Futbolli si skaner

Placeholder Image

Nga Artan Fuga/Zoti e deshi që dy ngjarjet të vijnë sëtoku si për të na hequr veshin e paralajmëruar.

Nga njera anë gjithë fastë dhe pompë, kombëtarja e futbollit, me autobuzë luksozë, stërvitur në hotele luksoze, shkon në kampionatin europian për të paraqitur futbollin e saj, njëzet a tridhjetë Muja e Halila, nga ana tjetër ekipi ynë kampion, Skenderbeu, po shkon drejt përjashtimit nga kupat e Europës dhe rrezikon dënime shëmbullore (që personalisht uroj t’i evitoj dhe të shpëtojë faqen e vet dhe të sportit tonë).

Nga njera anë paraqitja për herë të parë e shqiptarëve në një kampionat europian, nga ana tjetër për herë të parë kampioni i futbollit të Shqipërisë rrezikon të përjashton nga të gjitha garat europiane për shitje të ndeshjeve sa edhe sportistët kundërshtarë janë habitur.

Shqiptarët shkojnë lart kurse Shqipëria shkon poshtë.

Sikur dikush i ka bashkuar me një dorë misterioze dy ngjarjet si për të na thënë : Thirrini mo mendjes!

Sa mirë që ekipi i shqiptarëve në Francë të kishte rezultate të mira! Do na e bënte sadopak qejfin. Por, e vërteta është se ai nuk përfaqëson, as futbollin e Shqipërisë, as politikat në Shqipëri për sportin, as nuk është pasqyra e zhvillimit të Shqipërisë. Të gjithë e dimë të vërtetën. Janë 15 a 20 çuna shqiptarë që me inciativën e tyre kanë ikur e luajnë nëpër Europë dhe janë mbledhur për të përfaqësuar shqiptarët nën emrin e kombëtares të Shqipërisë.

Shqipëria aty është vetëm pretekst për të treguar sa dinë të luajnë shqiptarët futboll. Kaq jo më shumë. Ama kaq po.

Shqipëria në sport, por edhe më gjerë, ajo e vërteta, të gjithë e dimë mirë, është katastrofa që rrezikon të ndodhi me Skënderbeun, është dhuna, fallciteti, korrupsioni, në futbollin e Shqipërisë, që për turp na ka vendosur përballë Europës dhe na tregon me gisht edhe atëhere kur sportistët tanë pasi ngrenë flamurin në ndonjë garë, na ulin kokën sepse dalin të stimuluar me kimikate jo fort të ndershme.

Në fakt nuk kanë faj ata. Midis dëshirës për rezultate dhe trajtimit barbar që u bëhet, si vlera kombëtare, e vetma zgjidhje është droga.

Futbolli po bëhet radiografia jonë, skaneri ynë. Nga njera anë kombëtarja nën shkëlqimin e Europës, nga ana tjetër skuadra kampione e futbollit nën akuzat e tmerrshme për trafiqe ilegale fitimesh duke bërë tregti me rezultatet. (Uroj t’a evitojë damkimin përfundimtar).

Cfarë bëhet kështu, merr jahu, midis pompës, farsës, reklamës nga njera anë dhe të vërtetës thelbësore nga ana tjetër?

Jetojmë mes dukjes të fryrë dhe realitetit të shfryrë.

Kështu jeton Shqipëria. Mes krenarisë si vend i reformave ligjore, rrethuar nga një kënetë ku ligji dhe rregulla janë të fundit që merren në konsideratë. Ku ligjin dhe normat edhe Akademia e Shkencave i shkel me këmbë, lëre më atë naçon e lagjes, atë shpirt të vuajtur, që nuk do t’ja dijë fare as për ligje dhe as për norma, dhe mbase me të drejtë madje.

Mes lluksit të qendrave tregtare dhe dyqankave ku burri barkder nga deprimimi fërkohet pas banakut duke parë televizor dhe pritur klientët që nuk vijnë kurrë. Ndërsa pulat prishen në frigorifer dhe çikollatat bëhen dru.

Shqipëria që pretendon të mbajë frenat e Ballkanit dhe më gjerë madje, por nuk kontrollon dot me statistika as proceset më të thjeshta në ekonomi, shëndetsi, etj.

Nga njera anë konkurse punësimi super të ndershme, sikurse pretendohet, nga ana tjetër një punësim që mund të bëhet ose në këmbim të votës, ose të besnikërisë partiake, ose të seksit, ose të mikut. Ndryshe, ik fshij buzët.

Nga njera anë tituj, diploma, ofiqe, komisione, universitete, nga ana tjetër padija po shtohet dhe injoranca e thellë ka rënë si re e zezë mortaje mbi kulturën e vendit.

Muzera gjoja unikë në Ballkan, e më anë tjetër rrënojë kulturore gjithë vendi.

Nga njera anë patriotizëm, që përmbledh me një përqafim me Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Greqi, nga ana tjetër mijra e mijra naço braktisin cdo ditë atdheun dhe qeveria që ndihet e kënaqur dhe krenare për këtë. E deklaron zyrtarisht se është e kënaqur që Shqiptarët dembelë po ikin për të punuar në Gjermani.

Cfarë nuk po na dëgjojnë veshët!

Demokracia si fasadë, e më anë tjetër qytetari është bërë qyqar, ku as e pyet kush, as ja fërshëllen kush.

Si në futboll, një kombëtare e shqiptarëve, por që nuk përfaqëson Shqipërinë, fasada, dhe në anë tjetër skuadra jonë kampione që rrezikon ta përzënë nga shoqëria europiane, si e dyshuar për sjellje të liga.

Liga nuk pranon sjellje të liga. A nuk e thotë edhe vetë emri?

Dhe po Zoti mund të na e bëjë këtë për të na zgjuar :

Nga njera anë të na nxjerrë fituese e kupës të kampionatit europian në Francë, dhe nga ana tjetër të na përjashtojë klubin kampion si të padenjë për të marrë pjesë në garat futbollisstike europiane, atje ku edhe një fushë e blertë për çiliminj, ka më shumë dinjitet sesa të gjitha stadiumet tona të marra sëbashku.

SHKARKO APP