Gazetarja rumune: Pse e vodhi Shqipëria zemrën time?
Olivia-Petra Coman, një gazetare udhëtimesh rumune, përshkruan në blogun e saj mbresat e mrekullueshme nga udhëtimi më i fundit në Shqipëri.
Në blogun e saj, ku ka postuar dhe foto nga udhëtimi në vendin tonë, ajo shkruan se Shqipëria ka ujëra të kaltra, lumenj ftues dhe kanionët më të bukur që ajo ka parë ndonjëherë. Komentet e saj janë befasuese ndërsa shkruan se ndërsa vizitoni Shqipërinë do të ketë momente kur do t’ju duhet të pickoni veten dhe të pyesni – Jam ende në Europë? – e kjo do të jetë një veprim i vazhdueshëm.
Ndër pikat kryesore ajo veçon malet e larta ku ovacionet habitore (e thirrjet woow) do të jenë pjesë e çdo bisede, madje edhe në momentet kur shpirtin t’a kaplon trishtimi; pasi pas detit nuk ka më mirë se një udhëtim për t’u ngjitur sa më lart drejt maleve.
“Mund të flesh në det dhe të zgjohesh herët për të bërë një xhiro me kayak ose të bësh sërf në dallgët e detit, e më pas të shijosh një mëgjes të lehtë në bregdet. Do të pyesni sërisht: Vërtet isha në ato ujëra ngjyrë safiri? e do të ndiheni udhëtari më me fat kur do t’i shihni sërisht poshtë jush ndërsa qëndroni mbi shkëmbinjtë aty pranë”, shkruan Olivia-Petra Coman.
Sipas gazetares që eksploron vende të ndryshme të rajonit, Shqipëria është toka e aventurës për të gjithë ata që dëshirojnë të provojnë rafting, të shëtisin me kayak, me canoe, të ngjiten në mal apo të udhëtojnë me makina.
Ndër rekomandimet e saj ajo përmend dhe Grupin e Albanian Rafting si më të mirët, ndërsa shton se argëtimi në vendin tonë bëhet në formën e vjetër origjinale e unike, me lojra e të qeshura deri në lot, me piknike e ndalesa spontane kudo ku dëshiron.
Butrinti, Kalaja e Beratit dhe ajo e Gjirokastrës janë ndër pikat e trashëgimisë kulturore që gazetarja Petra përshkruan në blogun e saj si elementë antikë që sipas saj është ende e çuditshme sesi qëndrojnë të fshehta nga turizmi masiv, e që për të përcjellin ndjenjën e të kaluarës dhe kohës që qëndron në vend.
“Specialitetet tradicionale ushqimore dhe ëmbëlsirat mbeten në mendje javë të tëra pasi i ke provuar. Njerëzit janë të jashttzakonshëm: të mirë, të ngrohtë, të respektueshëm, ndihmues dhe mbështetës! Shqipëria është padyshim një nga vendet më mikpritëse në Glob”, shkruan më tej turistja e impresionuar nga vendi ynë.
“Do të ndiheni të trishtuar dhe nostalgjikë kur t’ju duhet të largoheni dhe zgjidhja e vetme do të jetë planifikimi i rikthimit sa më parë!
Ashtu si në të gjitha historitë e mëdha dhe të papritura të dashurisë, ka momente kur duhet të largohesh por bukuri si Shqipëria mbeten gjithnjë në mendje”, përfundon gazetarja e udhëtimeve rumune përshkrimin e udhëtimit të saj në Shqipëri./ ATA