Fushata PS nisi nga Pogradeci

Nga Fatos Baxhaku

Kanë kaluar afër 12 vjet qëkurse Artan Shkëmbi, një mësues i aftë matematike, por edhe një biznesmen i suksesshëm, fitoi garën për Bashkinë e Pogradecit përballë një kandidati të Partisë Republikane. Në Pogradecin e tij, që e votoi në shumicë, askush nuk u çudit, por në Tiranë dhe në qendrat e tjera të mëdha ende nuk kishte mbërritur fama e këtij njeriu që nuk fliste shumë, por, sikurse do të mësohej më vonë, punonte shumë pa bërë shumë demagogji.

Pasi ka dalë fitues edhe në dy sfida të tjera, një herë në 2007 përballë një kandidati të Partisë Demokratike, duke marrë thuajse dyfishin e diferencës së votave në krahasim me 2003, dhe në 2011 përballë një kandidati të LSI-së, Artan Shkëmbi dje ka lajmëruar zyrtarisht dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Bashkisë së Pogradecit. Pas 12 vjet pune në krye të bashkisë së qytetit të “gjolit”, Shkëmbi largohet për t’u hapur rrugë kandidatëve të tjerë.

I gjithë rasti duhet parë në dy kontekste. Më e para nga të gjitha është ajo që ai vetë ka menduar dhe që nuk ka vonuar vetë të shprehë. Konteksti i dytë është se cili është mesazhi politik i këtij hapi që, me sa duket, hap de facto, të paktën për socialistët, fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Artan Shkëmbi, ndonëse jo një brohoritës i madh i stilit të mitingjeve, dhe as polemizues i ashpër i mënyrës së vjetër të ashpër, ishte dhe është një ndër njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Në shumë kuptime, puna e tij ishte simbol i arritjeve të njerëzve të PS-së të veshur me pushtet. Përveçse anëtar i Asamblesë së Socialistëve, ai është njëherazi edhe themeluesi dhe kryetari i Shoqatës së Autonomisë Vendore, pjesëmarrës dhe përfaqësues i Shqipërisë në shumë shoqata ndërkombëtare rajonale dhe më gjerë. Shkëmbi është kryetari i grupit të socialistëve për reformën lokale dhe administrative. Politikisht pra është një nga njerëzit te të cilët Rama duhet të mbështetet ende për të përmbushur reformat që ka në mendje. Nga ana tjetër, Shkëmbi është njeriu nën drejtimin e të cilit Pogradeci ndryshoi pamje. Qyteti u bë me ujësjellës të ri, ujërat e zeza u devijuan në kolektorë të posaçëm, një ndriçim i ri ia hoqi trishtimin që tashmë ishte bërë tradicional, shëtitorja buzë liqenit u bë një nga vendet më të frekuentuara turistike të këtyre dekadave të fundit, 350 ndërtime pa leje janë hequr gjatë drejtimit të bashkisë prej tij, qyteti ka kohë që është bërë qendër festivalesh kulturore, kolonish artistike dhe festash kombëtare e ndërkombëtare, disa prej të cilave shumë prestigjioze. Pa bujë, pa shtirje, por me hap të sigurt dhe me vizion të qartë, Artan Shkëmbi dhe njerëzit që ai drejtoi në 12 vjet arritën të krijonin një Pogradec tjetër. Sikurse ndodh në gjithçka, sidomos te ne, çdo gjë mund të politizohet, natyrshëm që është më lehtë të kritikosh sesa të vlerësosh, çdo gotë të mbushur përgjysmë mund ta shohësh edhe si gjysmë plot edhe si gjysmë bosh, por për këtë më mirë kanë vendosur qytetarët pogradecarë në gjithë këta 12 vjet.

Pikërisht kjo figurë e suksesshme dje, me sa duket pas një konsultimi të kujdesshëm me Ramën, ka shpallur dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë. Kjo në thelb shënon fillimin e fushatës gjysmëzyrtare elektorale për PS-në. Me siguri, pas këtij hapi, do të vijojnë kandidaturat e shumëpritura nga opinioni publik.

Artan Shkëmbi do të punojë në drejtimin e një agjencie fort të rëndësishme të atashuar pranë qeverisë. Ai, në bashkëpunim me ministrin Çuçi, do të koordinojnë punën për ndërtimin e asaj ngrehine të re që quhet Shqipëria e re administrative. Propozimi duket se ka ardhur nga vetë Kryeministri Rama. Domethënia e këtij hapi nuk është vetëm burokratike.

Artan Shkëmbi, ndonëse më i ri në moshë, i takon një brezi të tërë kryetarësh bashkish a komunash socialistë, që kishin në drejtim nga dy, tre apo edhe katër mandate. Disa të suksesshëm, disa të tjerë më pak, ndonjë nën akuzë e të tjerë në rregull me drejtësinë, të gjithë kishin krijuar idenë rreth vetes se ata dhe vetëm ata mund t’i bënin punët në qytetet e tyre, se ata dhe vetëm ata mund të përfaqësonin vendet e tyre përballë pushtetit qendror, qoftë ky i partisë së tyre apo qoftë ky i koalicionit kundërshtar. Rama me siguri, por edhe njerëzit rreth tij duhet ta kenë kuptuar më në fund se nuk mjafton të bësh reforma në letër pa ndryshuar njerëzit dhe mentalitetin, në të mirë a në të keq, që ata mbartin jo thjesht për faj të tyre, por edhe se vitet shkojnë shpejt pa pyetur askënd. Gara që e pret PS-në është e fortë. Me mijëra probleme janë ende të pazgjidhura. Me qindra mijëra qytetarë i kanë ende sytë nga shteti, i cili nganjëherë edhe për motive elektorale e tepron me premtimet e tij që mezi mbahen. Socialistëve në zgjedhjet lokale do t’u duhet të paguajnë edhe haraçin e pushtetit qendror, duke nisur që nga tritoli, te pagesa e dritave dhe deri te përmbytja më e fundit në Jug. Kundërshtari i socialistëve, PD-ja, ka një barrë përvojë në lëmë të pushtetit lokal. Njerëzit, emrat, figurat e reja që do të paraqesin të dyja palët, do të bëjnë diferencën përballë një votuesi përgjithësisht të zhgënjyer nga të dyja krahët.

Në këtë kuptim, hapi që Shkëmbi hodhi në bashkëpunim me Ramën është një hap fort i zgjuar. Për Shkëmbin ka shumë vlerë, sepse lë pas në qytetin e tij rrënjë të thella dhe një trashëgimi që do të mbahet mend gjatë, vjen në një post të ri, ku njerëzit ia kanë nevojën përvojës së tij tashmë shumë të gjatë dhe u tregon kolegëve të tij në qytetet e tjera se askush nuk është i përjetshëm në një detyrë. Për Ramën, ky hap ka edhe më shumë rëndësi në planin e brendshëm, në atë të jetës brenda PS-së. Rasti “Shkëmbi” u thotë të tjerëve që nuk do të kandidojnë më me hir apo me pahir, se të mos jesh më kryetar bashkie apo komune nuk do të thotë fundi i karrierës politike, as se je përjashtuar nga partia, si një herë e një kohë, përkundrazi nëse je i suksesshëm, nëse përshtatesh me kërkesat që ka Shqipëria e kohës jeta vazhdon njësoj si më parë. Pakënaqësitë dhe turbullirat nën zë që ndodhin në raste zgjedhjesh brenda partive, pra edhe brenda vetë PS-së, kështu mund të shmangen deri diku. Me pak fjalë, bëhuni gati, fushata për zgjedhjet e reja porsa ka nisur. Ajo nisi në Pogradec me dorëheqjen e pritur të Artan Shkëmbit.

Gazeta "Shqip"

SHKARKO APP