Frika e justifikuar e Familjes nga humori

Nga Mero Baze
Në rubrikën e djeshme të humorit në gazetën Tema, ishte një letër e improvizuar e një humoristi drejtuar Zenit. Letra brenda pak minutash u bë tejet popullore në rrjetet sociale, aq sa na u desh të sqaronim pa shumë kuptim që është humor dhe jo një letër e vërtetë. Sqarim, që u desh të bëhej, pasi përveç atyre që e merrnin të mirëqenë, një pjesë lexuesish fanatikë të Berishës nisën një fushatë ofendimesh dhe fyerjesh ndaj humoristit në fjalë, duke e quajtur sakrilegj marrjen me politikanë. Në disa prej sulmeve që i bëheshin me këtë rast aktorit të humorit, njerëz të Berishës përpiqen ta kompleksojnë se ai është i përdorur politikisht, për shkak të asaj videoje plot humor që ka realizuar.

Sulmi filloi, kur i biri i Sali Berishës, e sulmoi publikisht aktorin, duke tentuar ta kompleksojë që të mos merret me politikë në krijimtarinë e tij. Pastaj pas tij vazhduan gjithë skalionet e militantëve.

Kujdesi që Familja Berisha bën të mbajë larg betejës me të humorin, është në të vërtetë një makth që buron nga ajo çfarë mund t’i bëjë humori një Familjeje, e cila pasi ka rrënuar Shqipërinë, pasi e ka plaçkitur dhe poshtëruar atë, kërkon të imponohet ende në politikë me pasardhës, që të krijojnë ndjesinë e njerëzve intelektualisht qesharak, vulgarë, impotentë dhe sidomos batakçinj. Të ngresh një kauzë politike kundër aktorëve apo krijuesve të humorit dhe tu thuash atyre mos u merrni me politik, është sikur t’i kërkosh politikanëve të mos kërkojnë pushtet. Nëse ka një betejë që humori e ka fituar gjithë jetën dhe ka prodhuar vepra, është kur në qendër të tij ka qenë pushteti politik dhe personazhet e tij. Në rastin konkret, unë e kuptoj hallin e Familjes Berisha dhe atë çfarë mund ta gjejë atë nga kthimi në objekt humori për shqiptarët, por ky është një mision i pamundur për tu ndalur nga vet ata. Ata mund të frikësojnë një ose disa humorist, por nuk mund të ndalin të kthyerit në objekt humori, qoftë dhe me përpjekjen e tyre donkishoteske për të diktuar ende se çfarë duhet bërë në Shqipëri.

Gjatë gjithë jetës së tij si politikan Berisha në fakt, ka pasur më shumë në qendër të sulmeve ata që e kanë tallur se sa ata që e kanë sulmuar. Ai është marrë dhe me imitimet e Agron Llakës dhe natyrisht “Gjinit“ të Portokallisë, por sidomos me emisionin dhe rubrikat satirike të “Fiks Fare”. Ai nuk ka harruar gjatë gjithë kohës, që në qëndrimin e Top Channel, të veçojë “Fiks Fare” duke sulmuar personalisht humoristin Filip Çakuli . Aq fiksim e ka atë, sa dhe dje, mendonte që videon e Kallakut e kishte ideuar dhe prodhuar Çakuli. E ka arrestuar atë në vitin 1995 për një karikaturë dhe vazhdon ta sulmojë ende sa herë i shfaqet përpara. Një sërë aktorësh të humorit shqiptar kanë qenë gjithmonë në listën e zezë të tij, si njerëz të rrezikshëm dhe duket se këtë traditë tani po ua kalon dhe pasardhësve, të cilët po gjejnë armiq mes njerëzve të humorit.

Unë nuk gjej personazhe më qesharak se pinjollët e një familjeje, që disa vite me parë shëtisnin me çantë të zezë në dorë për t’i mbledhur gjoba biznesit dhe sot shëtisin me çanta në aeroportet e Perëndimit, duke importuar ilegalisht brekë dhe këpucë për dyqanet e grave të tyre. Nuk ka subjekt më të madh humori se sa të shikosh një njeri, që vite më parë kishte gjithçka në dorë dhe e përdorte për të sulmuar kundërshtarët, për tu marrë me gratë dhe fëmijët e tyre dhe për tu dukur i vetmi bllokmen i këtij vendi, dhe sot i duhet të përdor gjithë historinë e tij për të na ndaluar të tallemi me traditën e re familjare si shitës brekësh në bllok.

Shpejtësia me të cilën u shpërnda dje në mbrëmje një humor, që i kundërpërgjigjej një kërcënimi të Familjes Berisha ndaj një aktori humori, tregon se sa e etur është shoqëria për t’i parë ata njerëz si personazhe humori.

Ndaj përpjekja e tyre për të ndaluar dhe humorin ndaj Familjes, është mision i pamundur. Humori është një betejë finale e shoqërisë ndaj atyre që kanë tentuar t’i sundojnë, ndaj nuk do t’ia dalin dot. Edhe sikur të mos ishin kaq qesharak sa janë, nuk do t’i shpëtonin dot humorit. Kështu siç janë, janë personazhe të gatshme që do mbahen mend si njerëz, që e bën këtë vend të qante kur duhet të qeshte dhe po e bëjnë të qesh tani, kur ata janë duke qarë se kanë ikur nga pushteti.
Gazeta Tema

SHKARKO APP