Fushata më e shëmtuar e pluralizmit!
Ishte një fushatë shumë larg asaj të 3 Korrikut 2005, që ka qenë padyshim më e mira në Shqipëri këto 27 vjet. Një fushatë e mbushur me besim, bindje, frymëzim dhe padyshim kredo morale. Një fushatë ku Berisha, Nano e Meta, prodhuan një ndër spektaklet më të jashtëzakonshëm politike të këtij vendi dhe ku secili…
Nga Blendi Fevziu
Si mund ta quaj këtë fushatë dhe sa konsideratë mund të kem për të, pyeta veten dje në darkë, kur fushata e 25 Qershorit u mbyll. Fati e ka sjellë të ndjek çdo fushatë zgjedhjesh kombëtare që prej 31 Marsit, 1991. Në këto 26 vjet, kjo është fushata e 11-të që përcjell si gazetar (pa llogaritur zgjedhjet lokale). Është e gjashta fushatë në 20 vitet e emisionit ‘Opinion’ që e kam përcjellë nga studioja live çdo natë. Sot mund të them një gjë, me bindje të plotë: ishte një fushatë e mërzitshme, një fushatë bosh dhe padyshim më e keqja që unë njoh në këto 26 vjet.
Si do ta klasifikoja këtë fushatë, pyeta vetën sërish dhe gjeta vetëm një përgjigje: pa pasion, pa emocion dhe tejet teatrale. Një teatër i madh ku mungonte një gjë që në fushatat shqiptare nuk ka munguar kurrë: shpirti i sfidës.
Ishte një fushatë shumë larg asaj të 3 Korrikut 2005, që ka qenë padyshim më e mira në Shqipëri këto 27 vjet. Një fushatë e mbushur me besim, bindje, frymëzim dhe padyshim kredo morale. Një fushatë ku Berisha, Nano e Meta, prodhuan një ndër spektaklet më të jashtëzakonshëm politike të këtij vendi dhe ku secili, besonte me shpirt në atë që deklaronte. Ishte një fushatë që sfida direkte e mazhoritarit e bëri edhe më të mprehtë dhe që vështirë se do rikthehet sërish me atë emocion në Shqipëri. Një fushatë ku u përballën ide, programe, por ku nuk mungoi edhe ajo që gjendet kaq rrallë në Shqipëri, ndjesa publike.
Ishte një fushatë që nuk kishte entuziazmin dhe naivitetin e asaj të 1991 dhe 1992. Nuk kishte shpresën që ngjallnin ato të dyja dhe dashurinë e besimin mes liderëve politikë dhe votuesve të tyre. Për arsye specifike, ato dy fushata nuk përsëriten më, dhe për mua, mbeten margaritarët e pluralizmit dhe garës politike në Shqipëri.
Nuk ishte një fushatë si ajo e 1996, e tensionuar, por e mbushur me besimin e palëve që në garë ishin më mirë dhe më bindës se kundërshtari. E dominuar nga besimi për fitore dhe me një garë reale, garë plot pasion.
Nuk ishte një fushatë si ajo e 1997, me rreziqe, plumba, dhunë e vrasje, por me vendosmërinë e politikanëve për të komunikuar me zgjedhësit e tyre dhe për t’ju garantuar atyre një të ardhme më të mirë. Një të ardhme përmes votës. Edhe ajo ishte një fushatë e vërtetë, edhe pse tejet e vështirë.
Nuk ishte një fushatë si ajo e 2009, një përballje brilante e dy shkollave, asaj të Berishës tradicional dhe plot pasion e bilanc, me atë të Ramës që premtonte një politikë të re. Një fushatë po ashtu mbresëlënëse qoftë edhe në ballafaqimet publike.
Nuk ishte një fushatë as si ajo e 2013, kur Rama e Meta ja arritën të ngjallin shpresën për ndryshim dhe kur Berisha, me shifrat në disfavor, qëndroi në fushëbetejë deri sekondën e fundit, me bindjen që vetëm vota mund ta largonte prej andej.
Nuk ishte as si dy fushatat e referendumeve të kushtetutave, më 1994 dhe 1998, mbushur me tension dhe dëshirë për të sfiduar tjetrin. Jo! Ishte një fushatë as e shëmtuar dhe as e bukur. Ishte një fushatë e mërzitshme. Mund të thoja me shumë lehtësi: ishte më e keqe se ajo e 2001 që unë e konsideroja më të shëmtuarën deri sot.
Ishte një fushatë ku asnjë nga liderët nuk ngjante i vërtetë. Rama me teatrin e tij që pengesë për vendin kishte qenë LSI dhe me fabulën e timonit; Meta me kontestimin e qeverisjes 4 vjeçare ku kishte qenë pjesë ndërkohë që vijon të qëndrojë në qeveri; Basha me Republikën e Re, që më shumë e ka përdorur si grafikë të bukur banderolash se sa e ka shtjelluar si aksion politik.
Ishte një fushatë ku Rama dhe Meta nuk dhanë llogari për qeverisjen dhe ku Basha nuk ja doli të hapë debat për programin dhe premtimet e tij. E gjithë vëmendja u përqëndrua tek batutat mes Ramës e Metës. Ato që do kujtohen nga kjo fushatë janë poturet e Ramës, 2 gishtat me trëndafil, kazani, tepsia, pantallonat prej doku të Bashës apo sporti me selfie “alla Rama”, deklarata e Metës se vendimet e LSI i merr Petrit Vasili dhe padyshim më e famshmja, timoni që Rama e kërkoi kaq shumë nëpër Shqipëri, por që makinës nuk di t’i japë. Ishte një fushatë për t’u harruar dhe padyshim që do të harrohet shpejt…Opinion