Fundi i klanit Papandreu

Papandreu? Për herë të parë qysh nga viti 1923, asnjë nga familja Papandreu nuk do të zerë vënd në Parlamentin grek. Fundi i një familje mitike e krijuar si një dinasti. Ish kryeministri grek George Papandreu, i cili dha dorëheqjen në nëntor të vitit 2011, pasi i zbuloi botës defiçitin e madh të financave greke, nuk arriti të bëjë kthimin e tij në Parlament. Partia e tij, e themeluar në vigjilje të zgjedhjeve më 2 janar të këtij viti dhe e quajtur Lëvizja e demokratëve socialistë, mori vetëm 2.6% të votave, duke mos e kaluar pragun e 3%, që nevojitet për të hyrë në Parlament.

Dy parti, tre familje
Fitorja e partisë Syriza i dha fund dyzet viteve alternimi të pushtetit midis dy partive kryesore, Demokracia e Re dhe Pasokut, të cilat e ndanin pushtetin qysh me rënien e kolonelëve në vitin 1974. Në këto dy parti, tre familje të mëdha furnizonin rregullisht kuadro drejtues dhe parlamentarë: Karamanlisët, Micotaqët dhe Papandretë, që i kanë dhënë Greqisë jo më pak se gjashtë kryeministra dhe dhjetë mandate gjatë periudhës së pasluftës.
Një oligarki e vërtetë, e fshirë nga kriza dhe nga fitorja e të riut Alexis Tsipras, i cili pa mbështetjen e asnjë klani, arriti në shkallën më të lartë të pushtetit.
Zhdukja e emrit Papandreu nga Vuli (parlamenti grek) është i gjithi një simbol.  Qysh pas luftës, klani Papandreu ka dominuar të majtën. Babai Georgios (1888-1968) ka qenë tre herë kryeministër, nën logon e qendrës së majtë: midis vitit 1944 dhe 1945, në vitin 1963 dhe nga viti 1964 deri në vitin 1965. Pas grushtit të shtetit të kolonelëve më  21 prill 1967, ai u arrestua dhe u burgos, ku vdiq pas pak kohe. Varrimi i tij ishte rasti i manifestimit të parë popullor kundër kolonelëve.
Djali i tij Andrea (1919-1996) mori stafetën dhe themeloi PASOK-un (Lëvizja socialiste Panhelenike) në vitin 1974, parti e cila e solli të majtën në pushtet në vitin 1981. Ai u bë asokohe kryetar i qeverisë për më shumë se dhjet vjet, nga  viti 1981 deri kur vdiq, me një ndërprerje tre vjet, nga viti 1993 deri në vitin 1996.

Skandalet financiare
I rritur jashtë shtetit, George, djali dhe nipi i kryeministrit hyri në politikë kundër dëshirës së tij dhe u bë president i PASOK-ut në vitin 2004. Më pas, humbet zgjedhjet dhe në vitin 2009 e rifiton pushtetin. Disa ditë pas ardhjes në pushtet, ai zbuloi publikisht gjëndjen katastrofike të financave greke.
Greqia u përfshi në një krizë të pashembullt. Në tetor të vitit 2011, ai propozoi një referendum për masat shtrënguese, por nën presionin e Eurogrupit u detyrua të hiqte dorë. Asokohe dha dorëheqjen dhe u zëvëndësua nga Lukias Papadimos, ish-zëvendës president i Bankës qendrore evropiane.
Praktikat klienteliste dhe skandalet financiare të klanit Papandreu u denoncuan rregullisht. Kurset në  universitetin e Harvardit të George Papandreut, të paguara me një shumë 46 000 euro në muaj ngjallën një zemërim tek populli grek, i varfëruar nga kriza dhe masat shtrënguese ekonomike të marra nga qeveria greke. Nëna e ish-kryeministrit Margarita Papandreu, u akuzua për një skandal financiar në prill të vitit 2012: gazetat greke zbuluan se ajo figuronte në listën e Kristin Lagarde, të 2000 grekëve që kishin vendosur paratë e tyre në Zvicër, me një shumë prej 550 milion dollarë.

Swiss Digital Desktop Reklama

"Le Figaro"

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?