Gardëroba e “të fortëve” në vend të kostumit të politikës

Nga Alfred Lela –

Sonte dua të flas për Elbasanin. Siç ndoshta janë duke folur të gjithë kolegët e mi me emisione në këtë orë të së hënës. Elbasani u bë, të dielën e Ditës së Verës, një fakt i trishtë dhe i pashmangshëm.

Në vend të ballokumeve u dhuruan shtyrje, sharje dhe grushte.

Në vend të perëndive pagane të stinës së re u shfaqën ‘zotat e rinj’ të politikës. Por nuk dua të flas në këtë editorial për asnjërën.

Dua të them pak fjalë për ‘shoqëruesit e parë’, ‘krahun e armatosur’, ‘të fortët’ e Elbasanit. Jo për ta drejtpërdrejt, por garderobën e tyre. E cila është ndoshta problemi më i madh i demokracisë shqiptare.

Nëse i risheh skenat e përplasjes në Elbasan mund të vëresh disa gjëra që i bashkojnë thuajse të gjithë ata që njihen si ‘të fortët’.

Objekti i parë që i bën të dallueshëm është një kapele e zezë bejsbolli. E përdorin ngase nuk duan të njihen, ngase duan të njihen, duan të kenë stilin e tyre, duan që pjeshkat t’i shquajnë me të parën, apo se flokët e rënë u krijojnë pasiguri…?

Objekti i dytë është një çantë e vogël që mbajnë krahaqafë. Ka kontradiksion të thellë te ky aksesor. Burra që duan të japin imazhin e ‘të fortit’, përdorin një mjet identifikues për gratë.

Objekti i tretë janë tutat e sportit, që shoqërohen nga një veshje plotësuese e cila mund të jetë një bluzë sportive me kapuç ose një xhup, gjithmonë i errët. Me këtë kombinim, sikur duan të japin përshtypjen e lirshmërisë ose të moskokëçarjes. Me një fjalë: jemi tipa praktikë, të zgjidhim punë etj.

Këpucët atletike të sheshta, kryesisht të bardha, u shihen gjithmonë në këmbë. Një imitim i sportistëve apo i zezakëve të klipeve të hip hopit.

Të dukshëm janë edhe aksesorët e florinjtë. Një varëse në qafë apo në kyçet e duarve, kryesisht të trasha e demonstrative, flasin shumë për karakteret e burrave të tillë. Rëndesa dhe kostoja e floririt është një deklaratë, ashtu si zëri i lartë, për sigurinë që duan të përçojnë te të tjerët.

Këta burra i gjen me shumicë në krahët e partive politike në Shqipëri. Kanë qenë gjithmonë dhe do jenë aty edhe për shumë vite. Shumë i kanë përdorur, por kryeministri aktual i ka futur në skenë, thuajse si një zgjidhje publiko-politike.

Nuk është ekzistenca e tyre që nervozon, sepse ata janë fenomen universal. Thyerja e çdo kordoni ndarës, e çdo distance etike, afrimi i tyre në radhët e para, më saktë zëvendësimi i argumentit me forcën e ashpër, është problemi.

Ne sot shohim kapelet, çantat, kokat e rruara, varëset e trasha, por ajo që po ndodh ngadalë është getoizimi i procesit politik. Ky është shumë më i dhunshëm dhe alarmant se dhuna e djeshme në Elbasan.

SHKARKO APP