Gert Metani: Vota, element i sigurisë kombëtare

Nga Gert L.Metani*

vót/ë,-a emër i gjinisë femërore; numri shumës; -a(t) 1. shprehja e mendimit dhe e vullnetit të secilit gjatë zgjedhjeve ose kur vendoset për një çështje; mendimi që shpreh dikush dhe fleta a diçka tjetër që përdoret për këtë qëllim: e drejta e votës; votë vendimore (këshillimore); me shumicë votash; ia jap votën (dikujt) votoj për dikë; dha votën (për dikë a për diçka) e miratoi; votoi për.

2. votim: votë e lirë (e fshehtë); e vuri (e hodhi) në votë.

Procesi i votimit është një shprehje e vullnetit të sovranit (popullit) për të zgjedhur përfaqësuesit e tij. Në këtë mënyrë me anë të votës realizohet vullneti i shumicës dhe përmes të zgjedhurve implementohen projektet e personave të zgjedhur. Vota të sjell në pushtet dhe vota të largon nga pushteti. Vota tregon besim tek i votuari dhe mosvotimi tregon të kundërtën e të parës. Me votë, shtete të ndryshme zgjedhin presidentin, kryeministrin, kryetarët e bashkive, komunave apo rajoneve, sherifin, me votë qartësojnë mbështetjen për një çështje të referendumit dhe po me votë zgjedhin përfaqësues për hallka si parlamenti, juritë e gjykatave, federatat, bordet, këshillat, guvernatori e plot raste të tjera që i përkasin të drejtës publike (institucione publike) apo të drejtës private (institucione private).

Me votë shfaqet de jure vullneti i votuesit por me refuzim për të votuar shfaqet de facto rebelimi i votuesit. Vota është mjet, armë, grusht, flamur, simbol, shenjë apo vegël që mund të përdoret dhe keqpërdoret. Votë e fshehtë, votë e hapur, votë elektronike, votë postare, votë fizike, votë verbale, votë e (pa)ligjëruar, votë konkrete, votë e supozuar dhe një menu votash që mund të zgjatet akoma më shumë…

Votë e numëruar, votë e vjedhur, votë e pavlefshme, votë në kutinë e gabuar, votë e dëmtuar, votë e paplotësuar, votë e fotografuar, votë e blerë, votë e shitur, votë e falsifikuar, votë e tjetërsuar, votë e pa numëruar, votë e detyruar, votë me ndikim, votë pa ndikim, votë pro, votë kundër, votë abstenim, votë e vetme e transferueshme…

I nderuar lexues,

vota është mjet tepër i fuqishëm për shtetet demokratike sepse me anë të saj realizohet vullneti i shumicës. Për fat të keq, në listën e vendeve demokratike, nuk mund të themi se bën pjesë edhe Shqipëria. Vendi ynë voton pak, voton keq, vjedh votën, blen votën, nxit mosvotimin, nuk i jep të drejtën e votës diasporës, nuk zgjeron format e votimit, arsyet e votimit dhe shpeshherë, me metoda të paidentifikuara nga gazetaria investigative shqiptare, duket sikur detyron institucione ndërkombëtare të monitorimit të votës të prodhojnë raporte të pavërteta për proceset e votimit. Por më lejo i nderuar lexues të zbërthej thelbin e këtij shkrimi që nuk ka fare të bëjë me punën analizuese për të cilën paguhen qindra punonjës të një institucioni që akronimi i fillon me K, i bashkëlidhet një Q dhe mbyllet pa nder me një Z.

A duhet të trajtohet vota si element i Sigurisë Kombëtare? Mendoj se po.

Po rendis disa arsye:

1. Vendi ynë ka treguar se ka votuar persona me rekorde kriminale dhe ato persona kanë arritur të zgjidhen deri në poste ministrore, kanë marrë drejtimin e njësive lokale, menaxhimin e sektorëve të sigurisë, drejtimin e industrive prodhuese dhe me anë të firmës dhe vulës së tyre kanë nxitur/ shtuar nivelin e korrupsionit dhe keqadministrimin e pasurive (materiale- jo materiale) të Shqipërisë. Rrjedhimisht, pasojat nga shkaqet e mësipërme, cenojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë.

2. Me anë të votës së shumicës, vendi ynë njeh fituesin e garës. Çuditërisht nuk ka (përveç rastit të % minimale për subjektin partiak/ koalicion) një kufi minimal për t’u shpallur fitues. Shembull: nëse lista njeh 1 000 votues por ndodh që ditën e votimit votojnë vetëm 10, fituesi legjitimohet mbi shumicën e 10 votave. Këtu sjellim edhe rastin e zgjedhjeve të vitit 2019 ku votuan vetëm 21.6% e 3.5 milionë shqiptarëve dhe PS fitoi 60 Bashki. Duhet theksuar se nga 21.6% e votave, 5.5% ishin vota të pavlefshme, pra fituesit u zgjodhën vetëm me 16.1% të 100%. Nuk diskutojmë këtu mbi votat përbërëse të 16.1% që mund të jenë shitur e blerë, shtuar, vota të detyruara apo të keqnumëruara.

Në demokraci, vullneti i shumicës duhet të prevalojë për të sjellë në drejtim një kandidat që premton të punojë në dobi të vendit. Por si vallë mund të quhet 16.1% shumicë dhe ky mosvotim masiv mos të cenojë sigurinë kombëtare që automatikisht shikon të legjitimohen për 4 vite mandat, kandidatë-fitues që kanë marrë veç një grusht votash dhe firmosin për fatin shumëvjeçar të pasurive të kombit?!

3. Së treti dhe së fundmi për këtë nënçështje. Vota duhet të konceptohet si element i sigurisë kombëtare për shkak të brishtësisë që ka shteti ynë. Me këtë nënkuptoj financat e shumta që vijnë nga lobe që promovojnë kandidatë filo/ grekë, serbë, turq, arabë apo të tjerë; lobe fetare, lobe në mbështetje të agjendës lgbtqi+, lobe masone, lobe të quajtura mafia apo lobe të kompanive shumëkombëshe që synojnë të shohin kandidatët e mbështetur prej tyre, financiarisht e moralisht, të firmosin e vulosin qëllimet e programit të hartuar për vendin tonë. Shumë financim, pak cilësi, sjell lehtësisht shumë shkatërrim, pak përgjegjësi nga këto para me fajde.

Vota e shenjtë!

Vota e lirë!

Vota gjithëpërfshirëse!

Vota e fshehur!

Vota përcaktuese!

Vota e shumicës!

Vota që është votë, duhet të shikohet me prioritet dhe të jetë për më shumë sfera:

– Pse mos të votohet edhe për presidentin (atë president të së ardhmes me kompetenca të shtuara në Kushtetutë);

– Pse mos të votohet edhe për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit (që siguria mos të jetë vullnet i ministrit por i strategut të shkolluar dhe formuar për të ofruar siguri);

– Pse mos të votohet edhe për jurinë e gjykatës (asaj gjykate që duhet të reformohet dhe mos ja lëri një trupe gjyqësore dënimet për vepra penale madhore – si rasti i shëmtuar i tentativës për vrasje të Profesorit dhe Avokatit Sokol Mëngjesi);

– Pse mos të votohet me referendum për projekte që jepen për 99+1 vite nga një këshill i ministrave që është votëbesuar për vetëm 4 vite.

Një fletë votimi me shumë çështje për të votuar, s’ka sesi të mos nxisë qytetarin të dalë për të votuar. Kësisoj, do kemi realisht një shumicë absolute që vendos.

Por shumica edhe mund të zgjerohet.

– Pse mos të votojnë edhe 16-vjeçarët të cilët në shumë vende të botës, kur mbushin 16 vjeç, lejohen të punojnë, paguajnë taksa, gjykohen për krime, mund të marrin leje drejtimi dhe janë pjesë vitale e shoqërisë?

– Pse mos të votojnë emigrantët që ndodh që ditën e votimit të mos arrijnë të kthehen në Shqipëri? Me zhvillimin e sigurisë kibernetike dhe proceseve monitoruese, kjo është sfidë minimaliste për atë institucionin me tre shkronja.

– Pse mos të votojnë edhe të sëmurët që dita e votimit mund t’i gjejë të shtruar në qendra spitalore? Dhe mos të përfundojmë si atëherë kur pacientëve me Covid-19 iu mohua e drejta e votës, gjoja për sigurinë e komisionerëve, të cilët lehtësisht mund të kishin marrë masa (si mjekët e turnit) që të organizonin punën në këto ambiente.

U cenua e drejta e votës në emër të masave absurde eksperimentale të sigurisë së asaj periudhe. Shkrimi ka kritika, Shkrimi ka edhe refleksione, Shkrimi po ka dhe sugjerime, Shkrimi ndodh që mund të ketë dhe propozime, Sepse shkruesi i shkrimit beson se idetë janë ato që sjellin ndryshimin kur dëgjohen dhe zbatohen nga njerëz me vizion!

*Autori ka formim në siguri publike dhe ka dhënë kontribut modest për sigurinë Shqipërisë. Prandaj ky shkrim ka vetëm qëllim zgjimin e institucioneve që mund të përmirësojnë procesin e votimit si element thelbësor i Sigurisë Kombëtare.

SHKARKO APP