Gënjeshtra me këmbë të gjata

Nga Hyskë Borobojka

Ishim të rinj, pa shkuar brisk në faqe, kur këndonim me zjarr në mitingje e shkolla: “Tiranës ujë e dritë t’i japim në dhjetëvjetor”. Bëhej fjalë se partia-shtet, në dhjetëvjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, do t’u thoshim rrini me shëndet puseve me ujë të ndenjur dhe kovave për nxjerrjen e tij dhe qytetarët e Tiranës do të pinim ujë të freskët akull nga Selita. Iku dhjetëvjetori i Partisë dhe uji që erdhi mysafir në shtëpitë vendosi orarin. Kur çezmat do të lageshin e të rridhnin ujë e kur do të mbeteshin të thata. Vetëm në “çifligjet” e Pashallarëve të kuq, ai s’kishte orar, ditë e natë derdhej pa kursim.

Premtimet se “Tiranës ujë (24 orë pa pushim) e dritë, do t’i japim për dhjetëvjetor” u kthyen në gënjeshtra me bisht. Iku dhjetëvjetori i Partisë, erdhi e shkoi dhe dhjetëvjetori i Çlirimit të Atdheut, por uji nuk ndërroi dot mendje e vazhdoi të zbatonte me përpikmëri orarin e caktuar. Filluan Kongreset e Partisë dhe përkujtimet e çlirimit të vendit, premtimet vu në gazeta, në radio e në televizorin e vetëm me një sy. Por uji vazhdonte t’i qëndronte besnik avazit të tij.

-Mos u mërzitni, shokë qytetarë! Ajo që s’u plotësua në dhjetëvjetor do plotësohet në njëzet, në tridhjetë. Pastaj filluan justifikimet me radhë. Tirana u rrit dhe uji që vjen nga Selita e Shën Mëria nuk mjafton. Do ndërtojmë një rezervar të ri. Ai u gjet në Bovillë. Ky ujëmbledhës i madh do të furnizonte me ujë të pijshëm, jo çezmat e banesat e qytetarëve, 24 orë pa ndërprerje, por do tepronte edhe për të vaditur kopshtet e bashtat e miletit. Por ja që s’qe kësmet, pasi Bovillën e sulmuan dhe e pushtuan algat dhe filloi beteja për eliminimin e tyre, që u zgjat e u bë tërkuzë.

Më në fund partia-pushtet, që “mbretëroi” 45 vjet me radhë, mori rrokullimën dhe filluan të dalin partitë e shumta, të djathta, të majta, të qendrës e me lloj-lloj emërtimesh. Disa më të mëdha e disa më të vogla. Përsëri problemi i ujit dhe i dritave vazhdoi të këndonte këngën e vjetër me avaze të reja. Dhe mjerë ata fakirë që i kanë banesat në katet e sipërme të pallateve, pasi qëllon shpesh që kur vjen uji, ikën energjia elektrike, që të verë në punë pompat për të ngjitur ujin përpjetë. Thonë se paraja e ngre ujin përpjete, por në këto raste edhe virania para s’pi dot ujë.

Çdo forcë politike që vinte në pushtet, në majë të gjuhës i kishte premtimet (më falni gënjeshtrat). Jovan Bregu në komedinë “Pallati 176” thoshte: “Edhe na gënjejnë edhe i gënjejmë”.. Ndërsa qytetarët e thjeshtë vetëm i gënjejnë dhe jo një herë, por tri herë në ditë, në mëngjes, në drekë e në darkë.

Thonë se vendi ynë është më i paruri në Evropë për sasinë e ujit që ka. Por ujë ka, e ujë s’ka. Ky është një lajtmotiv që e përsëritin për ditë qytetarët, kur ngrihen në mëngjes apo vijnë në drekë në banesat e tyre dhe çezmat i gjejnë të thata. E vërteta e hidhur është se uji harxhohet pa kandar dhe derdhet lumë për të vaditur, jo lulet në saksi, por kopshtet e bashtat e disa qytetarëve pronarë të mbjella me perime, ai nuk kursehet e derdhet me presion të madh në lavazhet në mes të kryeqytetit për të larë nga makinat luksoze e për t’u hequr zhurin rrangallave të tjera. Uji lumë e përrua nuk kursehet, për të larë trotuaret përpara lokaleve, aq shumë sa janë deformuar edhe pllakat. Vetëm për çezmat e miletit ai vazhdon t’i qëndrojë besnik deri në fund orarit, harrimit dhe “kursimit”.

-Kemi tri ditë pa ujë!- ankohet një qytetar.

-Kemi një javë! – e pason tjetri.

Mos vallë gënjen e s’thotë të vërtetën spitali “Nëna Terezë”, kur ankohet se shpeshherë mungon uji në pavionet e tij!?

-S’kemi as ujë as matës për harxhimin e tij, por në vend të tyre na vijnë faturat e majme afrofe për të paguar! – ankohet në zyrat e Ujësjellës-Kanalizimeve,

-Ç’faj kanë faturuesit tonë se zotrote nuk ke matës në shtëpi. Prandaj blije vetë se vijmë ta vendosim ne! Duhet ta dish dhe, po nuk e di mësoje, se uji si çdo mall tjetër tregtohet me pare në dorë!? – e “sqarojnë”.

-More zotërinj, kur ju vini në pazar për të blerë perime, fruta, peshk apo mish, peshoren e merrni me vete apo e ka i zoti i mallit!- kundërshton qytetari.

Por zyrtarët e Ujësjellës-Kanalizimeve vuajnë nga veshët. Ata i kanë të numëruara fjalët e ta venë kufirin te thanë. Po të duash bëj dava me ta po deshe. Asgjë nuk fiton. E drejta (si drapri) është gjithmonë me ata, pasi kanë në dorë edhe gurin edhe arrën.

Ujë ka e ujë s’ka, është lajtmotivi që përsëritin qytetarët, sa herë që çezmat e banesave të tyre mbeten të thata.

-Do të ketë ujë 24 orë, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në fshatrat e bashkisë së madhe- buçet premtimi në çdo fushatë zgjedhore.

Zotohet të djathtët me “duar të pastra” (që nga mungesa e ujit u mbetën këllirë) Premtojnë të majtët me “Rilindjen “ e madhe (që u shkri si vesa e mëngjesit) e vazhdojnë me “Aleancën për Shqipërinë Evropiane” Por sa kalojnë fushatat (si të korrje-shirje-grumbullimeve) dhe pretimet e bujshme dalin gënjeshtra me bisht. Është bërë ligj (i pashkruar) gjithë dështimet e premtimet e pambajtura, qeveritë që vijnë në pushtet ia faturojnë njëra tjetrës. E sotmja asaj që iku, kjo e fundit asaj që erdhi. Gënjeshtrat janë aq të mëdha sa rriten me progresion gjeometrik, ndërsa e vërteta me progresion aritmetik.

Ujësjellës-Kanalizimi për problemin e ujit të pijshëm, edhe gjatë këtij çerekshekullit tranzicion, asgjë s’ka harruar dhe asgjë s’ka mësuar. Është fshirë nga fjalori aforizma se “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra” dhe është zëvendësuar me aforizmën e re: “gënjeshtra me këmbë të gjata”. Prandaj ata gjynahqarë qytetarë, që vuajnë për ujë thonë: Që në “Kinostudio” e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë.

SHKARKO APP