Gëzim Tushi: Revolucioni urban, nga kultura e afërsisë drejt distancimit social
Nga Gëzim Tushi*
Padyshim, pandemia është bërë faktor madhor për të ndryshuar shumë gjëra që deri para shpërthimit të saj, mund të jenë konsideruar tabu sociale edhe bashkë me to janë duke u përmirësuar edhe disa formula të vjetra tradicionale të sjelljeve sociale që bashkëqytetarëve në rrugët tona të përbashkëta. Nuk është e tepërt që të mësohemi dhe të pranojmë pa rezistencë të pakuptimtë, që në kushtet që ndodhemi duhet ti kushtojmë më shumë kujdes faktit që kultura e komportimit, lidhjet dhe marrëdhëniet me njerëzit e njohur dhe të panjohur, qoftë edhe në qarkullimin e zakonshëm në rrugët e përbashkëta duhet të ndryshojnë. Kjo së bashku me respektimin e distancimit fizik e social dhe respektimin e kulturës urbane dhe mjekësore të maskës, janë bërë konditë e njohur, e pranuar, po deshët edhe e imponuar dhe kusht për tu mbrojtur nga infektimi me Covid 19.
Në këto rrethana na duhet dhe medoemos që do të ndryshojmë shumë gjëra në mënyrën si do e transformojmë “kulturën e rrugës”, madje kjo duhet bërë shpejt dhe në mënyrë shumë efikase, si mënyrë për të shmangur difektet dhe sjelljet e gabuara në format arkaike dhe modulet e dëmshme të lidhjeve sociale dhe socialitete e panevojshme individuale. Nuk është fjala për të bërë përkufizime sociale për mënyrat e sjelljes në rrugë dhe ambiente publike. Por nga ana tjetër pandemia po na detyron, që me cdo kusht dhe sa më shpejt të rregullojmë shumë gjëra në sjelljen dhe mënyrat e komportimit të ri, të ndryshuar duke I dhënë atyre një karakter më të qartë social e më të konsoliduar human.
Sigurisht për shkak të virusit Covid 19 rruga dhe ambientet e tjera të jetës publike janë bërë gjithnjë e më shumë të pasigurta. Rruga dhe mungesa e kujdesit të sjelljes në rrugë e kanë bërë atë “plasdarma” të pasigurt dhe burim të fuqishëm të përhapjes së virusit dhe për pasojë edhe të zgjerimit alarmant të pandemisë. Kjo do të thotë se pikërisht lidhjeve sociale midis njerëzve në këto mjedise publike, i duhet dhënë më shumë kujdes dhe përparësi. Sepse ato janë ambiente ku terreni është më patogjen se sa mjediset e tjera më private dhe me hapësira më të kufizuara.
Besoj se për ta parë me optikën e duhur këtë problem me natyrë komplekse urbane dhe sociaosanitar duhet të sillemi me kujdesin e duhur, duhet të bëjmë ato ndryshime thelbësore që janë conditë sine qua non në rindërtimin e parametrave të ekuacionit të e sjelljes sociale, Kjo kërkon reflektime adekuate e sa më të shpejta me natyrë sociale duke ridimensionuar mënyrat si i ndërtojmë ne individualisht apo si shoqëri marrëdhëniet delikate të njerëzve me njëri tjetrin në rrugë dhe ambiente të tjera të jetës publike.
Besoj se pa tentuar për të bërë përkufizime sociologjike skolareske, se si duhen rindërtuar lidhjet me njëri tjetrin në rrugë dhe marrëdhëniet tona sociale me rrugën, është ultimative, e paneglizhueshme sjellja që duhet të bazohet në një lloj “neutraliteti qytetar” që shfaqet qartë në formn e vendosjes së distancimit fizik me ambientet jashtë, në rrugë, bare, restorante, institucione të jetës publike të argëtimit dhe administrimit shtetëror apo të biznesit. Kjo do të thotë se është momenti që të ngremë alarmin e duhur, kundër shfaqjeve të një lloj socialiteti banal të njerëzve në raport me rrugën, duke rivlerësuar rreziqet dhe patologjitë evident që vijnë prej saj, duke respektuar kërkesat e reja ultimative për një kulturë të re në rrugë dhe ambientet e gjëra të jetës sociale.
Unë besoj se Covid 19 dhe situata intensive e pandemisë, nuk janë ngjarje të zakonshme që mund të trajtohen me kokëfortësi apo mendjelehtësi. Në këtë kuptim, duhet të bëjmë ndryshime të shpejta në mënyrat e sjelljes dhe kulturën e duhur të raporteve të qytetarit me rrugën, ambentet publike dhe marrëdhëniet me të tjerët. Mbi të gjitha situata është e tillë, në nivele të rreziqeve kritike dhe përmasave alarmante të infeksionit, të cilat na detyrojnë që të bëjmë në këtë aspekt të përmirësimit të dukshëm të “kulturës qytetare të rrugës”. Madje këto të jenë jo ndryshime të ngadalta, me përtaci mendore e rezistencë absurde, por me shpejtësi dhe në mënyrë të menjëhershme.
Nuk është fjala për ndonjë lloj bunkerizimi të njerëzve nga marrëdhëniet e tij me rrugën, por për një respektim akoma më urban dhe kulturalisht më të qytetëruar me mënyrën si ecim, si i ndërtojmë kontaktet dhe lidhjet, marrëdhëniet hapësinore me njëri tjetrin, pa qënë shoqërisht të bezdishëm dhe individualisht të rrezikuar nga infeksioni I virusit që “qarkullon lirisht” nëpër rrugët e përbashkëta të qyteteve tona, në ambientet e përbashkëta të jetës publike. Problemi është se në rrugë virusi shfaqet tejet I “demokratizuar”, në kuptimin që ai nuk favorizon, nuk diferencon dhe nuk diskriminon asnjë njeri për asnjë lloj arsyeje. Kjo do të thotë se mënyra e sjelljes dhe kujdesi i komportimit në rrugët dhe ambientet publike të përbashkëta duhet të jetë qëndrim urban i barabartë për këdo.
Vetëm në rrugë nuk ka të imunizuar apo të privilegjuar përballë rrezikut të infektimit. Në këndvështrimin aktual, duhen kufizuar besoj qëndrimet e tepërta e të panevojshme në rrugë, xhirot bulevardeske dhe shëtitjet peripatetike pa asnjë qëllim apo bjektiv. Në se jemi qytetarë, që kuptojmë situatat por dhe rreziqet e përbashkëta që na kërcënojnë seriozisht duke qëndruar në mënyrë të pakujdesshme në rrugë, atëhere është e udhës të reflektojmë, të ndryshojmë disa paradigma të vjetra të sjelljes. Kjo do të thotë se është pandemia ajo që na imponon sjelljen, dhe na detyron që të ndryshojmë disa module sociale tradicionale të qejfeve dhe kënaqësive në rrugë.
Padyshim një shoqëri e kultivuar është gjithnjë e përbërë nga qytetarë me staturë të vërtetë urbane, me aftësi racionale për të gjykuar dhe vlerësuar rrezikun e pandemisë, ndikimet negative të mungesës së vetpërmbajtjes, zbatimit të kërkesave të protokollit mjekësor, që shpesh bëhen faktor stimulus për zgjerimin e hapësirave virusale, përmasave të infektimit dhe rrjedhimisht edhe për humbjet e padëshiruara të jetëve njerëzore. Problemi është që kujdesi në rrugë është i lidhur në një masë të konsiderueshme, me aftësitë dhe përgjegjësinë individuale për vetdisiplinim qytetar, në emër të mbrojtjes së jetës dhe respektimit strikt të parimeve të shëndetit. Sjelljet e natyrshme, të njëjta, të kujdesshme, në përputhje me protokollet e shëndetit dhe masat e mbrojtjes nga përhapja e infeksionit të Covid 19, kërkon një përmirësim kulturor dhe medikal të sjelljes.
Mbi të gjitha na duhet të kultivojmë një “sistem besimi” të përbashkët qytetar, për utilitetin dhe racionalitetin e masave të propozuara për të shtuar kujdesin në rrugë e kudo. Në se do kemi vullnetin, përgjegjësisnë qytetare dhe sensin komunitar, atëherë do të kemi pikërisht atë që na duhet me urgjencë në këto momente: sistemin e përbashkët të besimit ndaj dijes mjekësore dhe institucioneve të shëndetësisë, duke respektuar me vullnetarizëm të lirë, pa forcë policore e masa administrative si mjet për të mbrojtur veten dhe tjetrin, shëndetin individual dhe atë publik.
Kjo është arsyeja pse ne duhet si qytetarë të bindemi, që përballimi I betejës me këtë pandemi kërkon mbase shumë gjëra e përmirësime. Rrugën dhe vlerat e saj sociale, jetike e komunitare duhet ti përputhim me parimet e shëndetit. Prandaj nuk duhen neglizhuar “rreziqet e rrugës”, që janë bërë aleatë të mirë të infektimit masiv. Kjo do të thotë se kur jemi të ndërgjegjëshëm që pandemia na ka vënë të jetojmë në “kohë të rrezikshme, duhet të bëjmë një “revolucion” për ndryshimin e disa paradigmave të vjetra të sjelljeve kolektiviste e supersociale në rrugë.
Thelbi I këtij “revolucioni urban” është i lidhur me ndryshimin që pritet të ndodhë, duke kaluar nga kultura tradicionale e afërsisë në rrugë, në sjelljen moderne të distancimit social. Kjo do të thotë se tani kemi nevojë për koncepte të reja në marrëdhëniet midis individit dhe shoqërisë, duke ndryshuar konceptet e “afërsisë” me ato të “distancës” hapësinore, duke kapërxyer kufijtë e “forcës së vjetër të zakoneve”, që nuk i korrespondojnë kohës që jetojmë, rreziqeve që kemi përballë.
*Mjeshtër i Madh