Franca mban zi dhe kërkon përgjigje

Në Mesditë bien këmbanat e katedrales së Parisit Notre Dame. Disa mijëra parizianë qenë mbledhur para saj nën shiun e fortë për një minutë heshtjeje, e cila u mbajt në të gjithë vendin. Në vargje të gjata njerëzit prisnin të hynin në kishë. Mesazhi kryesor atje ishte "Ai që e do Zotin, e do dhe vëllanë e tij". Ky është edhe mesazhi kryesor i të gjithë komuniteteve fetare në Francë, të cilat u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit për unitet dhe vëllazëri.

Radikalizimi është pjesë e shoqërisë

Por të gjithë komentatorët në stacionet televizive dhe në mediet franceze janë pa gojë për faktin se si mundën të çliroheshin nga burgu francezë kaq radikalë sa vëllezërit Kouachi, me origjinë algjeriane. Pasdite policia është ende në ndjekje të tyre, që dyshohen si doras.

Njëkohësisht, përfaqësues të sindikatës së policisë mbajnë zi për kolegët e tyre të vrarë: jo vetëm për dy policët e vrarë para zyrave të Charlie Hebdosë. Por edhe për policen e re, të cilën e vranë në mëngjes në Montrouge, në jug të Parisit. Shkëmbimi i zjarrit atje, ku u plagos edhe një polic tjetër, nuk ka lidhje direkte me masakrën e një dite më parë në redaksinë e gazetës. Por dorasi që hapi zjarr kundër policëve mund të jetë nxitur nga atentati i Charlie Hebdosë. Edhe atë e kërkon policia. Në të gjithë qytetin dhe në rajonin midis Parisit dhe Reimsit, ku besohet se strehohet njëra nga organizatat islamike, vazhdo kërkimi. Kontrollohen shtëpi e apartamente, tashmë janë arrestuar shtatë të dyshuar.

Shprehja e solidaritetit vazhdon

Paraditen e së enjtes, qindra parizianë shkuan sërish në rrugën e vogël anësore, në Rue Nicolas Appert, për të vënë lule në kangjellat me të cilat policia ka rrethuar vendin e ngjarjes.

Përgjigje për ngjarjen presidenti francez Hollande nuk kërkon fare në takimet e paradites. Reflektimet për pozicionin e myslimanëve në shoqërinë franceze janë shumë delikate për momentin. Hollande kërkon solidarizim simbolik me përfaqësues të të gjitha partive të mëdha. Të dielën pasdite është planifikuar një mbledhje e përmortshme, në kujtim të gazetarëve dhe të policëve të vrarë.

Kolegë si dhe mbështetës të gazetarëve të vrarë të Charlie Hebdosë betohen të enjten se gazeta do të dalë sërish të mërkurën e ardhshme. "Charlie Hebdo nuk ka vdekur", kjo është deviza e tyre. Do të ndërmerret gjithçka që puna të vazhdojë e për të mos lejuar frikësimin.

SHKARKO APP