID-19. “Franca do të bëjë 500 milion euro shtesë për iniciativën ACT-A,” tha Macron në një thirrje video të organizuar nga Komisioni Evropian gjatë së cilës udhëheqësit botërorë pritet të mbledhin të paktën 7.5 miliardë euro.
Në pasditën e së hënës, edhe Kryeministri francez, Edouard Philippe prezantoi sot në ora 15.00 para senatorëve në Senat disa nga përparësitë e Qeverisë së tij dhe masat e marra në kuadër të Strategjisë Kombëtare për daljen graduale të Francës më 11 maj pas izolimitit që nisi në pasditen 16 marsit për shkak të COVID-19. Ai njoftoi vazhdimin e masave të punës me kohë të shkurtër deri më 1 qershor dhe tha se ky është një moment kritik për të gjithë. Gjatë fjalës së tij, ai premtoi një ndihmë specifike prej 200 eurosh për 800. 000 të rinj dhe studentë në vështirësi. “Sot po njoftoj ndihmën për të rinjtë në vështirësi nën moshën 25 vjeç. Për shkak të mbylljes, shumë restorante universitare janë mbyllur. Shumë të rinj kanë humbur punët e nevojshme për të ushqyer veten dhe për të paguar qiranë,” -tha kreu i qeverisë. “Disa të rinj u gjendën në një situatë që unë e di se është dramatike. Kështu që vendosëm të paguajmë një ndihmë prej 200 eurosh për 800.000 prej tyre. Kjo shumë do të paguhet në fillim të qershorit për studentët që kanë humbur punën ose praktikën e tyre, dhe nga mesi i qershorit për ata nën 25 vjeç që preken nga ndihma për strehimin, ” – u shpreh Edouard Philippe. Gjatë prezantimit në Senat, kreu i Ekzekutivit francez foli edhe për Fondin e Solidaritetit që Qeveria ka vënë në dispozicion të bizneseve. Ai tha se “plani i veprimtarisë së pjesshme do të mbetet në fuqi deri më 1 qershor. Ne pastaj do të përshtatemi gradualisht, sipas evolucionit të epidemisë. Fondi i Solidaritetit do të shtrihet deri në fund të majit. Kësti i dytë i këtij fondi, i cili jep të drejtën e një subvencioni deri në 5.000 euro, tani do të jetë i arritshëm për të gjitha bizneset që janë mbyllur, nëse nuk kanë të punësuar, gjë që shpesh është çështja për një floktar, një luleshitës ose një shitës librash. Shtyrjet e taksave dhe të tarifave sociale do të mbeten të autorizuara deri në fund të majit, dhe ne jemi të gatshëm t’i shndërrojmë këto shtyrje në përjashtim përfundimtar nga tarifat, jo vetëm për kompanitë në sektorin e hotelierisë dhe turizmit, por edhe për të gjitha që i nënshtrohen masave të mbylljes”.
QEVERIA FRANCEZE DHE QEVERIA SHQIPTARE E EDI RAMËS, KRAHASIMI MIDIS TYRE
Ndihma dhe përkrahja e Qeverisë franceze për bizneset dhe shtetasit e saj në këtë periudhë të vështirë izolimi për shkak të coronavirusit COVID-19 nuk ka munguar për asnjë moment. Të gjithë shtetasit e saj dhe emigrantët e ligjshëm në territorin francez e kanë marrë ndihmën financiare të solidaritetit të premtuar nga Qeveria. Franca ka një popullsi rreth 67 milionë banorë. Përshkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, rreth 9 milionë punëtorë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë në “papunësi të pjesshme” që nga 16 marsi kur u vendos izolimi nga Presidenti, Macron. Kjo shifër përbën një të tretën e punëtorëve të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ose rreth 14 përqind të popullsisë së Francë. Për të paguar pagat e “papunësisë së pjesshme”, Qeveria franceze ka akurduar 22 miliardë euro nga buxheti i shtetit, rreth 1 përqind të GPD së Francës, si dhe 300 miliardë euro për t’u ardhur në ndihmë bizneseve dhe kompanive të mbyllura. Qeveria franceze ka paralajmëruar të gjitha ndërmarrjet e vogla e të mesme, që kanë mbyllur, apo reduktuar aktivitetin e tyre, për shkak të izolimit të mos largojnë punëtorët nga puna në pamundësi për t’i paguar, pasi do t’i subvecionojë qeveria. Pas këtij paralajmërimi, ndërmarrjet do u paguajnë punëtorëve të tyre “pagën e pjesshme”. Kështu që, punëtorët që qëndrojnë në shtëpi nga mbyllja e aktivitetit të tyre, do paguhen nga buxheti i shtetit jo më pak se 70 përqind nga paga normale bruto ose 84 përqind nga paga neto. Përshembull, dikush që merrte para vendosjes së masave të izolimit një pagë neto prej 2000 euro në muaj, do të marr pa punuar fare 1680 euro. Shuma që punëdhënësi i paguan çdo punëtori në “papunësi të pjesshme” gjatë muajve të krizës, në fakt paguhet nga buxheti i shtetit, e cila mbi bazën e një formulari i transferohet ndërmarrjes ku bën pjesë punëtori në “papunësi të pjesshme”. Punëtorët janë siguruar edhe pas pandemisë nëse ndërmarrja falimenton. Shteti do të ndihmojë financiarisht ndërmarrjet që falimentojnë ose janë në prag falimentimi, në mënyrë që të rimëkëmben. Pra, siç shihet, me gjithë mbylljen e biznesve dhe dëmet kolosale ekonomike e financiare, Franca nuk e ka ndërprerë Fondin e Solidaritetit për punonjësit e mbetur pa punë, përshkak të pandemisë dhe as subvecionimin e ndërmarrjeve dhe të bizneseve në vështirësim apo në prag falimentimi. Nuk e di ç’farë ndihme financiare ka dhënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për bizneset e mbyllura dhe për punonjësit e këtyre biznesve të mbetur pa punë përshkak të karantinës. Nga të dhënat që kam dhe nga lajmet e raportuara në mediat shqiptare dhe rrjetet sociale kam parë që qeveria shqiptare, në vend që tu jap para qytetarëve të saj, siç bën Qeveria franceze, shpërndan ndihma ushqimore për njerëzit në nevojë. Nuk kam parë, jo në Francë, por në asnjë vend të botës, madje as në Afrikë, kryebashkiakë duke shpërndarë thasë me miell dhe ushqime për njerëzit në nevojë në këtë kohë pandemie, siç po bën kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe disa kryebashkiakë të tjerë në Shqipëri. Madje, pa pikë turpi bëjnë edhe fotografi para thasëve dhe pakove me ndihma bashkë me nënat, fëmijët dhe pleqtë fatkeqë, viktima të keqqeverisjes së tyre, duke u hequr si shpëtimtarë. A thua se paratë e ndihmave po i nxjerrin nga xhepi i tyre. Ndjej dhimbje gjer në padurim dhe lëndohem e trishtohem shumë kur shoh këta nëna, gra, fëmijë dhe pleq fatkeqë me fytyra të zverdhura nga skamja, duke mbajtur radhën për ndihma dhe duke dalë në fotografi me zotërinjtë kryebashkiakë, si në poemat dhe skicat rrënqethëse migjeniane, duke na kujtuar radhën e pambarimtë të malësorëve për ca kokrra misri tek skica “Legjenda e misirit”. …Dhe si për ironi, përballë zotnIve të djeshëm qëndrojnë zotërinjtë e sotëm modern, të majmun e e dhjamosurnga djersa dhe gjaku i këtyre varfanjakëve. Sa herë i kam lexuar skicat e Migjenit kam qarë, kam mallkuar qeverinë e kohës së tij dhe kam mbledhur grushtin e revoltës në kraharor, pa e menduar kurrë se në shekullin e sotëm modern, kur bota e civilizuar e ka mbyllur me kohë problemin e ushqimit, në vendin tim vazhdon i njëjti refren si në vitet ‘30-të:-“Zotni, Zotni, na fal gjësend zotni”, e kur dikush, si unë demaskon zotërinjtë që hiqen si shpëtimtarë, dikush nga vatha e zotërinjve mallkon nëpër dhëmbë: “Eh të shitoftë Zana”, ndërkohë shpirti im lodhur nga padurimi pyet: Gjer kur do mbizotërojnë Zotat?
Turp për Qeverinë shqiptare, për kryeministrin e vendit ku linda dhe për krybashkiakët shqiptarë, që për përfitime politike shfrytëzojnë fatkeqësinë e njerëzve. Qeveria, kryebashkiakët apo bashkiakët e Francës, nuk shpërndajnë thasë me miell apo produkte ushqimore për njerëzit në këtë periudhë pandemie, pasi qeveria franceze u ka dërguar në llogarinë bankare pagën mujore të solidaritetit, apo pagën e luftës siç thotë kryeministri shqiptar. Shëprndarja e ndihmave nuk është punë e tyre, por është punë e institucioneve fetare apo shoqatave që merren me bamirësi. Në Francë nuk ka asnjë person që vuan për bukë, sigurim shëndetësor, arsimim apo për gjëra imediate jetësore, siç po ndodh fatekësisht në Shqipëri. Madje, shumica francezëve nuk i njohin të zgjedhurit e tyre.
Rastësisht, para disa ditësh dëgjova kryeministri shqiptar, që shprehej në Parlamentin e Shqipërisë se Franca ka akorduar vet ë m 180 euro shtesë në muaj për personat me asistencë sociale. Më vjen keq që kryeministri i Shqipërisë që ka jetuar rreth 3 vite në Paris të dezinformojë publikun shqiptar me deklarta të tilla të pavërteta dhe dashakeqe. Ai e di shumë mirë që çdo person i ligjshëm në Francë, që ndodhet pa punë për arësye të ndryshme merr për çdo muaj 580 euro ndihmë sociale nga CAF-i, ndërkohë të gjitha shërbimet spitalore, mjekësore, ilaçet dhe një pjesën më të madhe të qerasë së shtëpisë ia paguan shteti. Shteti i paguan edhe 90 përqind të abonesë mujore të transportit publik. Pra, nga 70 euro që kushton aboneja mujore, qytetari paguan vetëm 9.80 euro për të gjithë rajonin dhe për të gjitha mjetet e transportit publik (metro, tramëej, autobus). Kur presoni punon dhe merr mbi 1300 euro në muaj kjo ndihmë shtetërore hiqet. Shuma prej 180 eurosh që përmend kryeministri shqiptar është shtesë plus për periudhën e pandemisë. Pra, shumës prej 580 eurosh i është shtuar edhe 180 euro për muajin e izolimit. Shtesë page kanë marrë edhe pensionistët, ndërkohë në Shqipëri një familje me katër persona merr asistencë papunësie 50 euro në muaj, ndërkohë që mbi 100 euro i bëjnë dritat, uji dhe ilaçe, duke mos i mbetur asgjë për ushqim dhe veshmbathje, kurse fëmijët e ministrave, të bashkiakave apo të deputetëve shqiptarë bredhin me makinat më luksoze dhe bëjnë pushime në vende dhe plazhe më ekzotike. Pra siç shihet, ndonëse Franca po paguan një kosto shumë të lartë njerëzore dhe ekonomike, ajo prapë mendon për qytetarët e saj. Janë 25 201 persona të vdekur, qindra biznese dhe kompani të mbyllura dhe miliarda euro dëme ekonomike. 10.8 milion punëtorë janë pjesërisht të papunë, ose 60 përqind e punonjësve të sektorit privat. Një hemorragji e madhe u shënua në fushën e hotelierisë dhe të bar- restoranteve. Shifra më e madhe e papunësisë u shënua pas 16 marsit kur u vendos izolimi në mbarë territorin francez. Nga 1 maji u rrit në 1.7 milionë numri i të papunëve. Kompanitë më të mëdha kanë ndaluar dhe kontratat e shkurtra nuk rinovohen. Ndonëse shifrat mbi papunësinë dhe humbjet ekonomike janë katastrofale, analistëtët mendojnë, se pikërisht tani fillon edhe ringritja ekonomike e Francës.
Franca është një shtet i fuqishëm dhe me një histori të lashtë. Renditet e treta në Europë dhe e pesta në botë për nga fuqia ekonomike. Në historinë e saj mijravjeçare ka përjetuar shumë luftëra të përgjakshme, tragjedi të mëdha, disa epidemi vrastare dhe fatkeqësi të shumta, por gjithmonë ka qëndruar ballëlart përballë tyre dhe është ringritur shumë shpejtë ekonomikisht, financiarisht dhe ushtarakisht. Shteti dhe kombi francez edhe këtë herë do rimbëkëmbet shpejt ekonomikisht, por jetët njerëzore të humbura nuk do rikthehen më, dhe sigurisht kjo mund të ketë dhe një kosto politike në të ardhmen. Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Qeveria franceze e drejtuar nga Edouard Philippe i morën shumë shpejt masat, duke evituar kështu një tragjedi njerëzore akoma më të madhe. Gjithësesi opozita franceze po sulmon për të përfituar sa më shumë politikisht.