Frojdi dhe shqiptarët
Nuk e di nëse amerikanët njihen si popull komik, por sigurisht se e kanë zhvilluar mirë komedinë. Komikë amerikanë kur flasin për politikanët, thonë se janë si pelenat, që duhen ndërruar sa më shpesh e gjithnjë për të njëjtën arsye. Me këtë sens humori fliste si një komike edhe amerikania më e fuqishme në Kosovë.
Cub Sadrija nuk ka dalë nga komedia amerikane, por Zoti e dërgoi prej së larti, për shqiptarët. Më në fund ngërçi i fazës anale u zgjidh, dhe politikanët folën e thanë sërish, si zakonisht palidhje. Por mileti po flet, edhe ai herë me lidhje e herë palidhje, se kinse atje lart në Perëndimin e Madh, Cubi e paska gjetur ilaçin. Mileti po thotë se si u blenë postet kësaj here jo me pare, por që këtë tyxharllëk nuk po e kupton.
Kur përpiqemi t’i japim kuptim asaj që ndodh në Kosovë, një prej rregullave më të rëndësishme që duhet të mbajmë mend është se: Ajo që politikanët këtu ta thonë publikisht, zakonisht është pa lidhje. Ajo që ka më shumë rëndësi, dhe ajo që shpjegon më së miri sjelljen e tyre, është çfarë i thonë publikisht, në gjuhën e tyre, popullit të tyre, por që nuk është pothuaj asnjëherë ajo që e thonë privatisht. Cub Sadrija po i bie fyellit “Më ka çua zot’yn prej qiellit…”, kështu i kemi rënë fyellit për kohë tashmë, ndërkohë që më në fund po bëhemi me shefat me tapi. Mesazhet që vijnë nga bota jashtë na bëjnë thirrje të dëgjojmë me kujdes se çfarë thotë ajo e jashtmja dhe për çfarë duhet të kujdesemi ne. Kryesisht për të mos e dhjerë. Dhe burrat tanë u kallëzuan burra e megjithatë nuk e “dhjenë”.
Tyxharllëku i akshamit nis tash, herë me pare e herë pa pare, herë me 100 mijë e herë me 200 mijë, e herë me 150 mijë sa i qe dashur të nxjerrë nga xhepi njërit që u bë ministër kulture para do motesh. "Phu phu ç'vakt kemi mrri" do të thoshte gjyshja ime ndjesë pastë! Sa do të kushtojë një ministri në këtë fazë pas ngërçit anal?
Dikush po vazhdon të thotë se shtetit po i thellohet kapja nga krimi e korrupsioni, por kështu është në sa motmote ; se po e ngufatin demokracinë, nëse kjo ndonjëherë ka ekzistuar në këtë rajon; se i paskan ngulfatur shoqërinë civile e mediet, po shoqëria dhe mediet janë ngulfatur kaherë dhe “rahmet paçin!”
Të mëdhenjtë e kaluan fazën, ndërkaq të vegjlit nisin lojën për ta ngjyer nga pak e për ta “dhjerë” pak me racizmin e pafshehur gjeografik e ideologjik. "Të zinjtë" në dioptrinë raciste të Ganiut të PDK-së dhe bashkëmendimtarëve janë Albini i Malit t’Zi dhe Bilall Sherifi i Tetovës, por në këtë rast ka edhe "apatridë" (të paatdhe) si Avni Arifi, të cilit i sugjeron avionin e parë. Ndoshta agjencinë "Jat" (Jugoslovenski aerotransport). Një racizëm ideologjik, ngase sipas kulturës së dominimit, të dominuarit nuk janë vetëm opozitë, por armiq, që duhet përzënë nga shteti, duhet depërtuar…
Burrat flasin një herë- thanë, e shumë syresh duhet lëshuar me urgjencë Kosovën.
Gjatë të paktën 100 vjetëve, psikologët dhe filozofët pohonin se proceset bazë të konjicionit njerëzor janë universale. Ata pranonin se ndryshimet kulturore ndikojnë mbi mendimin- kështu, për shembull, fise të ndryshme në Afrikë e masnin pasurinë e tyre me kokët e gjedheve, ndërsa bankierët e Wall Street e masnin me aksionet dhe letrat me vlerë. Por natyra e mendimit, mënyra me të cilën njerëzit përpunojnë informacionin, vlerësohej se ishte e njëjtë kudo. Në Kosovë pasuria matet ndryshe nga çdo vend tjetër në botë. Ë Kosovë gjithçka ndodh ndryshe e për këtë ndoshta do të duhej të ishim më “nafaklinjtë” në botë.
Pas ngërçit të fazës anale, radhën e ka faza fallike. Kushedi çfarë do të mundë të ndodhë e kushedi çfarë do të kishte zbuluar Frojdi nëse në divanin në të cilin “zbuloi” njeriun në shtëpinë e tij në Vjenë, do të kishte të shtrirë ndonjë nga politika jonë…