Gazetarët si armiq të shtetit në Ballkanin Perëndimor
Benjamin Pargan
Human Rights Watch dënon sulmet e shumta ndaj mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, qeveritë e përdorin shpërndarjen e buxheteve të reklamave shtetërore për të kufizuar raportimin kritik.
Kërcënime me vdekje, dhuna dhe sulmet fizike, frikësimi i drejtpërdrejtë dhe kërcënimet verbale janë shpesh pjesë e jetës së përditshme për shumë gazetarë në Ballkanin Perëndimor. Ndaj shkrimeve kritike dhe investigative reagojnë madje në mënyrë të përsëritur me padi të justifikuara shpesh me akuza të dyshimta dhe fushata vërtetë të pista edhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore. Qeveritë e shteteve të Ballkanit e përdorin me mjeshtëri shpërndarjen e buxheteve të reklamave shtetërore dhe të subvencioneve për të kufizuar raportimet kritike në media duke shkatërruar kështu pavarësinë e medias.
Këto dhe represione të ngjashme ndaj mediave të pavarura e kufizojnë në mënyrë të konsiderueshme lirinë e shtypit dhe të shprehjes. Interesi i madh i qeverive për media servile dhe vullneti absolut për t’i zbatuar këto me të gjitha mjetet, rrezikojnë gjithnjë e më shumë demokracitë e paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
…dhe Evropa bën sehir
Këtë tablo të zymtë të lirisë së mediave në Ballkanin Perëndimor e konfirmon edhe OJQ-ja Human Rights Watch (HRW) në raportin e saj vjetor. Në të thuhet se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, mbretëron një klimë armiqësore ndaj gazetarëve. Një vit më parë ekspertët HRW-së paralajmëruar për shkelje të rënda të lirisë së shtypit në Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë.
Edhe kryeministri Aleksandar Vucic, i cili në Evropën Perëndimore vlerësohet si një partner i besueshëm, nuk sprapset nga sulmet e egra mbi median e pavarur. Ai i quajti disa portale online që janë nderuar madje me çmime nga BE-ja si “llum”. Rrjetet e gazetarisë hulumtuese BIRN, CINS dhe KRIK janë sulmuar fuqishëm nga zyrtarët e qeverisë dhe mediat pro qeveritare. Përcaktimi si armiq të shtetit dhe kukulla të shteteve të huaja kanë qenë pothuajse gjithmonë pjesë e repertorit të shpifjeve.
Kritikë e paformuluar qartë
Komisioni i BE-së shprehet rregullisht i shqetësuar për gjendjen e lirisë së mediave në Ballkanin Perëndimor. Por sipas Human Rights Watch kritikat nuk formulohen qartë dhe janë të përgjithshme. Për këtë HRW kërkon nga komisari i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn që të kërkojë prej qeverive të këtyre vendeve deklarata konkrete për hetimet në rastin e sulmeve ndaj gazetarëve.
Por edhe këto kërkesa u japin gazetarëve serbë pak shpresa. Gordana Igric e sheh lirinë e kërcënuar të shtypit në Serbi në një kontekst të përgjithshëm gjeopolitik dhe diplomatik të ndërlikuar, në të cilin kryeministri serb luan një rol të rëndësishëm. Aleksandar Vucic konsiderohet në BE si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Me këtë e shpjegon gazetarja serbe qëndrimin e përmbajtur kritik nga Brukseli dhe Berlini dhe “mesazhet e vakëta për rëndësinë e vlerave demokratike në Serbi”.-DW