Genc Burimi: Kërcënimi iranian ndaj Shqipërisë lyp zgjidhje politike dhe jo ”teknike”
Nga Genc Burimi
Stuhia që sapo ngritën në debatin publik shqiptar mesazhet e botuara nga ambasada amerikane në adresë të shtetasve të saj që të bëjnë kujdes në kontekstin e luftës me Iranin, habit më shumë se dhe vetë përmbajtja e këtyre mesazheve. Realisht, këto kërcënime ekzistonin realisht edhe para mesazheve të ambasadës amerikane. Ngaqë këto kërcënime ekzistonin, Edi Rama u dorëzua para mollaheve dhe sulmoi para tre vitesh bazën e MEK-ut në Shqipëri për t’u rrëmbyer muxhahedinëve kompjuterat me anë të të cilave zhvilloheshin sulmet kibernetike nga Shqipëria drejt Iranit. Pasi një opozitar iranian në Manzë vdiq gjatë asaj bastisjeje, shteti i Edi Ramës ia dërgoi “me postë” regjimit iranian elementet kompjuterike të MEK-ut që ata i kërkonin Shqipërisë.
Më së vonmi, në intervistën që gazetarja më e njohur franceze për çështjet gjeopolitike Anne Nivat bëri në zyrat e Edi Ramës në Tiranë për të përjavshmen Le Point, ajo ia përmendi hapur kërcënimin zyrtar iranian, para mesazhit të ambasadës amerikane. Asaj pyetje Rama i dha atë përgjigjen e famshme që u bë meme që shqiptarët s’pyesin për asgjë: Le Point: Ju keni një bazë trajnimi dhe logjistike për Muxhahedinët e Popullit të Iranit (MEK), e cila strehon afërsisht 3,000 persona të cilët asnjë vend tjetër nuk donte t’i strehonte. Është i vetmi vendstrehim në botë për këtë grup opozitar ndaj regjimit të mullahëve. Ishte MEK-u i cili në vitin 2002 i zbuloi mbarë botës ekzistencën e programit sekret bërthamor të Iranit. Teherani sapo e ka caktuar këtë bazë në Shqipëri si një objektiv legjitim për sulmet e tija. A jeni të shqetësuar? Edi Rama: Mos pyet kurrë një shqiptar nëse ka frikë nga diçka. Ata nuk kanë frikë nga asgjë
Veçse sot mjafton të hapësh kanalet televizive shqiptare dhe e konstaton se Edi Rama ndoshta bën heroin për veten e tij, por shqiptarët, ashtu si shumë popuj të tjerë në zonën e konfliktit, kanë natyrshëm frikë dhe një valë paniku po përhapet. Në atë pikë sa që opozita në parlament kërkoi me ngulm praninë e Kryeministrit në seancë për të dhënë shpjegime mbi sigurinë dhe kërkoi të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Veçse debati në media dhe në parlament nuk po merr drejtimin e duhur. Ai po mbyllet në një debat thelbësisht të llojit ushtarako-policor, si të mbrohemi, dhe jo në një debat të mirëfilltë politik.
Dy anët e terrorizmit
Terrorizmi është një medalje me dy anë, strukturor dhe konjuktural. Terrorizmi është strukturor kur është permanent, që do të thotë që ai do të jetë gjithnjë i pranishëm dhe në këtë rast rrugëzgjidhja e vetme është të përforcohen kapacitetet vetëmbrojtëse. I tillë është rasti i terrorizmit islamist në Francë me atentate të kobshme si Charlie Hebdo, Bataclan etj., apo më gjerë në Europë, apo rasti i Izraelit, me terrorizmin e përhershëm të Hamasit dhe të Iranit nëpërmjet Hezbollahut. Përballë këtij terrorizmi që nuk shuhet, vendet “viktima” ngrejnë struktura të fuqishme parandaluese.
Ndryshe ndodh me terrorizmin konjuktural, domethënë i përkohshëm, që ushtrohet në formë shantazhi për aq kohë sa zgjat fenomeni që terroristët duan ta eliminojnë. Lufta në Iran është e tillë. Duke patur frikë nga represaljet iraniane, Spanja vendosi të mos lejojë avionët amerikanë të përdorin territorin e saj. Po ashtu disa vende arrijnë të kalojnë me anijet e tyre ngushticën e Hormuzit pa u prekur nga terrorizmi iranian sepse deklarojnë që nuk bashkëpunojnë me amerikanët. Në këtë rast (si ai në shembullin e Spanjës) debati dhe vendimi janë politikë, dhe jo teknikë si të mbrohemi nga Irani.
Rasti i Shqipërisë sot është tipik i njëjti. Shqipëria është në konflikt me Iranin për shkak të MEK. Pra kërcënimi terrorist iranian është konjuktural. Nëse Shqipëria vendos të mos e pranojë MEK-un në territorin e saj siç e kanë bërë të gjitha vendet e tjera europiane, Irani nuk ka punë me Shqipërinë.
Por meqenëse askush sot në klasën politike shqiptare, që nga mazhoranca deri te opozita nuk ka guximin ta shtrojë debatin në këto terma politikë, sepse askush nuk ka guximin t’i kundërvihet doktrinës amerikane që MEK duhet të qëndrojë në Shqipëri, atëherë debati devijon artificialisht në fushën teknike si të mbrohemi nga Irani. Me mjetet dhe përgatitjen që ka Shqipëria kjo është një iluzion. Para pak ditësh terrorizmi iranian desh shkaktoi një masakër në zemër të Parisit duke përgatitur një atentat kundër selisë së Bank of America në kryeqytetin francez. Ngaqë kanë shërbime të specializuara shumë të perfeksionuara, të përgatitura prej kohësh për t’i bërë ballë terrorizmit permanent strukturor islamist, Franca ia arriti të zbulojë dhe asgjësojë këtë manovër atentati para se ajo të ndodhte.
Por rusët për shembull nuk e patën këtë kapacitet, kur pësuan para disa kohësh një atentat islamist në një qendër tregtare që shkaktoi mbi 100 viktima në Moskë. Gazmend Bardhi si përfaqësues i opozitës më të madhe në Kuvend sillet në këtë rast si një utopist duke kujtuar naivisht se po të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të ruheshin shqiptarët nga katastrofa e një atentati iranian. Zgjidhja për shqiptarët është vetëm politike: a ja vlen për sigurinë e të gjithëve që MEK të strehohet pafundësisht në Shqipëri apo një negociatë të zhvillohet me amerikanët që një tjetër vend ta marrë stafetën.
Në intervistën e tij, pas insistimit nga ana e gazetares franceze mbi këtë rrezik që Shqipëria po e merr me vetëdije përsipër për t’i bërë qejfin sipas saj amerikanëve, Edi Rama dha dhe një tjetër përgjigje. Përgjigje e cila sot tingëllon edhe ajo utopiste pas “lëshimit” që SHBA-të po u bëjnë vendeve të Gjirit dhe vetë vendeve të NATO-s. Pjesë “pikante” nga intervista:
Le Point: Ju e mirëpritët këtë organizatë që kundërshton regjimin iranian sepse Shtetet e Bashkuara ju kërkuan ta bënit këtë dhe askush tjetër nuk e donte…
Edi Rama: Ata u mirëpritën për arsye thjesht humanitare. Më parë, ata ishin në Kampin Liberty në Irak, ku u vunë në shënjestër të shërbimeve të inteligjencës iraniane.
Le Point: Pranojeni që janë SHBA-të që jua kërkuan një gjë të tillë.
Edi Rama: Ka gjithmonë një palë që kërkon, sigurisht. Shtetet e Bashkuara na e kërkuan dhe ne thamë po… Shqipëria jeton me Kodin mesjetar shqiptar… Një nen i Kanunit thotë se shtëpia shqiptarit i takon zotit dhe mysafirit.
Ok të gjitha këto, por mos të dalim nga tema jonë. Si e justifikoni te shqiptarët faktin që ju sot mbroni një organizatë e shpallur si e jashtëligjshme në Europë dhe që vepron si shtet brenda shtetit tuaj?
Edi Rama: Kjo organizatë është e jashtëligjshme vetëm për ligjet e mollaheve të Iranit. Policia shqiptare vërtetë ndërhyri në kampin e muxhahedinëve, pikërisht që ata të mos sulmonin Iranin në cyber nga toka jonë. Por kjo s’do të thotë që ne mos të vazhdojmë t’i mbrojmë
Le Point: Pra sipas jush, për shqiptarët nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, situata është totalisht nën kontroll me muxhahedinët tek ju? Domethënë aktualisht ju nuk keni më frikë për asgjë nga Irani ndonëse publikisht Irani vazhdon t’ju kërcënojë për shkak të këtij kampi tek ju?
Edi Rama: Kemi marrë masat; jemi anëtar i NATO-s dhe s’është kollaj të sulmosh një vend të NATO-s. E them dhe njëherë, po u sulmuam NATO do të na mbrojë ashtu si NATO ndërhyri për të mbrojtur së fundmi Turqinë.
I duhet rikujtuar Edi Ramës, që: 1) prej zhvillimit të kësaj interviste, NATO nuk duhet të ekzistojë më sipas aleatit kryesor të saj amerikan që nuk garanton më mbrojtje, 2) kërcënimet e Iranit ndaj Shqipërisë nuk janë dronë dhe raketa si në rastin e Turqisë NATO i përballoi lehtësisht, por janë kërcënime për atentate të mirëfillta kundër të cilave as Turqia vetë nuk është e mbrojtur siç e kanë treguar rastet e atentateve kurde në tokën turke. Zgjidhja mbetet politike jo ushtarake: a duhet të vazhdojë të qëndrojë MEK-u në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

