Frojdi dhe Lindja e Mesme
Për shembull, Instituti Kërkimor i Mediave i Lindjes së Mesme, ose Memri, kohët e fundit postoi një pjesë të një interviste të dhënë nga Mohammad Sadeq al-Hosseini, një ish këshilltar i presidentit të Iranit, Mohammad Khatami, e cila ishte transmetuar në TV Mayadeen në 24 shtator, ku ai thoshte se Irani shiit, përmes të tretëve, ka marrë kontrollin de facto të katër kryeqyteteve arabë: Beirutit, përmes militantëve shiitë të Hezbollahut; Damaskun, përmes regjimit shiit/alavit të Bashar al-Assadit; Bagdadin, përmes qeverisë së kryesuar nga shiitët atje; dhe – për këtë shumë pak vetë në Perëndim e kishin mendjen – Sanan, ku sekti shiit jemenas pro iranian, Houthi, kohët e fundit mori kontrollin e kryeqytetit të Jemenit dhe tani dominon mbi sunitët.
Al Hosseini tha për Iranin dhe aleatët e tij: “Ne, në boshtin e rezistencës, jemi sulltanët e rinj të Mesdheut dhe Gjirit. Ne në Teheran, Damask, në periferinë jugore të Beirutit, Bagdad dhe Sana do të ribëjmë hartën e rajonit. Ne jemi gjithashtu sulltanët e rinj të Detit të Kuq”. Dhe ai shtoi se, Arabia Saudite është një “tribu në prag të zhdukjes”.
Ne mund të mos i dëgjojmë këto gjëra, por arabët sunitë i dëgjojnë, sidomos tani kur SHBA dhe Irani mund t’i japin fund luftës së tyre të ftohtë 35-vjeçare dhe arrijnë një marrëveshje që do i lejonte Iranit një program bërthamor “paqësor”. Kjo ndihmon për të shpjegur edhe diçka tjetër që mund t’ju ketë shpëtuar: militantë sunitë shkuan në një fshat saudit shiit, al-Dalvah në 3 nëntor dhe qëlluan për vdekje pesë shiitë sauditë gjatë një aktiviteti fetar.
Të paktën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ndodhet në botën moderne. Jo, prisni pak, cili është emri që Erdogani dëshiron t’i vendosë urës më të re që po ndërton mbi Bosfor? Përgjigja: Ura e Sulltan Selimit. Selimi i Parë ishte një sulltan sunit turk që, në vitin 1514 sprapsi Perandorinë Perse të kohës së tij, të quajturit Safavidë. Pakica Alevi në Turqi, një sekt shiit paraardhësit e të cilës u përballën me zemërimin e Selimit, ka protestuar për emrin e urës.
Ata e dinë që ai nuk ka dalë ashtu rastësisht. Sipas Enciklopedisë Britannica, Selimi I ishte sulltani Otoman (1512-20) që e shtriu perandorinë në Siri, Arabinë Saudite dhe Egjipt “dhe i ngriti myslimanët në udhëheqjen e botës myslimane”. Më tej, ai kthey sytë nga lindja dhe iu kundërvu dinastisë shiite Safavide në Iran, e cila paraqiste një “rrezik politik dhe ideologjik” për hegjemoninë e Islamit sunit otoman. Selimi ishte i pari udhëheqës turk që shpalli se ishte njëkohësisht sulltan i Perandorisë Otomane dhe kalif i të gjithë myslimanëve.
Zëvendëspresidenti Joe Biden nuk fliste kot kur akuzonte Turqinë se po lehtësonte futjen e luftëtarëve të ISIS-it në Siri. Ashtu sikur ka nga pakëz “kolon izraelit” të Bregut Perëndimor në çdo izraelit, ashtu ka edhe nga pakëz ëndërr për kalifatin në çdo sunit. Disa analistë turq dyshojnë se Erdogani nuk ëndërron për ndërtimin e një demokracie pluraliste në Irak dhe Siri, por më shumë një kalifat modern sunit – jo të udhëhequr nga ISIS, por nga ai vetë. Deri atëherë, është e qartë se ai preferon më shumë ISIS-in në kufirin e tij, se sa një Kurdistan të pavarur.
Siç shkruante Shadi Hamid, i Qendrës për Politikat e Lindjes së Mesme në Brookings, në një artikull për The Atlantic me titull “Rrënjët e Joshjes së Shtetit Islamik”: “ISIS e merr forcën prej ideve që kanë një jehonë të fuqishme mes popullsive me shumicë myslimane. Ata mund të mos bien dakord me interpretimin që i bën ISIS kalifatit, por ideja e një kalifati – entiteti politik historik që qeveriset prej ligjit dhe traditës islamike – është shumë e fuqishme”.
Në fakt, vëren studiuesi i Lindjes së Mesme, Joseph Braude, shumica e arabëve sunitë në Egjipt, Siri dhe Gadishullin Arabik në fundin e shekullit 19 “ishin kundër kalifatit të udhëhequr nga Turqia, që e kishin përjetuar. Ata thonë se ajo ishte një lloj force pushtuese”. Ishin grupet islamikë sunitë të shekullit 20, veçanërisht Vëllazëria Myslimane, që e ringjallën idenë, duke e idealizuar kalifatin si një reagim ndaj dobësisë së rajonit të tyre dhe “duke e futur në diskurin fetar”.
Për ta përmbledhur, ka kaq shumë ëndrra dhe makthe që bien ndesh mes tyre, në mendjet e aleatëve të SHBA kundër ISIS-it në Lindjen e Mesme, saqë edhe Frojdi nuk do të kish qenë në gjendje të vinte rregull. Po të dëgjoni me vëmendje, nga këto ëndrra, ajo e jona – pra demokracia pluraliste – nuk është në krye të listës. Në Lindjen e Mesme ne duhet të mbrojmë ishujt e “mirësisë” – Jordaninë, Kurdistanin, Libanin, Abu Dhabin, Dubain, Omanin – nga ISIS-i, me shpresën që shembujt e tyre më të mirë një ditë do të mund të përhapen. Por unë jam skeptik që aleatët tanë të copëtuar, me shumëllojshmërinë e ëndrrave të tyre, mund të bien dakord për marrëveshje të reja të ndarjes së pushtetit për Sirinë apo Irakun, edhe nëse ISIS do të mposhtej. /NYT/
SHQIPERUAR NGA www.bota.al